Ka një kolonë të tretë në tabelat që sondazhet e ndryshme paraelektorale tregojnë në mediat kryesore, rreth preferencës së votës të shqiptarëve në 11 maj. Është hapësira që po nisin të okupojnë ato që shihen si “partitë e reja”. Katër lëvizje politike, të grupuara në tre subjekte elektorale po marrin nga 10 deri në 15 përqind të preferencës së votës në sondazhet më të fundit.
Në pamje të parë është ky elementi dallues, e reja e këtyre zgjedhjeve. Por në fakt pas kësaj perdeje shpresëdhënëse qëndron një e vërtetë tjetër nga ajo që mundohen të shesin entuziastët e ndryshimit.
Po asistojme de facto në aktin e parë të shembjes së partitokracisë 34 vjeçare. Kjo është risia e këtyre zgjedhjeve. Një rrënim që nuk po vjen i zhurmshëm dhe as me furtunë e stuhi. Aq më pak me alternativa që mbushin sheshet dhe trondisin nga themelet sistemin politik. Është një rënie brenda e çatisë, më shumë sesa shpërthim spektakolar i ngrehinës. Po vjen gradualisht në formën e venitjes pa kthim të një numri siglash historike dhe bjerrjes së besimit e mërzisë së publikut ndaj një elite që e ka bërë kohën e saj. Kjo dekadecë po vjen gjithashtu edhe përmes avancimit të ngadalshëm por të pandërprerë të hetimeve e dënimeve që po jepen ndaj zyrtarëve shtetërorë e partiakë të të gjitha niveleve. Është një proces që ka prekur deri tani vetëm një anë të panelit politik tradicional, atë të opozitës zyrtare PD-PL dhe aleatët e tyre më të vegjël.
Mbi këtë mall të mbetur pa zot po përpiqen të ndërtojnë suksesin e tyre të deritanishëm, edhe ky për t’u verifikuar në 11 maj, Lapaj, Shabani, Shehaj e Qori. Një dekadë e ca më parë Bamir Topi dhe Kreshnik Spahiu hynin në fushën e lojës pikërisht për të thyer monopolin trepartiak të mësipërm. Nuk ja dolën, ashtu siç nuk ja kishin dalë qysh në fillimet e pluralizmit një gjysëm dyzine partish e lëvizjesh me emra e fytyra shumë të njohura në politikën shqiptare.
Rregullisht në 30 vitet e fundit ka pasur tentativa për të thyer duopolin PS-PD në majën e politikës shqiptare. Kanë qenë tentativa jo rrallë serioze, të inicuara nga politikanë me përvojë dhe vullnet për ndryshim. Në jo pak raste kanë qenë edhe persona të papërlyer me korrupsion e krim. Por kanë të dështuar të gjithë, përveç Ilir Metës i cili arriti të depërtojë mes dy partive të mëdha me LSI në vitin 2004. Askush tjetër nuk ja ka dalë sepse partitë e mëdha ishin ende të forta, hijerënda dhe të paevitueshme.
E vërteta e asaj që po ndodh para syve tanë është se po shembet në heshtje një krah i shtëpisë politike shqiptare, ashtu siç e kemi njohur në mbi 20 vitet e fundit. Së pari ka rënë zhurmshëm ish-LSI, sot Partia e Lirisë. Partia dikur e çiftit Meta-Kryemadhi, forca politike që rregullisht bënte ose prishte maxhorancat, ka qenë një faktor serioz elektorale, aq sa në dekadën e shkuar arriti t’i afrohet kuotës së 20 deputetëve në zgjedhjet parlamentare. Edhe në votimet e fundit politike në vitin 2021 Monika Kryemadhi dhe më në distancë Ilir Meta nga zyra e Presidentit të Republikës, arritën të marrin 107 mijë vota ose 6.81 përqind të totalit të votës proporcionale. Vetëm sistemi elektoral e penalizoi LSI duke e lënë në kuotën e katër mandateve në Kuvend.
Sot kjo parti ndodhet praktikisht e paralizuar, me kryetarin Meta në izolim dhe çiftin të divorcuar zyrtarisht. Ka rënë shtylla që mbante në këmbë dhe justifikonte vetë egzistencën e partisë, ndërkohë që të mbeturit në parti nuk e kanë as stofin dhe as vullnetin e hekurt që dikur kishte Iliri me Monikën.
Një histori të ngjashme tkurrjeje, por për arsye të ndryshme, ka pësuar edhe vetë Partia Demokratike, bazuar në shifrat që nxjerrin sondazhet e javëve të fundit. Nëse në vitin 2021 Lulzim Basha arriti të marrë gati 40 përqind të votës proporcionale, sot pozita e partisë së drejtuar nga Berisha është dramatike. Rrahja publike në oborrin e PD në 8 janar 2022 e shumë prej atyre që sot janë krah për krah, ishte simptoma e parë serioze se kjo forcë politike po shkonte drejt humnerës. Rikthimi i Berishës në garën e vitit 2025 e bën edhe më të ndjeshme kotësinë dhe mungesën e perspektivës për partinë më të madhe të të djathtës shqiptare.
Katër vjet pas zgjedhjeve të vitit 2021, Aleanca për Shqipërinë Madhështore, e cila liston 24 parti politike, përfshirë Partinë e Lirisë, kuotohet në sondazhet kryesore të vendit mes 33 dhe 37 përqind të proporcionalit kombëtar. Një rënie me më shumë se dhjetë pikë përqindje krahasuar me vitin 2021, kohën kur Basha e Kryemadhi drejtonin opozitën shqiptare.
Aktualisht Partia Demokratike dikur e mbajtur nën fre nga Sali Berisha, ka “prodhuar” një mozaik siglash të dala prej saj ose parti ish-aleate, të cilat e shohin vetë Berishën si problemin kryesor të opozitës. Ka lënë pa zot rrugës edhe një mal me vota të zhgënjyera. Aq sa në zgjedhjet lokale të vitit 2023 kjo opozitë mori vetëm shtatë nga 61 bashkitë në garë!
E parë kështu, e vërteta e këtyre zgjedhjeve më shumë sesa tek fakti që tre a katër politikanë të rinj dolën dhe bënë për vete papritur 10 apo 15 përqind të votuesve, qëndron tek dizintegrimi i të djathtës historike zyrtare që e bëri të mundur këtë proces. Sepse së pari, që të jemi të realistë, një pjesë e fytyrave “të reja” nuk janë edhe aq të reja e së dyti, sepse më shumë sesa projekte politike, këto janë sfida personash që po kërkojnë të marrin mandatin vetjak parlamentar në 11 maj. Pa harruar pastaj faktin që po grinden e s’po lenë gjë pa i thënë njëri-tjetrit.
Suksesi momental i këtyre partive të reja i dedikohet faktit që ndërsa njëri krah i elitës politike, PS dhe Rama, po i mbajnë të paprekura kuotat e tyre shifrore, krahu tjetër, ai i Berishës dhe Metës, po çedojnë një porcion të madh elektorati që e kishin deri në zgjedhjet e shkuara parlamentare.
Komente
