“Ajo që thoni ju s’ka asnjë lidhje me përkrahjen për qeverinë. Ka qenë një datë e vendosur shumë muaj më parë. Eshtë krejt gjë tjetër”.
Kjo qe përgjigja që Sali Berisha i dha një gazetari televiziv gjatë fushatës, kur ai e pyeti për Samitin e Komunitetit Politik Evropian që do të zhvillohej në Tiranë pak ditë pas zgjedhjeve të 11 majit. Në atë rast, por edhe në të tjera rrethana, Berisha përpiqej rregullisht ta minimizonte rëndësinë e atij aktiviteti edhe pse në mes të Tiranës kish nisur të marrë formë ngrehina e përkohshme ku do të mbahej Samiti.
Ishte preludi i atij takimi i cili do të sillte një breshëri urimesh në adresë të Edi Ramës për “fitoren në zgjedhje”. Megjithëse kutitë ishin ende duke u numëruar dhe tradita shumëvjeçare e zgjedhjeve shqiptare këshillonte kujdes në deklarata dhe urime. Ato vinin si rregull pasi Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve të zbardhte zyrtarisht rezultatin final.
47 krerë shtetesh e qeverish të Evropës nuk mjaftuan që Sali Berisha të mos i hynte detit në këmbë për të bindur shqiptarët se fitorja e Ramës qe në fakt një humbje dhe se ai ishte më i izoluar se kurrë nga ndërkombëtarët pasi kishte vjedhur zgjedhjet. Gjithçka e kthyer kokëposhtë, gjithçka e parë në të kundërtën e saj. Është një axhendë politike që shpërfill realitetin, duke ndërtuar një të tillë enkas për vete.
Këtë po shohim edhe në këtë muaj të parë pas zgjedhjeve parlamentare, kur fitorja e qeverisë dhe humbja e opozitës janë të dyja të përmasave madhështore. Siç e thoshte edhe slogani elektoral i Partisë Demokratike. Më e para lojë pasqyrash që lidhet me zgjedhjet u luajt me urimin e munguar, e më pas të anatemuar të qeverisë amerikane. Pasi Berisha e pati të vështirë ta konsiderojë turravrapin e hareshëm të Von Der Leyen mes shiut në krahët e Edi Ramës, si një shuplakë të Brukselit për Tiranën, ai u hodh matanë Atlantikut. “Pse s’po vjen urim nga amerikanët”? “Ta shihni që do t’i hedhin poshtë zgjedhjet, Rama i ka ditët e numëruara”!
Loja e heshtjes me Amerikën i dha hov edhe një herë më tepër teorive të komplotit për gjithfarë urdhërash e mesazhesh sekrete që Trump i paskesh dërguar Edi Ramës, ndërkohë që sipas të njëjtave teori Altin Dumani bënte gati prangat për kryeministrin me dosjen e Mcgonigalit në dorë. E gjitha sipas parimit shvejkian “e ç’më duhet mua se çfarë them unë”?!
E njëjta axhendë propogande prej shurdhi e cila shpërfill çdo lidhje me të vërtetën dhe realitetin ka pushtuar edhe temat e tjera të aktualitetit politik. Hapen kapitujt e negociatave me Bashkimin Evropian, e menjëhershme vjen replika: mirë që u hapën, po shihni kur do të mbyllen! Deklarojnë zyrtarët më të lartë të BE, përfshirë komisioneren e zgjerimit Marta Kos se Shqipëria mund të aderojë në Union brenda vitit 2030, sërish opozita vijon me të vetën: Rama na ka izoluar si askush më parë me miqtë e partnerët!
Për të disatën herë gjatë ditëve të fundit Berisha po pretendon se ministri i jashtëm Igli Hasani ka kërcënuar misionin vëzhgues të OSBE-ODIHR me qëllim që ata të ndryshojnë qëndrim në përpilimin e raportit final të zgjedhjeve të 11 majit. Çka e detyroi misionin në fjalë të deklarojë zyrtarisht për median shqiptare se “nuk ka pasur asnjë kërcënim apo frikësim ndaj misionit tonë të vëzhgimit të zgjedhjeve në asnjë moment gjatë qëndrimit të tij, as para dhe as pas publikimit të deklaratës paraprake me gjetjet dhe përfundimet”.
E megjithatë, sado i qartë e pa ekuivok të jetë ky paragraf, sërish nuk ka ndonjë garanci se Berisha nuk do e përsërisë historinë e ministrit të jashtëm me misionin sipas versionit të tij. E ka fajin axhenda e shurdhit!
Është po kjo axhendë që prodhoi fantazmën e trenit bullgar apo të 130 mijë votave të munguara, që vijojnë të mbeten akuza pa prova. Apo edhe më keq, të provuara si të pavërteta. Axhenda e shurdhit bën të dalin në plan të dytë e të mos përmenden devijimet e votave brenda listës së opozitës, kalimet e votave nga një kandidat tek tjetri, shoqeruar me akuza publike mes emrave të njohur të Partisë Demokratike.
Nevoja urgjente për një fabul justifikuese për humbjen e thellë krijon prioritete të cilat nuk kanë lidhje me realitetin, por me interesin partiak. Në vitrinë është ulur këmbëkryq axhenda e shurdhit. Jo e atij që nuk dëgjon, por shumw më keq se kaq. Axhenda e atij që dëgjon, sheh dhe kupton, por bën sikur nuk disponon asnjërën nga këto aftësi. Dhe ky është invaliditeti më i keq sepse të çon rregullisht t’i biesh murit me kokë. /Java News/
Komente
