Certifikatat e maturës dhe dëftesat e klasave të ciklit parauniversitar, po u dërgohen tashmë elektronikisht prindërve në llogaritë personale në portalin e-Albania. Shifrat e raportuara nga portali e-Albania, tregojnë se, deri më tani, janë shpërndarë 14215 certifikata mature dhe 52282 dëftesa digjitale, të pajisura me vulë elektronike. Me këto ritme, procesi pritet të përfundojë brenda pak ditëve.
Është SMIP, sistemi që ka digjitalizuar me sukses sistemin e shkollave dhe lehtësuar ndjeshëm marrëdhënien mësues- prind- nxënës, që po mundëson tani edhe këtë shërbim të ri, marrjen e dëftesave dhe certifikatave të maturës, me vulë elektronike, të cilat dërgohen elektronikisht nga sistemi SMIP në e-Albania, ku prindërit dhe personat nën kujdes të të miturve mund t’i gjejnë ato në çdo kohë, në rubrikën “Dokumentet e mia”.
Përveç marrjes së shpejtë online, dokumenti elektronik i Certifikatës së Maturës shmang mundësinë e falsifikimit dhe keqpërdorimit të tij, pasi kodi unik dhe vula digjitale, garantojnë dhe sigurojnë vërtetësinë dhe autenticitetin e dokumentit.
Certifikata digjitale e Maturës përmban notat e marra në Maturën Shtetërore dhe vlerësimet për tre vitet e shkollës së mesme.
SMIP u ka ardhur në ndihmë përgjatë gjithë vitit shkollor mësuesve dhe prindërve me një komunikim të shpejtë, transparent dhe modern. Notat e mungesat janë kontrolluar online nga prindërit dhe kujdestarët ligjorë. Në çdo tremujor në hapësirën “Dokumentet e mia” atyre u ka mbërritur Fleta Elektronike Informuese, një mini-dëftesë periodike për ecurinë e fëmijës në shkollë.
Me anë të një telefoni inteligjent apo kompjuterit, dëftesat dhe certifikatat e maturës mbërrijnë në destinacionin e duhur, në çdo kohë, për t’u arkivuar gjithashtu në dosjen digjitale të dokumenteve që zotëron çdo përdorues i e-Albania.
Dëftesat elektronike zgjidhin lehtësisht dhe regjistrimet e fëmijëve në klasat e dhjeta në gjimnaze dhe shkolla profesionale; nëpërmjet sistemeve elektronike këtë vit u mundësua kalimi i tyre automatikisht nga 9-vjeçarja në gjimnaz, duke lehtësuar formularët e aplikimit dhe thjeshtëzuar edhe më tej procedurat.
Në mbarë vendin po vijon regjistrimi në klasë të parë dhe të dhjetë. e-Albania njofton se deri sot janë regjistruar 21161 aplikime për në klasë të parë dhe 8098 regjistrime në klasë të dhjetë për gjimnazet apo shkollat e mesme të orientuara. Afati i fundit për këto lloj aplikimesh do të jetë data 20 korrik, ndaj prindërit apo kujdestarët ligjorë që nuk e kanë kryer ende regjistrimin e fëmijëve ftohen të adresohen sa më parë pranë shërbimeve elektronike përkatëse në portalin e-Albania për të mos e lënë ditën e fundit.
Për aplikimet për shkollat profesionale dhe për personat mbi 18 vjeç që kërkojnë të regjistrohen në shkollë të mesme, afati i vendosur është shtrirë në tre muaj, duke lënë të hapura regjistrimet deri në 30 shtator.