Skenaristët e Nju Jorkut në grevë, ndërpriten emisionet e mbrëmjes

4 Maj 2023, 16:57| Përditesimi: 4 Maj 2023, 16:59

  • Share

Anëtarët e sindikatës “Shoqëria e Skenaristëve në lindje të Amerikës” një sindikatë që përfaqëson skenaristët e filmave dhe shfaqjeve televizive në Nju Jork, ndodhen në grevë, me kërkesën për ngritjen e mirëqenies së tyre në punë. Kjo është dita e tretë e grevës së skenaristëve, një veprim që ngadalësoi gjithë industrinë dhe detyroi shumë shfaqje televizive të ndërpresin prodhimin.

Krahas kërkesave të tjera, sindikata po kërkon rritjen e pagës minimale për skenaristët dhe shtimin e numrit të atyre, që shkruajnë skenarin e një filmi apo shfaqjeje televizive. Skenaristët thonë se në të kaluarën këto kushte janë respektuar. Por ata ankohen se epoka dixhitale, ka ndryshuar trajtimin e tyre.

“Po jetojmë në një ekonomi me kontrata afatshkurtëra. Një kontratë, me të cilën dikur mund të jetoje, tani është një nga katër angazhimet tuaja në një vit. Nuk është punë e qëndrueshme në të cilën mund të mbështetesh. Kjo nuk është mënyra e duhur për të jetuar, për të krijuar siguri financiare. Dikur skenaristët kishin siguri financare, por jo më. Ne po përpiqemi ta kthejmë atë”, thotë CA Johnson, skenariste.

“Skenaristët duhet të paguhen ashtu siç e meritojnë dhe ne nuk duhet të zëvendësohemi me teknologjinë. Sado e përparuar, teknologjia nuk mund të jetë më e mirë sesa një qenie njerëzore”, thotë skenaristi Alex English.

“Skenaristët janë njerëzit e mi të preferuar. Ata që janë me ne dhe ata që nuk jetojnë më. Suksesi im si aktore është për shkak të tyre. 80 për qind e asaj që unë dua në kulturën tonë vjen prej tyre”, thotë aktorja Cynthia Nixon.

Në grevën e fundit të së njëjtës sindikatë, më 2007 dhe 2008, u deshën tre muaj për ta tejkaluar ngërçin. Ende nuk ka ndonjë plan për bisedime midis sindikatës dhe aleancës së prodhuesve të filmit dhe televizionit, e cila përfaqëson studiot dhe kompanitë prodhuese.

“E kuptoj se tani ka shumë më shumë prodhime televizive. Dikur numri i skenaristëve ishte më i vogël. Por tani nuk po investohet në zhvillimin e tyre. Në kohët e vjetra zanatin e mësoje nga skenaristët më me përvojë. Tani ata duan ta eliminojnë këtë. Po dëmtojnë të tjerët dhe veten”, thotë Michael Winship, kryetar i sindikatës “Shoqëria e Skenaristëve në Lindje të Amerikës”.

Të gjitha emisionet e natës u ndërprenë. Monologjet dhe shakatë e drejtuesve të këtyre emisioneve përgatiten nga skenaristët. “The Tonight Show” i rrjetit NBC, “Daily Show” nga Comedy Central, “Jimmy Kimmel Live” i rrjetit ABC”, “The Late Show” nga CBS dhe “Late Night” i NBC-së, planifikonin të transmetonin këtë javë. “Saaturday Night Live” e rrjetit NBC, të shtunën, në vend të episodit të ri do të ritransmetojë një episod të vjetër, ndërsa dy episodet e ngelura të sezonit mund të mos realizohen fare.

Ndikimi i grevës në seriale dhe filma nuk do të vërehet menjëherë, megjithëse disa projekte, si “Yellowjackets” e kompanisë “Showtime”, ndërprenë prodhimin e sezoneve të ardhshme. Nëse greva vazhdon gjatë verës, oraret televizive të vjeshtës mund të ndryshojnë. Ndërkohë, prodhimet me skenarë të përfunduar mund të vazhdojnë xhirimet./VOA

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?