Në një studio modeste në Fushë-Krujë takojmë Edison Selmanin, një skulptor i ri dhe premtues, i cili skalit me përkushtim figurat patriotike por dhe suvenire të ndryshme. E gjejmë duke punuar mbi një bust të Luigj Gurakuqit, fillimisht me baltë e me pas do ta kthejë në rezine.
I pyetur nëse këto vepra i realizon me porosi nga individë apo institucione, 30-vjeçari shprehet se i bën vetëm për pasion por nuk e fsheh dëshirën se një ditë ato do të gjejnë vend në sheshe publike apo ambiente private.
Një vepër që na tërhoqi vëmendjen është skulptura e At Gjergj Fishtës, për të cilën i janë dashur rreth tre muaj punë, dhe me të cilën Edisoni mbrojti diplomën. Figura të tjera historike qe ai ka punuar me perkushtim janë Nënë Tereza, Elez Isufi, e të tjerë.
'Pas Luigj Gurakuqit do të bëhet diçka edhe për Shote Kalicën është një nga emblemat shqiptare do të bëhet diçka shumë e mirë për të. Mua më shtyn çdo lloj njeriu. Figura e Skënderbeut, është në përmasën mbi natyrale, nëse do të ishte në këmbë do të ishte mbi 5 metër. Dhe uroj që të vendoset në qytetin tim', tha ai.
Megjithatë, rruga e skulptorit në Shqipëri nuk është e lehtë. Tregu kërkon kryesisht suvenire të prodhuara në Kinë, me çmime më të ulëta, duke e vënë në sfidë artin e punuar me dorë, por Edisoni beson se gradualisht do njihet vlera e artit autentik.
'Një shpresë e imja që të vendosen në ndonjë shesh, sepse janë lënë shumë në hije. Është e vështirë sepse unë asiprojë diçka tjetër dhe jo të merrem me komercialiteti', tha ai.
Ai ka pasur bisedime me disa institucione për disa prej veprave të tij, por deri tani nuk është konkretizuar asgjë. Megjithatë beson se një ditë veprat e tij do të vendosen në hapësira publike e private.
Komente
