Kevin Sekniqi i riu shqiptar i renditur nga revista prestigjoze “Forbes” në listën e 30 sipërmarrësve më të suksesshëm nën moshën 30 vjeç ndau eksperiencën e tij në podcastin “Flasim” të kryeministrit Edi Rama.
I riu nga Shkodra që prej vitesh jeton në shtetet e Bashkuara vlerësoi zhvillimin që ka pësuar Tirana si një kryeqytet europian duke konsideruar edhe mundësinë e bashkëpunimeve në fushën e start up-eve dhe sipërmarrjeve inovatore.
‘Tirana është zhvilluar shumë s’ma merrte mendja. Unë jam duke punuar për të gjetur një vend një apartament këtu me jetu. Kam qejf t’i zhvilloj marrëdhëniet më shumë. sektori I personave që kanë qejf të krijojnë biznese sipërmarrëse, nuk e di sa është numri I atyre që kanë këtë talent. Jam optimisht dhe dua të krijon këtë marrëdhënie më shumë. dua që pas 10 vitesh ta dijë dhe bota që Shqipëria ka një sektor start up-esh shumë të mirë, sepse tani nuk e dinë as ku është në hartë.'- tha Sekniqi.
Ndërsa kryeministri Edi Rama, deklaroi se qeveria po punon për dy projekte të ngjashme me Piramidën si qendër teknologjike, në Vlorë dhe Shkodër, projekte për të cilat kërkoi edhe kontributin e sipërmarrësit shqiptar.
‘Duam të bëjmë një tjetër, jemi në proces për dy të tjera, si motra të piramidës Shkodër dhe Vlorë Ndoshta për atë të Shkodrës do përfshihesh edhe ti.’- u shpreh Rama.
Kevin Sekniqi është bashkëthemeluesi i Ava Labs, i cili ka luajtur një rol kyç në krijimin e Avalanche, që numëron mbi tre milionë përdorues, dhe në krijimin e AVAX, një kriptovalutë me një vlerë tregu prej 4 miliardë dollarë.