Gjykata Kushtetuese shqyrtoi në një seancë plenare çështjen e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019, ndërsa vendimi u tha prej anëtarëve të saj se do shpallet sipas afateve ligjore. Afate të cilat zgjaten dhe ngushtohen sipas amplitudës së lëvizjes së politikës në Shqipëri.
Në seancë normalisht ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve të interesuara si nga Kuvendi, KQZ, Avokati i Popullit e PD. Dhe në veçanti, e pranishme ishte edhe kryebashkiakja në detyrë e Shkodrës, Voltana Ademi, e cila ka bërë kërkesën në Kushtetuese për vlefshmërinë e zgjedhjeve të 30 qershorit.
Me mbështetjen e Ilir Metës kuptohet, pas asaj dreke të konsumuar në një lokalet më të shtrenjta të Shkodrës dhe pjesëmarrjes së Voltana Ademit në turin e takimeve të Metës për promovimin e 13 tetorit 2019 si dita e zgjedhjeve të shtyra prej tij me dekret presidencial.
Në esencë të ballafaqimit të palëve të interesuara për të zhbërë 30 qershorin e zgjedhjeve, ishte kërkesa për të mos marrë opinionin e Komisionit të Venecias si një detyrim për t’u zbatuar dhe për më tepër që sipas tyre është dhe i pasaktë. E thanë përfaqësuesit ligjorë të kundërshtarëve të zgjedhjeve të 30 qershorit 2019 këtë variant.
E vërteta është se shqyrtimi i këtij ankimi është zvarritur pa fund, duke tejkaluar vitin e dytë, për shkak se Gjykata Kushtetuese menjëherë pas konstituimit, vendimin e parë që mori ishte kërkesa drejtuar Komisionit të Venecias për të marrë një opinion final për zgjedhjet. Megjithëse ky veprim u kritikua, pasi “Venecia” e kishte marrë një vendim të tillë për 30 qershorin.
Por Kushtetuesja donte një opinion nga ky Komision i dhënë apostofat për të, në përpjekje për të zvarritur procesin por dhe për të qenë në rregull me të gjitha “letrat”, edhe me miqtë e saj në politikë, por dhe për të qenë dorëjashtë në këtë vendim, me argumentin se kështu e ka vendosur “Venecia”.
Ndoshta, duke qenë “peng” i akuzave të ditës se mazhoranca ka në dorë të gjitha pushtetet dhe duhet pak balancim, kishin një shpresë të vagullt se opinioni që do vinte nga ky institucion, do ishte në të njëjtën linjë me vijën politike në Shqipëri e 30 qershori do zhbëhej, sëpaku pjesërisht.
Por shpresat u shuan me mbërritjen e qëndrimit të “Venecias”, ku sipas opinionit final të saj, Gjykata Kushtetuese nuk e ka në kompetencën e saj gjykimin si antikushtetues apo jo një proces zgjedhor si ai i zgjedhjeve vendore të vitit 2019, por kjo nuk e pengon që të ushtrojnë kontroll mbi legjislacionin zgjedhor.
Komisioni i Venecias la në fuqi zgjedhjet e 30 qershorit dhe nuk këshillonte Kushtetuesen që t’i përsërisë këto zgjedhje vendore, duke i certifikuar përfundimisht dhe zyrtarisht. E duan nga goja e Europës një gjë të tillë, pavarësisht se në një vend normal, kjo Primo-Gjykatë në Shqipëri, për më tepër pjesë e drejtësisë së re, duhej ta kishte zgjidhur vetë me kohë e me vakt këtë ngërç.
Por dhe në këtë fillim nëntori, Kushtetuesja u shfaq në seancë sërish e pavendosur për të dhënë një vendim përfundimtar, duke premtuar shfrytëzimin e të gjithë afatit kohor që i jep ligji për të “pjekur” një vendim përfundimtar. Afat me limitin prej një muaji, që mund të shkojë dhe përtej.
Vetvetiu mund të lindë pyetja se, përse po ndodhin gjithë këto shtyrje afati dhe zvarritje për një vendim të qartë si ‘drita e diellit’ e për të cilin opinioni i ‘Venecias’ ka folur “shqip”: Gjykata Kushtetuese nuk ka punë me 30 qershorin, që është çështje e mbyllur tashmë?
