Sali Berisha ka një huq të vjetër që ja njeh i madh e i vogël. Në çdo ambjent, situatë apo komunikim me një të tretët ai flet dhe sillet si në një miting. Ngre zërin, të drejton gishtin tregues dhe të siguron orë e çast se ajo që po thotë është e vetmja e vërtetë e mundshme. Ky është një ndër tiparet që i kanë siguruar Sali Berishës një karrierë të lavdishme dhe të palëkundur politike. E kanë parë vazhdimisht si kartën fituese, si prodhuesin e frymës fitimtare, si liderin e paepur dhe si gurin vendimtar në lojë. Njeriu i situatave edhe kur ato ishin dramatike.
Kjo është në fakt sot, 34 vite pasi Berisha mori në dorë Partinë Demokratike, rrethana fatale dhe primare që e ka lënë në “kënetë”, siç e quan Edi Rama, vetë Partinë Demokratike e bashkë me të edhe panelin opozitar në tërësi. Pra, riciklimi i ndjesisë së vjetër e cila sugjeron se mjafton që të kesh Berishën në zyrën e kryetarit dhe i ke të sigurta zgjedhjet dhe atë që ndodh mes tyre. Opozita humbi rëndë dhe tragjikisht më së pari sepse bëri një zgjedhje që bazohej në nostalgjinë për Doktorin, e jo në logjikë të ftohtë, në besnikëri naive e jo në arsye objektive, në iluzionin e fitores së premtuar e jo në realitetin cinik të humbjes së mundshme.
Iluzioni i fitores është artifici që çoi PD drejt humbjes së thellë. Ai iluzion që ofron Sali Berisha, si politikani me një karrierë të mbushur plot në të shkuarën, por bosh në të tashmen. Ëndrra në beze thonë shkodranët në këto raste – ky është Sali Berisha që bridhte nëpër Shqipëri gjatë kësaj fushate duke kujtuar se gjërat ishin si në vitet 2005 apo 2009, duke refuzuar të “shohë vitet dhe shëndetin”, siç e këshillonte ai tregtari krutan me nënqeshje ironike.
Sali Berisha i ushqeu me lugë boshe ithtarët dhe votuesit e tij, pasi i shiste gjithë ditën amerikanët e blerë me para për t’i hequr statusin non grata, si dallëndyshet e Donald Trump, të dërguara nga vetë ai, për të rrëzuar Edi Ramën. Doktori e pati të lehtë që të ndërtojë përballë ngrehinës prej letre të Lulzim Bashës, një kështjellë iluzive rikthimi dhe fitoreje që ishte e tillë edhe përballë Edi Ramës. Gabim fatal, jo vetëm sepse Rama nuk është Basha, por sepse edhe vetë Berisha nuk është më ai që ishte një herë e një kohë.
Operacioni “nostalgjia” rezulton sot si shkaku themeltar për rrëzimin e zhurmshëm të PD në zgjedhje. Ata që besuan apo bënë sikur besuan se rikthimi i Berishës ishte i mjaftueshëm për të rrëzuar qeverinë në zgjedhje, sot përballen me realitetin therës të një opozite që humbi një dyzinë mandate krahasuar me 2021, duke e bërë të duket i bukur dhe tërheqës edhe një imazh gjysëm qesharak si ai i Lulzim Bashës! Berisha i premtoi popullit opozitar një grusht florinjsh dhe kur hapi dorën u pa se ofronte një grusht me miza.
Është thënë deri në mërzi këto vite, se ajo që po ndodhte në PD ishte antihistorike. Tetë janari i vitit 2022 që sot shumë shqiptarë të thjeshtë e kanë harruar, ishte triumfi i dumbabizmit në një parti e cila u drejtua keq prej një “avatari” të Sali Berishës për tetë vjet rresht. Ajo kacafytje për muret dhe bedenat e selisë së PD ishte preludi i rrënimit gradual ku do të hynte partia në javët dhe muajt në vijim. Një rrënim të cilin e shohim sot tek nebuloza e siglave partiake të dala nga barku i PD, apo edhe tek përqindjet jo të vogla që po marrin partitë e reja nga votat e mbetura jetime pas rëniës së opozitës zyrtare.
Rënia e Bashës dhe turravrapi i ethshëm i partisë drejt nostalgjisë për Berishën, i dha një sens totalisht antihistorik dhe antilogjik ecurisë së procesit për gjetjen e një kryetari të ri në partinë më të madhe të opozitës dhe përgjithësisht për refreskimin e saj. Ndërsa në PS figura e Fatos Nanos, kundërpalës historike të Berishës gjatë tranzicionit, ishte zbehur e harruar, PD rikthente shefin e vjetër në krye të punëve njëzet vjet më vonë, pa e pyetur aspak veten nëse ky veprim po sillte diçka më të mirë se hipoteka e zbehtë e Bashës.
Me rezultate në dorë ne dimë sot se PD ra me dorën e Sali Berishës në një hon të tillë përfaqësimi, sa epoka e Lulit po duket e ndritshme edhe pse s’qe aspak e tillë. Sot opozita nuk është më një forcë politike pushteti, por një grup i vogël besnikësh të kryetarit të plakur. E keqja është se këtë fund e ka përgatitur me cinizëm të heshtur dhe të zhveshur nga çdo ndjesi vetë kryetari i partisë. Për të cilin projekti personal i rehabilitimit në SHBA dhe mbrojtjes nga drejtësia, janë të vetmet komponente që kanë vlerë. Të tjerat, ku hyjnë edhe marrja e pushtetit e rotacioni politik, janë vetëm fasada e ngjyer me bojë blu.
Berisha deklaroi zyrtarisht se nuk do t’i njohë zgjedhjet. Po përpiqet të gjejë trukime dhe shkelje kudo, madje edhe tek votat e Agron Shehajt apo tek zyra “klandestine” e Erion Braçes. Po kërkon gjithashtu të thërrasë popullin e pakësuar opozitar “nën armë”, për të protestuar ditën që krerët e Evropës do të jenë në Tiranë.
Fund më dëshpërues s’ka: Edi Rama në mes të sheshit Skëndërbej me Macron e Starmer, Berisha në rrugë me të vetët pas zinxhirëve të policisë disa kilometra më tutje. E dyta herë që organizon protestë teksa liderët evropianë vizitojnë Tiranën, por me një ndryshim: atëhere merrte një goditje nga një i çekuilibruar por kishte shumë më tepër vota e mbështetje se tani. Kishte në krah edhe Ilir Metën që sot s’e ka më.
Komente
