BRATISLAVË – Tronditet Sllovakia, ku një student 18-vjeçar ka vrarë me thikë dy persona. Sulmi ka ndodhur rreth orës 13:00 në palestrën e një shkolle në Spišská Stará Ves, një qytet në distriktin Kežmarok, në pjesën lindore të vendit, pranë kufirit me Poloninë.
Sipas informacioneve fillestare nga mediat sllovake, i riu ka vrarë drejtoreshën e shkollës dhe një shok klase, ndërsa një tjetër studente ndodhet në gjendje kritike. Fillimisht, i dyshuari arriti të largohej nga vendngjarja, por policia më pas njoftoi se e ka arrestuar atë.
Sipas faqes së gazetës sllovake Denník N, agresori 18-vjeçar ishte shpërblyer vitin e kaluar si një nga përfaqësuesit më të mirë të shkollës. Ai kishte shkëlqyer në gara rajonale dhe kishte marrë pjesë me sukses në konkurse si Young European, Young Digital European dhe Olimpiadat e Gjuhës Gjermane. Përveç rezultateve akademike, ai e kishte përfaqësuar shkollën edhe në sport: ishte pjesë e ekipeve shkollore të futbollit të vogël, basketbollit dhe floorball-it.
Kryeministri sllovak, Robert Fico, duke komentuar ngjarjen e rëndë në shkollën në verilindje të vendit, tha se është «e vështirë të kuptohet çfarë ka ndodhur», duke këshilluar që politika të qëndrojë në heshtje.
«Shpreh ngushëllimet e mia dhe uroj shërim të shpejtë për të plagosurit», shtoi kryeministri në një mesazh në rrjetet sociale.
Komente