E vërteta e kulluar është se në “lojë” janë 7 bashki, të cilat për dy vite me radhë, ku më pak dhe ku më shumë, janë pa kryetarë të zgjedhur. Sipas Kushtetutës Presidenti i Republikës Ilir Meta duhej të kishte shpallur datën e zgjedhjeve të pjesshme të parakohshme në bashkinë e Durrësit, Shkodrës, Mallakastrës, Vorës, Rrogozhinës, Dibrës dhe Lushnjes. Kryetarët e këtyre bashkive janë ‘djegur’ nga ligji i dekriminalizimit, janë arrestuar ose kanë dhënë dorëheqjen siç ishte rasti i kryebashkiakes socialiste të Durrësit Valbona Sako, ose dhe janë dorëhequr si në rastin e Dibrës, për të kandiduar për deputet.
Pra presidenti Meta në kundërshtim me Kushtetutën ka bllokuar prej dy vitesh shpalljen e këtyre zgjedhjeve të pjesshme për pushtetin vendor, ndoshta i adhnuar me Lulzim Bashën i cili nuk e përfilli 13 tetorin, datën e re të zgjedhjeve që kreu i shtetit dekretoi pas “shtyrjes” së 30 qershorit.
Por kjo ishte për realitetin e atëhershëm, kur Komisioni i Venecias nuk e kishte dhënë akoma Opinionin e saj për 30 qershorin, të cilin e dha kohë më pas, por e dha dhe pas kërkesës së Gjykatës sonë Kushtetuese, duke e “blinduar” opinionin e saj dy herë në favor të 30 qershorit. Atëherë çfarë e pengon Ilir Metën që të dekretojë zgjedhjet e pjesëshme vendore në 7 bashkitë pa kryetar, që janë për hir të vërtetës janë ndër bashkitë kryesore të vendit, pas Tiranës.
Meta “kapet” pas vendimit përfundimtar të Kushtetueses, e cila vijon të zgjasë pa fund dhënien e një vendimi përfundimtar për 30 qershorin, megjithëse nuk ka asnjë kompetencë sipas “Venecias” që të merret me këtë punë fare, pavarësisht ankimimit që ka bërë Voltana Ademi.
Situata e re politike me ngritjen e “Foltores” nga ana e ish kryeministrit Sali Berisha, të cilin Lulzim Basha e përjashtoi nga grupi parlamentar i PD pas shpalljes “non grata’ nga SHBA, e ka zhytur problemin e dekretimit të zgjedhjeve vendore në 7 bashkitë më të mëdha të vendit, në një “cirkuit” të rrezikshëm thjeshtë dhe vetëm për qëllime të mbrapshta politike. Duke i lënë këto bashki me kryetarë të komanduar, apo me mandat të skaduar si në rastin e bashkisë së Shkodrës.
Berisha dhe Meta, në sinkron me mbështetësit e tyre, i kanë mëshuar fort idesë se Lulzim Basha është pengu i Edi Ramës, dhe për më tepër është në një aleancë të fortë me kryeministrin, sidomos që nga marrëveshja e vitit 2017, e cila për ta vijon dhe sot e kësaj dite.
Madje dhe debatin e sherrin Basha-Rama në Kuvend e quajnë “një teatër absurd” që sipas tyre kërkon të fshehë qëllimin e vërtetë, atë të aleancës së fortë mes kreut të opozitës dhe kreut të qeverisë.
Më se njëherë përmes mediave afër Berishës dhe Metës është hedhur ideja se Edi Rama kërkon që t’i japë një fitore të vogël në tavolinë Lulzim Bashës, pas humbjes totale në të gjitha ballafaqimet elektorale në 8 vite që Basha ka qenë në krye të opozitës. Dhe rasti më i mirë për këtë ballafaqim elektoral, sipas tyre, është dita e zgjedhjeve të pjesshme vendore në 7 bashkitë pa kryetar. Pavarësisht se Rama si politikan nuk të fal asgjë në tavolinë, sërish Berisha dhe Meta i tremben faktit se Basha mund të marrë më shumë se gjysmën e këtyre 7 bashkive, dhe në ballafaqim të drejtpërdrejtë, ndaj po ngulmojnë fort që dekretimi i këtyre zgjedhjeve të shtyhet pa fund.
Afati maksimal që duan të kapin me këtë shtyrje të zgjedhjeve është 11 dhjetori, pikërisht data që Sali Berisha me vendimin e tij personal ka vendosur mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të PD për të larguar Lulzim Bashën nga kryetar i kësaj partie, dhe për të marrë vetë drejtimin e partisë më të madhe opozitare. Me Berishën kryetar të PD apo kryetar paralel të kësaj partie, Meta dhe LSI kanë një aleancë të konsoliduar dhe pritet të njehsohen si një opozitë e vetme.
