Sali Berisha dhe Lulzim Basha

Skënder Minxhozi: Disa të vërteta të vonuara (prapa derës së blinduar)

6 Janar 2022, 20:31| Përditesimi: 6 Janar 2022, 20:33

  • Share

Janë dashur 16 vjet, që nga dita kur hyri në politikë, që Lulzim Basha të fillojë të artikulojë disa të vërteta të vjetra e të reja për Sali Berishën. Disa prej këtyre të vërtetave, që i korrespondojnë akteve të rënda me të vrarë, të mashtruar e të lënë në mes të katër rrugëve, kanë marrë formë teksa vetë Basha ishte në poltronin e pasagjerit të “shoferit” Berisha. Ka qenë në rreshtin e parë të “shout” por s’ka parë gjë. Të paktën deri më sot, kur pasi ka mbyllur dyer e dritare të selisë së PD, është ulur dhe ka marrë penën për të anatemuar shefin e vjetër për fajdet, kontrabandën e naftës me Millosheviçin, 21 janarin (!!!!) dhe Gërdecin.

Shumë vonë Lulzim, jashtë mase vonë! Megjithatë më mirë sot, sesa kurrë.

Vlen kjo edhe në krahun e kundërt, aty ku Sali Berisha ka marrë laps e letër dhe po stilon imazhin më negativ të imagjinueshëm për ish-nxënësin e tij tashmë të kyçur në atë që dikur ishte zyra e tij e punës. “Toyota Yaris”, hetimet në SHBA për çeshtjen Muzin, humbjet elektorale, aferat e kunatit të Bashës – gjithçka duket se ka dalë nga Kutia e Pandorës, këto orë që Berisha dhe përkrahësit e tij po zbulojnë një tjetër profil të kryetarit të PD, nga ai që në heshtje kishin pranuar deri para katër muajsh.

Shumë vonë Doktor, jashtë mase vonë! Partia u nda, dëmi u bë.

Taboret e Sali Berishës po testojnë këto orë pikat e dobëta të ndërtesës së Partisë Demokratike, si në ato filmat me beteja mesjetare ku kështjellat e rrethuara mësyheshin nga mijëra luftëtarë me shpata e parzmore. Brenda ndërtesës Lulzim Basha përpiqet të luajë teatër me një paqe të sforcuar që mundohet t’i japë daljeve të veta apo të zyrtarëve të tjerë të PD.

Kjo qetësi para furtunës së 8 janarit ngjan edhe më groteske dhe false, kur dëgjon dhe lexon atë çfarë palët thonë për njëra-tjetrën. Një ndasi e thellë, një urrejtje pa kthim, një pezm që nuk ka më shërim. Mbi të gjitha, një denigrim publik dypalësh, në një luftë me lumenj balte që bëjnë pis gjithkënd që gjendet aty.

Që Sali Berishës t’i jenë dashur plot 38 muaj që nxjerrë publikisht vrerin dhe akuzat për Toyota Yaris ndaj Bashës, kjo është diçka që e bën me turp personin që për 30 vjet na ka thënë se është burrë dhe se thotë kurdoherë të vërtetën. Që Lulzim Bashës t’i jenë dashur plot 10 vjet që të tregojë me gisht shefin e tij për 21 janarin, edhe kjo është një akuzë që vetëm sa e bën edhe më pis autorin e saj.

Sepse Basha dhe Berisha s’kanë qenë bashkë vetëm në 21 janar, kur i vunë emrin “grusht shteti” masakrës që kryen, kanë qenë bashkë në çdo episod tragjik ku ka shkelur bashkëqeverisja e tyre. Edhe kur shpërtheu Gërdeci, edhe kur u ndërtua Rruga e Kombit me dosjen sa një mal në prokurori.

E kanë kot që shajnë e mallkojnë sot njëri-tjetrin, duke përdorur akuza të cilat po vetë i kanë hedhur poshtë me dhjetra herë. Duke sharë rivalin, si Basha, si Berisha, po mallkojnë në fakt trashëgiminë e përbashkët politike. Është shumë vonë që të besojmë sot, në vitin 2021, që në 21 janar ka pasur faj vetëm Berisha, ndërkohë që Basha ishte ministër i brendshëm. Është shumë vonë që të besojmë sot se Lulzim Basha i ka humbur i vetëm të gjitha zgjedhjet pas vitit 2013, ndërkohë që Berisha “ndodhej në Argjentinë” dhe u njoftua vetëm para katër muajsh!

Alibia që dy personazhet në fjalë po ndëtojnë për veten, duke anatemuar tjetrin dhe hequr fajin nga vetja, është një konkurs përbaltjeje, stërkalat e të cilit nuk kursejnë asnjerin prej tyre. Zoti Basha dhe zoti Berisha: Jeni shumë vonë që të besojmë se na keni qeverisur duke e ndarë fajin dhe përgjegjësitë për të cilat flisni nga mëngjesi në darkë, me kandar farmacie. Keni qenë në një varkë dhe Amerika ju nxorri prej saj me dhunë. Kjo është e vëtmja e vërtetë e kësaj historie të shëmtuar.

J.GJ./ReportTv.al
Komento

Komente

  • LORA: 06/01/2022 22:36

    Ndersa shumica e shqiptarve presin dhe aspirojne vetem drejtesi dhe ndeshkim te pameshirshem per krethemelsit transparente te shtetit te shqiptarve te pas-nentedhjetes,,,,zoti Minxhozi ka ende kohe te merret me "turpin" e berjes pis ne kampin e babaleve te vet-djegun. SPAK,,BKH,,a jeni gjalle,a jeni ne pune?!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?