Skënder Gjinushi

Skënder Gjinushi i vetmi kandidat për kryetar në Akademinë e Shkencave

17 Maj 2019, 08:05| Përditesimi: 17 Maj 2019, 18:58

  • Share

Dy vjet pas vendimit të kryeministrit Edi Rama për reformimin e Akademisë së Shkencave, duket se vetëm një kandidaturë ka pasur kurajën të marrë përsipër drejtimin e këtij institucioni. Sipas burimeve nga institucioni, mësojmë se kandidati i vetëm për kryetar është akademiku Skënder Gjinushi, i cili ka drejtuar edhe grupin e punës për reformimin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Akademia e Shkencave të Shqipërisë njofton përmes një deklarate zyrtare të datës 15 maj, se më 24 maj do të mbahen zgjedhjet e reja për drejtuesit e këtij institucioni. Me këtë rast do të mbahet edhe mbledhja e Asamblesë, që do të nisë në orën 10.00 të paradites.

“Njoftim

Për mbajtjen e mbledhjes zgjedhore të Akademisë së Shkencave, datë 24 maj 2019, ora 10.00, në sallën “Aleks BUDA”, - shkruhet në letrën zyrtare të drejtuar Asamblesë dhe për dijeni të Ministrisë së Arsimit, Sportit e Rinisë, Tiranë, të firmosur nga sekretari Shkencor i Akademisë, Vasil Tole.

Sipas këtij njoftimi, mbledhja zgjedhore e 24 majit do të mbahet me këtë rend dite:  

“Paraqitje e kandidaturave dhe platformave të tyre.

Procesi i votimit dhe shpallja e rezultateve të votimit.

Miratimi i raportit vjetor 2018”.

Ndërkohë Akademia e Shkencave ka deklaruar edhe listën e kandidatëve si më poshtë:

1. Akademik Skënder Gjinushi për pozicionin e Kryetarit të ASH-së

2. Akademik Vasil S. Tole për pozicionin e Sekretarit Shkencor të ASH-së

3. Akademik Salvator Bushati për pozicionin e Zv.kryetarit të ASH-së

4. Akademik Neki Frashëri për pozicionin e Kryetarit të Seksionit të SHNT-së.

Vasil Tole, Skënder Gjinushi, Salvator Bushati dhe Neki Frashëri

Edhe pse përgjatë dy vjetëve debatet për reformimin janë përqendruar edhe në faktin e kandidimit të një anëtari të vetëm në kryesinë e Akademisë, as në zgjedhjet e reja nuk ka pasur kandidatura. Akademia e shkencave prej 20 vjetësh është drejtuar  nga dy emra, nga akademikët Myzafer Korkuti dhe Gudar Beqiraj, të cilët gjatë këtij harku kohor kanë kryer vetëm rrotacionin përgjatë mandateve nga kryetari në nënkryetar.

I pyetur për çështjen e kandidimeve të vetme, siç shihet edhe në deklaratën zyrtare, sekretari i kësaj akademie Vasil Tole theksoi se “thirrja për kandidimin për akademikët ka qëndruar e hapur një muaj nga 10 prilli, deri më 10 maj 2019”. Ndërkohë mësojmë se anëtarët e Asamblesë janë vënë në dijeni për kandidaturat e vetme dhe shprehen se “votimi i tyre do të behet në bazë të bindshmërisë së platformës që kanë paraqitur”.   Zyrtarisht është deklaruar se në zgjedhjen e organeve drejtuese, në projektligjin e ri është reflektuar edhe për moshën e një anëtari të kryesisë. Mandati i tij do të zgjasë deri në moshën 75-vjeçare. Përcaktimi i qartë i programit, shpenzimi i detajuar i buxhetit dhe zhvillimi një herë në vit i një dialogu Qeveri-Akademia e Shkencave, janë disa nga të rejat që sjellë ky projektligj, i cili ka hyrë në fuqi më maj të vitit të kaluar, pas publikimit në fletoren zyrtare më 11.06.2018,  firmosur nga kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi.

Njoftimi i Akademisë së Shkencave për zgjedhjet

 Historia: Si nisi reformimi i Akademisë së Shkencave

Në shtator të 2017-s nisën një radhë kritikash dhe replika të akademikëve që pati si pikënisje zgjedhjen rotative, prej 20 vjetësh, të kryetarit e nënkryetarit të Akademisë së Shkencave, përkatësisht të Myzafer Korkutit e Gudar Beqiraj. Në këtë kohë, Akademia e Shkencave të Shqipërisë u vu përballë alternativës së reformimit. Në krye të këtyre debateve për reformën ka qenë akademiku Artan Fuga; që i dërgoi kryeministrit Rama një letër të hapur publike duke i përshkruar gjendjen e degraduar të Akademisë së Shkencave.  Zgjedhjet u bënë pas votimit të Asamblesë së Akademisë së Shkencave më 4 shtator 2017, për dy postet e rëndësishme atë të kryetarit dhe nënkryetarit. Por, nga thirrja e hapur për kandidatët, vetëm kryetari aktual dhe nënkryetari aplikuan për këto poste. Më konkretisht: për postin e nënkryetarit kandidoi kryetari në detyrë i Akademisë Myzafer Korkuti, dhe nënkryetari aktual Gudar Beqiraj zgjodhi të kandidonte për postin e kryetarit të Akademisë së Shkencave.

