Varfëria nuk duhet të gjenerojë viktimizim, por përulësi dhe dashuri. Ky ishte boshti i skicës teatrale “Letra” me regji të Salvatore Tramacere-s dhe me skenar të Ylljet Aliçkës, që u ngjit në skenën e Teatrit Metropol. Në një skenë minimaliste. Një karrige, një shishe bojë-kafe edhe një letër, në të cilën duhej shkruar jeta e Markut nga mësuesi Andrea ishte gjithçka, që erdhi nën lojën e Roerd Toçes. Regjisori na rrëfen arsyet se përse zgjodhi për ta sjellë në skenë këtë vepër.
“Mendoj se është një mënyrë për të kujtuar të shkuarën, që mund të na bëjë për të parë të ardhmen. Është një mënyrë që mos të harrojmë, por edhe që të jemi të vëmendshëm për atë që ka kaluar. Por, mendoj se Marku ekziston akoma edhe sot, jo vetëm në Shqipëri, por në çdo cep të botës. Shpresa e fundit për Markun është letra, sepse ndjesia është sikur ai shkruan në atë letër gjithë impenjimin edhe jetën e tij. Kur ti shkruan një letër, që ta lexon dikush tjetër, kupton se sa e rëndësishme është jeta jote. Nëse vetëm e jeton, s’të duket kështu”, rrëfen regjisori Salvatore Tramacere.
Ai na rrëfen më tej se koncepti regjisorial është i thjeshtë, edhe se aktori nëpërmjet interpretimit të tij duhet të përcjellë tek spektatorët një njeri të përulur edhe jo arrogantë, por mesa duket kjo kërkon akoma edhe më shumë punë nga aktori i ri Roerd Toçe, pesha e të qenit nën petkun e dy personazheve njëkohësisht, është ende e madhe për artistin shqiptar .
“I varfër besoj është se është në kuptimin e përulësisë. Në këtë fjalë ka shumë forcë, besoj se brenda njeriut të varfër është përulësia, nuk është arroganca. Roerd ka mundësi që të mbajë tërë kohës vëmendjen e publikut, sepse ky nuk është spektakël, por është teatër, është intim. Kjo është diferenca”, shton më tej regjisori italian.
Regjisori shpreh edhe mendimin e tij, për Shqipërinë e ditëve të sotme.
“Më duket një vend i vështirë, kompleks që po kërkon që të gjejë një rrugë”.
Skica teatrale “Letra” është bashkë produksion i Teatri Metropol me Teatrin “Koreja” nga Leçe. Përpunimi dramatik: Giulia Falzea dhe Salvatore Tramacere. Muzika: Giorgio Distante. Skenografia: Lucio Diana. As. Regjisor: Andjelka Vulic, Joana Omeraj. Kostumograf: Frenci Gjerasi dhe teknik: Alessandro Cardinale.