Është e sigurt që deri në këtë datë as Gjykata Kushtetuese nuk do të japë vendimin përfundimtar dhe të zbardhur në ‘dorë’ për zgjedhjet e 30 qershorit, çka nënkupton faktin se Ilir Meta nuk firmos asnjë dekret për datën e zgjedhjeve vendore në këto 7 bashki pa këtë vendim.
Për më tepër që dhe deri më 11 dhjetor, sërish Gjykata Kushtetuese nuk mendohet që të japë një vendim për shkarkimin e Ilir Metës, gjë që mund t’i jepte ‘dorë’ kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla, si Presidente e përkohshme, që të dekretonte menjëherë zgjedhjet e pjesëshme të parakohëshme vendore. Pra deri më 11 dhjetor, nuk do të ketë asnjë lëvizje në këtë drejtim.
Dhe nëse Berisha konfirmohet kryetar i PD më 11 dhjetor të këtij viti, askush të mos e mendojë faktin se Lulzim Basha do të bëjë ndonjë rezistencë në këtë rast sepse Berisha i ka të gatshme metodat “bindëse” për lëshimin e zyrave për hijerakët e rinj të partisë, atëherë mund të zhbllokohet ngërçi 2 vjeçar e të dekretohen zgjedhjet në këto 7 bashki, pikërisht nga vetë Meta.
Po pse bëhen gjithë këto zvarritje dhe kalkulime politike nga Berisha dhe Meta për këto zgjedhje, kur pas dy vitesh do të kemi zgjedhjet e përgjithshme për pushtetin vendor?!
E vërteta e kulluar është se kjo dyshe, e cila është e padëshiruar dhe nga partnerët tanë të mëdhenj ndërkombëtarë, kërkojnë t’i heqin Bashës mundësinë e ballafaqimit elektoral, pasi janë të bindur se do të përfitonte ndonjë fitore në tavolinë nga Rama pavarësisht se në ralitet s’ka asnjë gjasë të falet gjë prej tij, në mënyrë që në këtë përballje me Ramën të hyjnë vetë Berisha dhe Meta në krye të opozitës. Pra me lidership të ndryshuar.
Madje do të mbledhin të gjitha forcat për të marrë maksimumin e mundshëm në zgjedhje, si aleancë mes PD së Berishës dhe LSI-së së Metës, për të treguar se Basha është fajtori kryesor dhe i vetëm i humbjeve të njëpasnjëshme në të gjitha zgjedhjet në 8 vitet e opozitës.
Me këtë rast, zgjedhjet në këto 7 bashki shënojnë jo vetëm një ‘test’ për zgjedhjet e përgjithshme të pushtetit vendor që mbahen pas dy vitesh për ta, por Sali Berisha “certifikon” dhe veten në krye të PD si lideri i duhur për të sjellë opozitën në pushtet, si dhe justifikon tërë “sagën” e sulmeve në nismën e tij për të rrëzuar Bashën, për ta paraqitur në elektorat si vendimin e duhur për “shpëtimin e PD dhe ringritjen e saj nga gremina”. Edhe në rastin e humbjes së këtyre zgjedhjeve, justifikimi është gati: Humbëm për shkak të kohës së paktë në dizpozicion, sabotimit të Bashës dhe si gjithnjë do luhet me anën numerike të votës krahasuar me ato të vitit 2015, si dhe akuzat e përhershme së Rama i manipulon zgjedhjet përmes pushtetit të madh që ka.
Në dukje duket një kalkulim i kopsitur, që mbyll shumë shtigje keqkuptimi në radhët e opozitës dhe të elektoratit, por është një kalkulim i bërë pas marrë parasysh një gjë të “vogël”: kundërveprimin e votuesve shqiptarë.
E themi këtë pasi shqiptarët e kanë treguar në shumicën e rasteve, në tërë historinë e vet, se më shumë shkojnë pas të fortit dhe fituesit. Duke qënë se Berisha është person “non grata” në SHBA ndërsa Meta është futur në “karantinë” nga ana e partnerëve për shkak të sjelljes së tij politike, dhe të dy janë të padëshiruar për shkak të zullumeve që kanë bërë sa herë kanë qënë në pushtet, shqiptarët si populli më proamerikan në Europë, e kanë të vështirë ta “gëlltisin” këtë kalkulim politik.
Gjithsesi, Berisha e Meta po përpiqen, ndonëse finalja mund të ketë një rezultat aspak të dëshirueshëm për ta. Kalkulimi është hedhur tashmë në terrenin politik, se sa do të ngjisë, do ta tregojë vota e shqiptarëve. Pasi janë 7 bashki që presin të zgjedhin kryetarin. Kushdo qoftë!