Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja përmes një postimi në rrjetet sociale ka replikuar me drejtuesin e qarkut politik të PD-së në Lezhë Agron Gjekmarkaj.
Manja shkruan se Gjekmarkaj duhet të bëj vetë politikë dhe jo sipas kryedemokratit Sali Berisha.
Ministri i drejtësisë shprehet gjithashtu se At Gjergj Fishta dhe At Zef Pllumi nuk duhet të përdoren për politikë.
“Më thanë që më paske kthyer përgjigje, o profesor!
E si paske thënë sonte aty te salla e vogël në Lezhë, nga ku prezantove dy miqtë e tu, që po të digjet zemra t'i shohësh në parlament, o profesor? Që ke At shpirtëror At Zef Pllumin? Dhe që duhet të skuqemi kur ja zëmë emrin me gojë Fishtës?! Që e duam Fishtën patronazhist?! Eh, mor profesor, kanë filluar të të përzihen mendimet keq, kanë filluar të të bëhen kaçurrel. Që At Gjergj Fishta dhe At Zef Pllumi janë ashta e kombit, do ta thotë historia jetë e mot, sa të ekzistojë kombi shqiptar; dhe që dikush duhet të skuqet pse i përdor këto dy fibra kombëtare se ja do puna për fushatë, këtu ke të drejtë, o profesor Agroni! Këtu ke plotësisht të drejtë!
Unë të thashë që bëj politikë me mendjen e profesorit dhe jo të doktorit tënd plak, se me mend e tij vetëm “dokrra hinit” nxjerr prej goje. Por po shoh që janë duke të bërë lëmsh mendimet, e të tjera“dokrra hinit” do t’u thuash lezhjanëve. Por ndaje mendjen, profesor: ke At shpirtëror, At Gjergj Fishtën dhe At Zef Pllumin, apo At Sali Komunistin? Mos u përgjigj vërtik, bluaje pak kandarin, kthema përgjigjen me mendjen e profesorit, se me një valle tropoje ja fute Gjinit dhe e nxore në listë të hapur – aty po u tregove profesor!”, shkroi Manja në Facebook.
Një ditë më parë drejtuesi i qarkut politik të Partisë Demokratike, gjatë një takimi në Lezhë u shpreh se partia e Manjës, hoqi eshtrat nga varri të At Zef Pllumit dhe e shpalli armik. Ai shtoi se socialistët duhet të skuqen kur përmendin emrin e At Zef Pllumit dhe duan të bëjnë At Gjergj Fishtën patronazhist.
“Dy fjalë Ulsiut për Fishtë se më ka cituar!
Po të isha përfaqësues i asaj partie do skuqesha ta permendja Fishtën e madh! Unë jam rritur me librat e tij, lexuar e rilexuar, për shije njerzore e profesionale! Ati im shpirtëror At Zef Pllumi, nxënësi i tij i zgjedhur, më ka bindur që ai ishte Patrioti më i madh i ketij Kombi. Partia e Ulsiut i hoqi eshtrat nga varri dhe ja gjuajti në lumë, i ndaloi veprën, e shpalli armik! Duhet pak skuqje e turp për t’ja zënë emrin me gojë! E duan Fishtën patronazhist! Nuk e bëjnë dot. Nga atje i përqesh se as të “Gomari i Babatasit” nuk u gjen vend!”, shkroi Gjekmarkaj.
Komente
