Skënderbeu pas një sezoni në Kategorinë e Parë, ia doli të rikthehet si kampion në Superligë. Tanimë në Korçë kanë nisur nga puna, teksa është emëruar edhe drejtori i ri sportiv. Ardi Gjançi, ish-drejtues te Turbina ka marrë frenat e merkatos, ndërsa javën që vjen ekipi do jetë thuajse i kompletuar nën urdhërat e trajnerit serb, Gvozdenovic.
Deri në këto momente janë larguar gjashtë lojtarë. Bëhet fjalë për Shkëlzen Ruçin, Uendi Vecaj, Dhimitër Becin, Oltion Rapën, Abdul Temitope dhe Hektor Idrizajn.
Në Korçë kanë projektuar për sezonin e ri një ekip me elementë të talentuar dhe emra që janë të njohur në Shqipëri dhe jo vetëm. Nuk do mungojnë as "prurjet nga importi", me drejtuesit që kanë vlerësuar të gjithë lojtarët që do mbajnë veshur fanellën korçare. Nëse do kemi një Skënderbeu si para 5 vitesh kur dominonte futbollin shqiptar, kjo pritet të shihet në javët në vijim.