S’ka më keq se kaq për një vend.
Nuk po flas për ndarjen klasike, atë të kufijve, ku shqiptarët u ndanë në shtete të ndryshme gjatë Traktatit të Londrës – 1913.
Ndarje është fjalë e madhe, mund të thotë dikush. Por në fakt si vetë fjala, e madhe është edhe ndarja.
Shqipëria është e ndarë në socialistë e demokratë.
Nuk e shohin njëri-tjetrin me sy. Nuk e duan. Më shumë se tre dekada, nuk mësuan të jenë bashkë, edhe pse në parti të ndryshme. E shohin veten si armiq. Nuk mësuan se partitë janë grumbullime vullnetare dhe ato përfaqësohen nga ide. Pra, nuk e kanë idenë se partitë duhet të luftojnë për ide e programe. Bile, nuk e kanë idenë se çfarë idesh kanë partitë. Shqiptarët shkojnë turravrap pas liderëve. Kuturu, symbyllur.
Po ziheshin një ditë një foltorist demokrat e një socialist. Njëri me Saliun e tjetri me Ramën. Pasi debatuan gjërë e gjatë për gjithë “politikat” e partive, pasi nuk lanë emër e mbiemër e përemër pa marrë nëpër gojë, biseda pati tone tensioni.
Foltoristi – Ju jeni të korruptuar
Socialisti – Më pak se ju
Foltoristi – Ju jeni hajduta
Socialisti – Kujt i thu hajdut ti more
Foltoristi – Jo ti po të tjerët
Socialisti- Ju keni vjedh më shumë. Shih Rrugën e Kombit
Foltoristi – Vetëm me “intercatorët” keni vjedh miliarda euro
Socialisti – Avash ti more se e teprove, edhe ne vjedhim po të pakten bëjmë punë… (çohet nga tavolina gjithë inat e ndahen pa u përshëndetur)
Shqipëria është e ndarë në të Pasur e të Varfër.
Kjo ngjan si paradoks, sepse të pasur e të varfër ka në gjithë botën. Por duroni gjer në fund. Pasunarët e Shqipërisë janë të gjithë pasunarë të rinj. Kanë vetëm 20 vjet që janë kamur. Me ritmin e këtyre zengjinëve tanë, sot Elon Musk do të kishte pronë të tij gjithë Amerikën, ose gjithë Evropën. Me pak matematikë spekulative, njerëzit më të pasur të botës i bie të jenë në Tiranë. Karakteristika numër një e pasunarëve shqiptarë është se në mos i urrejnë, nuk i duan të varfërit. E dini kë duan më shumë ata? Politikanët. Qeveritarët më saktë. Nuk ka rëndësi në janë të majtë a të djathtë a kush dreqi e di ç’janë. Kushdoqoftë në pushtet, ata e duan. Ndryshe, nuk do ishin pasunarë.
Shqipëria është e ndarë në Veri dhe Jug
Për shkak të liderëve politikë.
Jugu është i bukur. Ka plazhe fantastike. Ka qytete historikë që të mahnisin. E plot gjëra të tjera që çdokush prej nesh i dimë.
Veriu është po ashtu i bukur. Epika e maleve, liqene dhe qytete si Shkodra, të lënë pa frymë. Adriatiku gjithashtu lag Lezhën e Shkodrën. E plot gjëra të tjera që çdokush prej nesh i dimë.
Por janë të ndarë. Për shkak të liderëve që na kanë udhëhequr. Dy kanë qenë liderët ekstremë që kanë identifikuar Jugun dhe Veriun e Shqipërisë, para dhe pas viteve ’90 ose Shqipërinë që ndan dy epoka: Enver Hoxha e Sali Berisha. Njëri në cepin jugor, Gjirokastër, tjetri në cepin verior, Tropoja. I pari dihet, ishte diktatori që edhe pse predikoi simbiozën e bashkëjetesës Jug-Veri, la hapësira të thella në zhvillimin e tyre. I dyti, me shenjat e qarta të një neodiktatori dhe autokrati, e dha haptas shenjën e ndarjes së vendit gjatë vitit ‘97, kur urdhëroi dhe lejoi armatosjen e ushtrisë dhe militantëve nga veriu të mësyjnë jugun.
Jemi të ndarë thëllë, edhe pse nuk e shohim.
Në shqiptarë e kosovarë.
Në besnikë e tradhëtarë.
Në të ditur e trutharë.
Në të ndershëm e kusarë.
Në punëtorë e zuzarë.
…Ja pse jemi të ndarë!
Fan Noli është i pa përëritshëm,pra mos u lodhni.Mirë bota,po ne jemi dhe të këqinjtë e vetvetes.Të paktën jo me kobure si Ai në Londër por me fjalën emënçur tëdimë të jemi dijiroz,për atdheun,fëmijët tanë që përveç të ashtuqujtur shqiponjë nuk bëjnë asgjë për MËMËDHEUN.Për më shumë shikoni qytetet,fshatrat BOSH me pleq me sytë nga porta.
PërgjigjuAma ty Martin te bashkon kauza Rama qe si duket nuk goxon ta permemdesh.
Përgjigju