Izmir Smajlaj dhe Luiza Gega

Sport

Smajlaj zgjidhet president i Federatës Shqiptare të Atletikës, Luiza Gega akuza të forta: Manipulime me votuesit, s'më donin në federatë

5 Maj, 15:11| Përditesimi: 5 Maj, 15:17

  • Share

Njëjtë siç nisi, janë mbyllur me akuza të forta zgjedhjet në Federatën Shqiptare të Atletikës. Mandatin 4-vjeçar, për drejtimin e federatës, e fitoi sportisti Izmir Smajlaj, i cili në këto zgjedhje ishte kandidat i vetëm pas tërheqjes së Taulant Stërmasit. Ky i fundit, njëkohësisht edhe presidenti të cilit i skadoi mandati, bëri akuza të forta që në nëntor për këtë proçes, duke thënë se kryesia po manipulonte anëtarët votues.

E humbur nga zgjedhjet e kësaj të hëne ka dalë edhe Luiza Gega. Kampionia shqiptare e atletikës, me sukses të madh ndërkombëtar, kandidoi për anëtare kryesie, por që nuk ia doli të zgjidhej. Vetë atletja, para se të niste asambleja zgjedhore, ishte shprehur me siguri që nuk do të fitonte, por vendosi të marrë pjesë vetëm për t’i thënë disa gjëra në sy palës tjetër.

“Nuk janë shoqata që kanë anëtar, përveç klubit Vllaznia dhe shoqatës së veteranëve, pasi të tjerat janë shoqata të përzgjedhura vetëm për të votuar. Është punuar fort për të mos votuar për mua, ndërsa unë mbajta një prezantim, jo sepse ata s’më njihnin, por që doja ti shikoja në sy kur të vinte ky moment. Unë nuk mund të jem pjesë e këtij komuniteti se i bëj gjërat me shpirt dhe dua të ecim para. Ndryshe nga ai komunitet që është aty,”-u shpreh atletja Luiza Gega. 

Zgjedhjet e Federatës Shqiptare të Atletikës ishin caktuar fillimisht të mbaheshin më 4 dhjetor të 2024, por për shkak të akuzave të forta u shtynë. Madje në një moment pati edhe ndërhyrje të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, që mblodhi aktorët në një diskutim të veçantë. Që prej nëntorit të 2024 dhe deri më sot është punuar për të ardhur në këtë asamble zgjedhore, që të paktën sipas Luiza Gegës ishte sërish e manipuluar.

Ne.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • albani-Stan-A: 05/05/2025 15:25

    kaha e mashtruesve ka qene dhe vazhdon te ekzistoje

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se zgjedhjet do ndikojnë në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së?