Sali Berisha kreu i PD-së

Opinion

Skënder Minxhozi: Heshtja për kontratën zbulon kush s’i ka duart e pastra

29 Prill, 20:13| Përditesimi: 29 Prill, 20:24

  • Share

Ju kujtohet fushata e  vitit 2005, kur slogani i opozitës përballë Fatos Nano ishte “Me duar të pastra”?! Nëse ju kujtohet slogani, ju kujtohet patjetër edhe sesi Berisha, Mediu dhe një dyzinë burrash të tjerë u veshën të gjithë me këmisha të bardha, për të dhënë mesazhin se po dilnin para shqiptarëve pa asnjë njollë, vetëm me të bardha.

Dikush që e do shumë Berishën dhe partinë e tij, rreket edhe këto orë të evokojë atë fushatë, më të lavdishmen për PD që nga themelimi i saj. E paraqesin si një histori e destinuar të përsëritet edhe në 11 maj. Jo vetëm fantazi e shfrenuar, por edhe paralelizëm i kotë dhe jologjik!

Sot këmisha nuk është më e bardhë, sepse është bërë pis me kohë. Madje edhe me njolla gjaku gjatë rrugës që pasoi fitoren e vitit 2005. Dhe për t’u kthyer te slogani i 20 viteve më parë, sot nuk vishet më këmishë e bardhë, por urdhërohet që të mbyllet goja kur partia paguan 6 milion dollarë dhe shumë miliona të tjera akoma, vetëm për një qëllim. Të shpëtojë Doktorin dhe familjarët e tij, nga damka amerikane e shpalljes non grata.

Kontrata 6 milion dollarë me firmën lobuese pranë njerëzve të Trump noton e gjitha në një pellg shkeljeje dhe abuzimi në raport me ligjet shqiptare që rregullojnë financat e zgjedhjeve. I vetmi justifikim që kemi dëgjuar deri më sot nga kanalet zyrtare të PD ka qenë “Kemi paguar njerëzit e Trump, prandaj ju keni frikë dhe na përflisni kontratën”! Me fjalë të tjera, edhe nëse e kemi shkelur ligjin punë e madhe, paret i ka marrë stafi i Presidentit amerikan!

Imagjinoni nëse në mes të fushatës do të dilte një kontratë e ngjashme me gjashtë zero, e firmosur nga Blendi Klosi, për llogari të ndonjë firme lobimi që do t’i bënte makijazh Edi Ramës pranë administratës amerikane. Imagjinoni si do të bërtisnin në kupë të qiellit puritanët e opozitës, në parti apo në studiot televizive të mbrëmjes. Kujen do ta vinte Sali Berisha i pari, me piskamën e tij legjendare që mallkon e përbalt gjithkënd që i del para. Në të kundërt, për milionat e tij Doktori ka urdhëruar heshtjen totale, e kjo e zbulon më së miri sesi qëndron e vërteta e lobimit për kompaninë “Continental”. Duket sheshit kush s’i ka më duart e pastra!

Nuk ka nevojë të shtyhesh shumë në këtë hulli fantazie pasi të gjithë e dinë sesa e ashpër ka qenë opozita në parandalimin e blerjes së votave, përdorimit të administratës dhe fondeve shtetërore për të bërë fushatën elektorale të qeverisë. PD e të tjerët kanë reaguar për çdo metër asfalt, për çdo përurim, për çdo angazhim të shtetit në fushatë. Ja që dardha e ka bishtin prapa dhe tani është PD që duhet t’i gjejë një justifikim një kontrate e cila sfidon dhe thyen çdo rekord lobimi të zgjedhjeve shqiptare të 34 viteve të fundit.

Sali Berisha, provohet të jetë sot relikja më e shtrenjtë politike e tranzicionit shqiptar. Miliona dollarë, një parti në këmbë dhe një kult individi që buron i pashtershëm nga të gjitha poret e PD-së së sotme. Aq sa nga eksitimi elektoral për Doktorin, i thuren këngë edhe Lacivitas! Edhe ky një zë shumë i rëndë në faturën financiare të partisë që do të zbulohet gjatë rrugës. Edhe ky i vendosur në të njëtin fokus dhe funksion: të shpëtojë Berishën. Për partinë le të mendojë Zoti, sepse fundja dihet si do të shkojë puna e zgjedhjeve!/Javanews

H.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni kontratën 6 mln dollarë të PD për lobim në SHBA?