Ekipi kombëtar U-21 duke kënduar himnin në ndeshjen me Sllovakinë

Sport

Sllovakia U-21 mposht 4-1 Shpresën, Shqipëria e parafundit

27 Mars 2018, 19:35| Përditesimi: 27 Mars 2018, 19:44

  • Share

Pas humbjes në “Selman Stërmasi”, kombëtarja shqiptare e 21-vjeçarëve që drejtohet nga Alban Bushi, ka humbur edhe në kthim me Sllovakinë. Vendasit kanë fituar 4-1, me nga 2 gola të shënuar për secilën pjesë.

Golin e vetëm për ekipin Shpresa e shënoi Manaj, që nuk fal ku i jepet mundësia. Ai shënoi në mesin e pjesës së dytë, kur rezultati ishte 2-0 për Sllovakinë. Goli i gjashtë me Kombëtaren U-21 për talentin e Interit, që luan i huazuar me Granadën në ligën e dytë të kampionatit spanjoll. Por mundësitë për të marrë të paktën një pikë, shuhen shpejt, sepse vendasit shënojnë edhe 2 gola njëri pas tjetrit.

Merr fund kështu çdo lloj shprese për të kapur vendin e dytë, që të çonte në play-off të Europianit 2019. Kur mbeten edhe 3 ndeshje eliminatore, Shqipëria U-21 renditet në vendin e parafundit me 6 pikë.

Shumë pak shanse për të rikuperuar edhe një pozicion, pasi përveçse kuqezinjtë 21-vjeçarë kanë një ndeshje më shumë, në sfidën e radhës do të përballen në transfertë me Spanjën, që është jo vetëm favoritja e grupit, por edhe pretendenti për të fituar Europianin vitin e ardhshëm.

Ndeshja me spanjollët do të luhet më 6 shtator. Ndërsa Sllovakia merr vendin e dytë në grup, atë që ëndërronte ekipin ynë Shpresa.

 

Komento

Komente

  • labi: 27/03/2018 20:34

    kjo eshte kambana e largimit te pseudo trajnerit alban bushi! u21 eshte ne super rezik me te till si alban bushi pa prespektive!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Nis fushata zgjedhore për 11 majin, si e parashikoni?