Pas këtyre zgjedhjeve, Akademia e Shkencave u përfshi në një debat të ndezur me qeverinë, dhe nuk vonoi përfshirja e vet kryeministrit Edi Rama që deklaroi “zero lekë në buxhetin e 2018-s për Akademinë e Shkencave”, nëse nuk do të reformohej. Pas këtyre debateve, kryetari i sapozgjedhur dhe nënkryetari dhanë dorëheqjen për t’i hapur rrugën refomimit. Vetë Asambleja e Akademisë caktoi grupin reformues të drejtuar nga akademiku Skënder Gjinushi. Në nëntor të 2017-s, Kryeministri Edi Rama, në një takim që pati me grupin reformator të Asamblesë së Akademisë së Shkencave, ka deklaruar se “dikur kjo akademi u krijua si xhevahiri më rrezatues i kurorës shqiptare, ndërsa sot është burim pezmatimi permanent.” Kryeministri nuk nguroi ta deklaronte këtë institucion si “kufoma e vetvetes, e cila nuk përfaqëson as vizionin e etërve themelues”, e shumë të tjera. Rama ka insistuar në domosdoshmërinë e reformimit të Akademisë gjatë kësaj periudhe, në pritje të një platforme të plotë, që gjatë rrugës ka pasur replika dhe debate, edhe pas çuarjes së këtij ligji në qeveri dhe aprovimit të tij.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Mjaft Me!: 17/05/2019 22:53

    Ore po paskeni qene qeniet me te paturpshme qe ka mbajtur ndonjehere kjo toke e shkrete. Po akoma me broçkullat e gjoja 'akademi te shqencave' qe as ka ekzistuar e aq me teper as qe ekziston vertete ndonjehere ne arnaudistan. Ajo ishte nje marifet e manipulim qe sistemi i vjeter ndertoi (me porosi te ruseve), per ti dhene nje fasade te jashtme e nje boje zmalto gjoja shtetit shqiptar qe ishte komplet i rrenuar e i copetuar e i mbaruar. 500 vjet nen çallmat i dogendisur sa me ska duheshin bere shume perpjekje shume, shume per ta rimekembur sado pak te shkreten Arberi... E keshtu na u krijua kjo gjoja 'akrademi' qe ishte vetem e vetem politike. Po tani ato kohe ka kaluar e jemi ne 'ekonomine e tregut' qe megjithese 1001 tmerreve, prap ka edhe ajo ndonje te mire si p.sh. eliminon ato njerez e poste e organizma artificiale qe s'japin gje e vetem konsumojne (edhe tani eliminohen vetem kur si sherbejne politikes, se kur i duhen asaj ata po vete i krijojne e su dhimset fare qe te hapin qesen). Atehere po mendojme se kjo 'akrademia' nuk i duhet me njeriu as per politike e as per ndonje gje tjeter, atehere PERSE DUHET MBAJTUR?!!!! Edhe femite e kopshteve e dine tashme se ata pleq nuk bejne as me te voglen gje e jo me te merren me gjoja shkence. Ata ne fakt kane me shume se nje gjysme shekulli qe vetem vjedhin shtetin duke marre rroga e honorare e duke shpenzuar meteriale e pajisje qe vetem shkojne kot. Ata ne fakt po te kishte sado pak drejtesi e moral DUHET te futen ne burg (duhesh te futeshin me kohe) per abuzim e vjedhje te pasurise se shtetit e popullit ne permasa te medha e per nje kohe te gjate. Edhe ata e dine mire kete, po si vemje te gjalla qe jane mundohen ta zgjasin pa fund kete tragjedi-komedi ala shqiptare. Me e shumta qe bejne e kane bere eshte te kopjojne libra e broshura te te tjereve ne bote e te bejne vetem plagjiature. MJAFT ME! Keto DUHEN te zhduken!

    Përgjigju
  • justice: 17/05/2019 13:23

    Kandidat i diktuar nga politika ...

    Përgjigju
  • Kafsha: 17/05/2019 13:22

    Mjaft më me shokët Skënderëra, mjaft!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?