Fakti që është vajzë nuk e ka ndaluar Klejsën, maturanten 17-vjeçare nga Përrenjasi t’i’ përgjigjet ftesës për t’u bashkuar me një grupim të ri të quajtur Skuadra Vullnetare e Reagimit të Shpejtë.
Përmes një trajnimi teorik dhe praktik ajo ka mësuar të ndihmojë ata që janë në vështirësi në raste zjarresh, tërmetesh, përmbytjesh duke plotësuar dëshirën e saj më të madhe.
“Kjo certifikata duket si gjë e vogël, por në fakt është diçka shumë e madhe për ne. Është një shtysë që të ndihmojmë njerëzit dhe na mbush edhe më shumë. Na jep një vlerësim më të madh.”- tha Klejsa Vasku, vullnetare.
Bashkë me Klejsën janë edhe 109 vullnetarë të tjerë të rinj që për një vit rresht së bashku me reparatet e emergjencave mësuan sesi veprohet në raste zjarri apo fatkeqësish.
“Ky është fundi I cili shënon fillimin e një gjeje shumë të rëndësishme në mbrojtjen civile shqiptare. Sot iu keni në dorë një certifikatë që dëshmon trajnimin aq sa ishte i mundur teorik e praktikë. Keni të varur në qafë një bexh që ju bën anëtar të një grupi që quhet Skuadra Vullnetare e Reagimit të Shpejtë.” - tha Mentor Kika, drejtor ekzekutiv i SVRSH.
Për drejtorin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile Haki Çako këta të rinj vullnetarë mund të konsiderohen tashmë si partner të emergjencave civile.
“Por dhe bashkëpunëtorët më të rëndësishëm të gjithë këtij sistemi.” - tha Haki Çako, drejtor i Agjencisë Kombëtare e Mbrojtjes Civile
Drejtori ekzekutiv programit të skuadrës vullnetare të Reagimit të shpejtë, Mentor Kikia propozoi ndër të tjera që mbrojta e shpejtë për rastet e emergjencave duhet të futet edhe në programet mësimore si orë suplementare.