Për katër ditë me radhë, skena e Qendrës Kulturore dhe skena e teatrit “Pirro Xëci” në Pogradec, do të mirëpresë shtatë trupa teatrore nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, të cilat sjellin për publikun më të vogël një seri shfaqjesh me tematikë të ndryshme dhe me mesazhe edukative.
Qëllimi i festivalit është të mbajë gjallë një traditë të vjetër të qytetit, që i ka dhënë gjithmonë hapësirë artit për fëmijë, por edhe të nxisë bashkëpunimin dhe shkëmbimin kulturor mes trupave pjesëmarrëse.
Në festival marrin pjesë trupa të njohura nga Elbasani, Vlora, Korça dhe Berati. Për shumë nga regjisorët, ky është një moment takimi me publikun e vogël, që vlerësohet si më i sinqerti dhe më kërkuesi në shfaqje.
Edhe pse teknologjia ka krijuar një lidhje të fortë me fëmijët, organizatorët dhe regjizorët e shfaqeve, besojnë se teatri mbetet një formë magjike për të afruar të vegjlit me artin, përmes tregimeve që edukojnë, emocionojnë dhe argëtojnë.
Festivali “Xinxifilo” mbetet një nga ngjarjet më të veçanta kulturore të qytetit të Pogradecit dhe çdo vit sjell risi në përmbajtje, formë dhe pjesëmarrje. Ai është një dëshmi e gjallë se arti për fëmijë mund të jetë i pasur, i vërtetë dhe i dashur, kur frymëzohet nga dashuria për publikun më të pastër.
Komente
