SKY ECC ‘fundos’ rrjetin e trafikut të drogës në Belgjikë, paratë e kokainës ‘pastroheshin’ në Shqipëri! Gazetari: Policia zbuloi 7 mijë transkripte për vendin tonë

6 Nëntor 2023, 14:57| Përditesimi: 6 Nëntor 2023, 15:08

  • Share

Rreth 125 anëtarë të mafias shqiptare dhe marokene, të cilët u zbuluan nga aplikacioni SKY ECC, nga ku shkëmbenin detaje mbi rrjetin e tyre të trafikut të drogës, do të dalin para Gjykatës Penale në Bruksel më 4 dhjetor, pasi seanca e sotme nuk u realizua për shkak të kërkesës së avokatëve mbrojtës, të cilët kërkuan kohë të njihen me dosjen voluminoze.

Në një lidhje “skype” nga Brukseli, gazetari Fatos Mahmutaj foli rreth detajeve mbi gjyqin më të madh në Belgjikë, për nga numri i të pandehurve që pritet të përballen me akuzat për përfshirjen në trafikun e drogës.

Në mesin e të akuzuarve renditen dhjetëra shqiptarë, ndërsa nga “peshkimi” përmes rrjetit Sky ECC, kodin e të cilit forcat e policisë mundën ta thyenin, duke zbuluar rreth 7 mijë transkripte vetëm për Shqipërinë.

“Nuk janë vetëm këta të 125-të të identifikuar dhe që janë në proces të përfshirë, por janë edhe dhjetëra e dhjetëra të tjerë të cilët janë në fazë hetimore. Ndërsa mendohen se janë rreth 7 mijë transkripte vetëm për Shqipërinë, të zbuluara nga SKY ECC dhe këtë e thotë vetë Prokuroria belge”, tha Mahmutaj.

Sipas asaj që u zbulua nga përgjimi i mesazheve që trafikantët shkëmbenin me njëri-tjetrin, droga vinte kryesisht nga Ekuadori. Kokaina hynte në Belgjikë përmes porteve të ndryshme dhe në Bruksel përpunohej në laboratorë përpara se t’u dërgohej blerësve evropianë. Ndërsa paratë e mbledhura vinin tërësisht në Shqipëri, sipas policisë.

“Është e vërtetë që ky është gjyqi që ka më shumë të pandehur, ka 125 të pandehur dhe sot duhet të realizohej seanca e parë e gjyqit, por nuk u realizua dhe paraprakisht seanca e parë është caktuar më dat5ën 4 dhjetor. Problemi ishte çështje procedurash nga avokatët mbrojtës, të cilat janë shprehur se nuk janë njohur me rastet e dosjes për shkak se dosja është shumë voluminoze. Bëhet fjalë për 125 të pandehur, të cilët janë zbuluar nga rrjeti Sky ECC, e cila u krijua para 4 vitesh në mënyrë sekrete nga policia franceze, e cila e hodhi në përdorim për të zbuluar rastet e trafikimit që ndodhin në territorin e Francës. Kështu nisi shitja e aparateve ne kod unik, të cilat filluan të përdoreshin për trafikimin e drogës dhe njëkohësisht duke i mundësuar  policisë “peshkimin” e krimeve. Madje shumë aparate telefoni niseshin drejt vendeve të origjinës së personave, Shqipëri  Algjeri etj”, tha Mahmutaj.

Në tetor 2021, 1100 oficerë policie “vërshuan” në lokacione të ndryshme në të gjithë vendin dhe prangosën dhjetëra të dyshuar, mes tyre shqiptari Eridan Guerrero, 50-vjec nga Vlora dhe algjeriani Abdelëahab G. 55-vjec. Hetuesit i konsiderojnë si “kokat” e grupit, veçanërisht ky i fundit, i cili dyshohet se është i përfshirë edhe në vrasjen e shqiptarit Ardit Spahiu, 38 vjeç, kunati i të penduarit të SPAK, Erion Alibej.

Gjatë hetimeve janë kryer gjithsej 192 kontrolle në shtëpi. Në total u sekuestruan më shumë se 32 ton kokainë dhe vila, makina të shtrenjta dhe apartamente luksoze në vlerë prej më shumë se 7 milionë euro.

M.T/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?