Sali Berisha dhe Lulzim Basha

Opinion

Skënder Minxhozi: Tapa e shishes që të gjithë kanë frikë ta heqin

9 Shtator 2021, 11:01| Përditesimi: 9 Shtator 2021, 11:06

  • Share

Tani që saga e përballjes së Sali Berishës me Amerikën e ezauroi aspektin e saj politik-partiak, të gjithë janë turrur të thonë fjalën e tyre nëse ai mund të ose jo të hyjë formalisht në Parlament ditën e premte, meqenëse ka fituar votat e zgjedhësve në 25 prill. U dorëzua politika, fjalën e ka procedura!

Rruga politike, brenda PD, për largimin e Berishës nga Kuvendi duke e shtyrë ose detyruar (mos o Zot!) që të japë dorëheqjen, siç u pa dhe siç pritej, thjesht dështoi. Sali Berisha është nga ajo rracë politikanësh që bëjnë të kundërtën e asaj që ju thuhet, sidomos kur ju thuhet me ton të lartë dhe me imponim. Instikti i tij i brendshëm i perifrazuar dekada më parë nga politikani hokatar Namik Hoti, e shtyn Doktorin të qëndrojë majë kalit edhe kur beteja ka kohë që ka përfunduar dhe kur i është “asgjesuar” e gjithë ushtria. Një farë Napoleoni karikatural që kërkon të mbretërojë edhe pas Vaterlosë. Ky është zoti Berisha që kemi njohur dhe mosha vetëm sa i bën më të rënda huqet dhe sjelljet.

Basha heshti si një peshk në akuarium gjithë këto muaj për fatin politik të idhullit të vet, pasi SHBA hodhi mbi të rrufetë e shpalljes non grata. Kjo agoni verore, kur njëri heshtte e tjetri betohej nëpër rrjetin social e media se do të bënte namin në shtator, e ka sjellë sot punën kur miq e armiq, dashamirës e kundërshtarë, të gjithë po pranojnë se formalisht Doktori ka të drejtë të hyjë në Parlament. Po e thonë këtë më shumë ata që e kanë urryer e luftuar Berishën, sesa të tjerët që kanë qenë fansat e tij historikë.

E kjo e ka një shpjegim, ose më saktë disa të tillë. Të gjithë po luajnë me rastin Berisha, pasi në këtë çeshtje luhen shumë interesa dhe kalkulime për të tashmen dhe të ardhmen. Sali Berisha është një prezencë ende imponuese në politikën shqiptare dhe largimi i tij do të krijonte dinamika të paparashikueshme brenda spektrit politik shqiptar. Largimi i tij nga skena do të shbllokonte së pari situatën e ngrirë në PD, ku një kryetar formal mban peng partinë, me izmën e shefit të tij plak. Pa hijen e Berishës, një zot e di se çfarë do të ndodhte me Lulzim Bashën e ndjekësit e tij, pas katër humbjesh elektorale. Largimi i Doktorit nga partia do ta vendoste këtë forcë politike, për herë të parë që nga fillimi i vitit të largët 1991, përballë dilemës së gjetjes të një lideri dhe të një kursi të ri politik. Zgjidhje, jo arna!

Jo më pak të interesuar për fatin e Sali Berishës janë në kampin përballë, në maxhorancë. Dalja e deputetëve socialistë në mbrojtje të të drejtës formale të ish-kryeministrit për të hyrë në parlament, jo vetëm kërcet, por tingëllon edhe e panatyrshme. Në 30 vjet PS ka harxhuar energji kolosale për ta mundur dhe dominuar fuqinë politike të Sali Berishës, pasi ky i fundit, megjithëse drejtonte një parti më të vogël në vota sesa Partia Socialiste, arrinte rregullisht të kthehej e rikthehej në pushtet.

Sot, kur patkonjtë e Doktorit po bien me dorën e amerikanëve, mesa duket edhe PS po vështron rrotull e shqetësuar se çfarë lëkundjesh sizmike do të krijonte ikja e armikut historik nga skena. E sigurtë është që me praninë e një politikani arkaik, agresiv e jashtë kohe si Berisha, Edi Rama e ka shumë më të lehtë të qeverisë i qetë. Mjafton të shihet sesi zhurma për mandatin e Doktorit ka mbytur debatet për zgjedhjet, qeverinë e re, politikën rajonale, Covidin, rritjen e çmimeve etj.

Nuk ka dyshim se socialistët do ta donin në fushë të lojës Sali Berishën aktual, pa grada e pa dhëmbë për të kafshuar. Natyrisht pranë Lulit të trembur që e ka kthyer qëndrimin në opozitë në një skemë të vërtetë biznesi personal. I parë kështu, Berisha është sot një “tapë” që të gjithë kanë frikë ta heqin pasi nuk dinë se çfare do të dalë nga gryka e shishes.

Përtej këtyre llogarive, fati i Sali Berishës duhet të ishte vendosur me kohë. Kur demokratët propozuan që shpallja non grata nga SHBA të kthehej ligjërisht në një rrethanë penguese për të qëndruar në skenën politike të Shqipërisë, Sali Berisha nuk foli. Në të kundërt, ka predikuar dënime të ashpra për kundërshtarët e tij që ndodheshin në pozita të ngjashme me të tijën.

Sot opozita dhe ish-kryetari i saj nuk mund të fshihen pas gishtit. Nuk mund të ketë dy standarte për të njëjtën gjë. Largimi i Tom Doshit për shkak të akuzave të SHBA, është një precedent që duhet të vlejë njëlloj dhe pa i hequr asnjë presje edhe për Sali Berishën. Ndryshe kurrë s’do të dalim nga qerthulli hipokrit i tranzicionit ku rregullisht dënoheshin vetëm peshqit e vegjël, kurse peshkaqenët gëzonin imunitet të përjetshëm.

Nuk ka llogari politike që mund të justifikojë qëndrimin e Berishës në politikën aktive. Ka pasur boll kohë për të bërë mirë dhe keq gjatë karrierës së tij. Më shumë keq sesa mirë në fakt. Është koha të hapë krahun dhe të lejojë historinë që të nisë t’i gdhendë epitafin politik. Pastë jetën e gjatë, por jo në politikën aktive. Boll e ushqeu me energji negative dhe urrejtje sistemin 30 vjeçar të tranzicionit, duke e mbajtur këtë vend peng të një mentaliteti të mykur dhe tërësisht jashte kohe dhe hapësire.

J.GJ./ReportTv.al
Komento

Komente

  • I tej: 09/09/2021 21:42

    Berisha qen me morra

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?