KATALONJA- Socialistët e kryeministrit spanjoll Pedro Sánchez kanë fituar zgjedhjet rajonale të Katalonjës. Partia Socialiste Katalane (PSC), me ish-ministrin spanjoll të shëndetësisë Salvador Illa në garë mori fitoren me 42 mandate të siguruara, nga 135 vendet e Parlamentit rajonal. Kjo nuk kishte ndodhur kurrë, as në kohën e Pasqual Maragall, presidenti historik i Komitetit Olimpik të Barcelonës.
lla e përshëndeti rezultatin si "një epokë të re për Katalonjën". Ai tha se ndër faktorët që kishin siguruar rezultatin "ishin politikat e zbatuara nga qeveria spanjolle dhe kryeministri i saj, Pedro Sánchez, të cilit i dërgoj mirënjohjen dhe falënderimet".
“Një epokë e re për të gjithë katalanët, pavarësisht se çfarë mendojnë ata”, tha Illa para mbështetësve të tij gjatë një fjalimi pas fitores.
Fronti i pavarësisë humbet shumicën absolute të vendeve për herë të parë dhe qartë pas më shumë se dhjetë vjetësh. Mbështetja ka rënë në 42%, nga 49% në 2017, thotë instituti i statistikave i qeverisë katalanase.
Votimet e së dielës, 12 maj, u mbajtën gjashtë vjet pasi Puigdemont udhëhoqi përpjekjen e dështuar për pavarësi, që nxiti një prej krizave më të këqija politike në Spanjë në dekada. Duke e cilësuar rezultatin si historik, Sanchez shkroi se "këto rezultate zgjedhore do të shënojnë nisjen e një epoke të re në Katalonjë”.
Partia e ish-presidentit Carles Puigdemont, përmirëson rezultatin e marrë tre vjet më parë duke shkuar nga 32 në 35 vende, por jo aq sa për të qenë në gjendje të aspirojë të qeverisë. Duke fituar më shumë se 200.000 vota, socialistët arritën të parandalonin që partitë pro pavarësisë të fitonin shumicën e nevojshme për të pasur pushtetin në rajon, të cilin e kanë udhëhequr në dekadën e fundit.
Sipas rezultateve, partia e Puigdemontit, JxCat, partia e moderuar ERC që udhëhiqet nga lideri në largim katalanas, Pere Aragones, dhe partia më e vogël e krahut të majtë, CUP, kanë fituar 59 mandate. Në zgjedhjet e mëparshme, ata kishin fituar 74 mandate në Parlamentin rajonal. Edhe nëse llogariten edhe dy mandate të fituara nga Aleanca ultranacionaliste Katalanase, separatistët nuk arrijnë të kenë 68 mandate, aq sa kërkohet për të krijuar shumicën.
Puigdemont, 61 vjeç, u largua nga Spanja për të shmangur ndjekjen penale, pas përpjekjes së dështuar për pavarësi. Ai ka zhvilluar fushatën zgjedhore nga jugu i Francës. Edhe pse atij do t’i lejohet të kthehet në Spanjë sapo projektligji për amnisti të shndërrohet në ligj, ai kishte shpresuar se një fitore në zgjedhjet e së dielës, do të hapte rrugën për një rikthim triumfues të tij. Ai ka premtuar se do të largohet nga politika nëse nuk fiton zgjedhjet.
Aleancat e mundshme
Pavarësisht fitores, Illa duhet të arrijë aleanca që të ketë shumicën prej 68 mandatesh pwr tw qeverisur. Socialistët edhe në zgjedhjet e vitit 2021 kishin fituar shumicën e votave, por separatistët kishin arritur të krijonin një koalicion qeverisës.
Salvador Illa, me 42 vendet e Partisë Socialiste, mund të synojë të arrijë një shumicë prej 68 vendesh me një koalicion me radikalët e majtë të Comuns Sumar, që kanë fituar gjashtë mandate dhe me ERC-në, që ka 20 mandate. Së bashku, ata do të kishin fiks 68 mandate, sa kërkohet që të krijohet shumica.