Lewis Hamilton dhe Charls Leclerc u skualifikuan nga Çmimi i Madh i SHBA-së në Formula 1, pavarësisht se britaniku u rendit i dyti dhe francezi i Ferrari-t mori pikë.
Kjo sepse makinat e dy pilotëve pas përfundimit të garës nuk e kanë kaluar me sukses kontrollin teknik. Delegati teknik i FIA-s, Jo Bauer, vuri re një konsumim të tepërt në pjesën e poshtme të makinave, që bën kontaktin me pistën.
Ajo ishte më e vogël se trashësia minimale prej 9 milimetrash, duke bërë që dy pilotët të mos kualifikohen për garën e SHBA-ve. Vetë pilotët Hamilton dhe Leclerc, por edhe skuderitë e pranuan parregullsinë që vuri re delegati.
Shtatë herë kampioni i botës, Hamilton nuk ka kaluar pa komentuar këtë episod nga gara e fundjavës së shkuar. Në përgatitje të Çmimit të Madh të Meksikës, britaniku tha se vendoste bast gjithë pasurinë që edhe gjysma e makinave të tjera ishin të parregullta.
"Kam 16 vite që garoj këtu dhe ka pasur raste të tjera kur dikush ia ka dalë mbanë, ndërsa të tjerët kanë qenë thjesht të pafat të testohen. Në fund të fundit, ndoshta duhet një strukturë më e mirë për të siguruar drejtësi", tha Hamilton.
Britaniku e thotë me bindje se gjysma e makinave nuk do e kalonin testin.
"Shpresojmë se ata do të mësojnë nga kjo për të ardhmen. Dhe jo vetëm që do t'i kontrollojnë të gjitha, që të mos kalojnë më shumë se gjysma e makinave. Sepse do të vija bast të gjitha paratë e mia se do të ishte kështu, gjysma nuk do kalonin", tha britaniku i Mercedes.