Sali Berisha

Opinion

Skënder Minxhozi: Frika opozitare nga zgjedhjet nuk ka shkak Ramën

26 Shtator, 21:27| Përditesimi: 26 Shtator, 22:39

  • Share

Lëvizja “Bashkë”, e cila mori në zgjedhjet e 11 majit në Tiranë 13300 nga 67 mijë votat që siguruan partitë e reja, njoftoi sot se është e gatshme të bashkëpunojë me PD për zgjedhjet për kryetarin e bashkisë së kryeqytetit. Por ka një kusht. Në fakt të vetmin kusht që kanë patur rregullisht ata që duan freskimin real të opozitës së tërhequr prej hunde nga nostalgjia e së shkuarës dhe kokëfortësia e lidershipit: largimin e Sali Berishës nga kreu i PD!

Qëndrimi i Arlind Qorit ndaj Berishës është i ditur, edhe pse ai etiketohet si majtist esktrem, marksist etj. I ngjashëm me këtë qëndrim ka qenë fjala vjen edhe pozicioni i Endri Shabanit ndaj kryetarit historik të opozitës, por edhe qëndrimet publike të Agron Shehajt e Adriatik Lapajt, të cilët janë shprehur se rotacioni i elitës politike duhet të jetë real dhe pa përjashtime emrash. Berisha është marrë gjatë me anatemimin e Shehajt kur iku nga partia, ndërkohë që ithtarët pranë Doktorit kanë inskenuar skena të vërteta kacafytjeje me të në podiumin e Kuvendit. Në të njëjtat dilema noton edhe Dashamir Shehi, i cili prej kohësh është distancuar nga trashëgimia e Sali Berishës.

Debati shumëvjeçar brenda opozitës nëse Berisha është një aset elektoral apo një pengesë madhore drejt pushtetit ka nxjerrë fitimtarë përkrahësit e hipotezës së parë. Ka fituar lumi imediat i vitave të besnikëve që Doktori sjell sa herë që ka zgjedhje, paçka se ky lum është rregullisht i pamjaftueshëm për të rrëzuar digën socialiste e cila prej vitesh e sheh Berishën si një aleat të fshehtë në kohë fushata. Qëndrimi i Berishës majë kalit të PD po i jep edhe këto orë fushatës së zgjedhjeve të ardhshme në Tiranë një përmasë opake, të zbehtë dhe përtace si dhe vetë opozita që Berisha ka ndërtuar. Teksa nuk u brengosën për 50 mandatet në 11 maj, demokratët nuk duket se e kanë shumë problem të humbin edhe nje herë Tiranën dhe pesë bashkitë e tjera. Fundja socialistët i kishin edhe deri më sot…

Kjo klimë mosbesimi për të arritur një fitore të madhe zgjedhore është kthyer në stereotipin politik bazë të PD kur vjen vjen fjala tek raporti me pushtetin. Hija e Berishës mbi zgjedhjet bashkë me efektin negativ të saj, pluskon në mendjet dhe llogaritë që bëjnë sot krerët e të gjithë opozitës shqiptare. Mbi të gjitha kjo situatë po peshohet me kujdes në Tiranë, aty ku shifrat janë më të balancuara se nëpër bashkitë e vogla dhe ku koordinimi i opozitës është një faktor i dorës së parë për të shpresuar në rezultat pozitiv përballë Ogerta Manastirliut. 67 mijë vota në peshoren elektorale të bashkisë së kryeqytetit janë një shifër aspak indiferente edhe për një parti si PD e cila e ka qeverisur jo pak vite Tiranën në të shkuarën. Megjithatë flasim në parim, pasi në realitetin e ashpër të zgjedhjeve duhet shumë më tepër se kaq!

Ajo që vihet re këto orë brenda gardhit të “Shqupit” është nga njëra anë një pasivitet thuajse i plotë për t’i dhënë shkëndijën garës zgjedhore (siç ka bërë tashmë kundërshtari), e nga ana tjetër vijnë njëra pas tjetrës refuzimet e atyre që mund të kishin një shans përballë socialistëve.

Tabaku, Alimehmeti e ndonjë tjetër, të cilët në 11 maj dolën me një thes personal votash, po bëjnë ç’të munden këto orë që të evitojnë një garë anemike dhe gjysëm të braktisur nga krerët e partisë. E kuptojnë se nisen të humbur ende pa rënë gongu i fushatës.

Edhe entusiazmi “në letër” i Belind Këlliçit, i cili sot kujtonte se po të mbledhësh të gjithë votën opozitare në Tiranë bëhen dikur tek 52% përqind e votuesve, është një notë e zbehtë motivimi që nuk bind as autorin e deklaratës. Sidomos kur flitet për politikanin që mori vetëm 34.6% të votave përballë Veliajt në zgjedhjet bashkiake të 2023!

Një opozitë që prej 12 vitesh gati lutet që të mos ketë zgjedhje, që afatet elektorale të shtyhen dhe që kutitë e votimit të evitohen, është de facto një opozitë që është mësuar me pozicionin e pakicës politike në vend. Ka harruar reflekset e pushtetit, ka bjerrur madhështinë e dikurshme të qeverisjeve të vendit dhe të rezultateve që ato prodhonin (për mirë e për keq), duke ja lënë në prehër Ramës pushtetin për të gjithë kohën që ai do të dëshërojë ta mbajë skeptrin e fitimtarit.

Shkurt, kemi një opozitë që po nis të mjaftohet me një mandat të përjetshëm opozitarizmi, duke i hequr përfundimisht sytë nga karrigia e pushtetit. Këtu qëndron thelbi i frikës së opozitës nga zgjedhjet e radhës. Dhe pastaj habitemi për Silvën e radhës që kalon gardhin opozitar dhe hidhet në zyrat e shtetit…/JavaNews

K.M/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria e shkarkoi, a duhet Erion Veliaj ta ankimojë në Kushtetuese?