Sociale

Sociologu Tushi për Report Tv: Adoleshentët e sotëm nga materie tjetër, hallka më e dobët e zinxhirit dhe më e rrezikshmja! Dy rrugët e zgjidhjes (VIDEO)

18 Gusht, 13:44| Përditesimi: 18 Gusht, 14:31

  • Share

Pse vrasin adoleshentët? Si shpjegohet shkalla e lartë e përfshirjes së tyre në ngjarje dhe krime të rënda? Për të shpjeguar këtë fenomen që ka tronditur edhe më shumë opinionin mbarëshqiptar pas ngjarjes së rëndë në Maliq, ku një 14-vjeçar vrau Erald Xhejon, një nxënës bashkëmoshatar të tij pas një sherri për motive banale, ishte i ftuar në Report Tv sociologu Gëzim Tushi.

Ai shpjegoi faktorët që ndikojnë tek këta fëmijë që të shkojnë deri në ekstremitet, duke theksuar se adoleshenca është periudha më e rrezikshme për zinxhirin e shoqërisë, që ka turbulenca të tmerrshme të cilat duhet t’i trajtosh vetëm në dy rrugë: Me ndryshim të prindërimit dhe me institucionin arsimor.

Tushi tha se dhuna nuk mbetet zgjidhje dhe as trajtimi me dhurata i adoleshentëve, ndërsa vuri në dukje deficitin e madh të edukimit që kanë një pjesë e mirë e familjeve shqiptare, duke marrë si shembull ndihmën që familja i dha 14-vjeçarit në Maliq pas krimit.

“Ngjarje jashtëzakonisht e rëndë, makabre, deja vu e aktivitetit kriminal që ka përfshirë adoleshentët, ambiente të ndryshme e veçanërisht në shkollë, me konflikte që çojnë në marrje jete. Ka disa arsye madhore. Ka veçori të brendshme edhe për shkak të kohës dhe moshës, nuk janë më si adoleshentet e parë. Quhet si periudhë e errët, është periudhë e paqartësisë së madhe që ata kanë në veten e tyre dhe jashtë tyre, me shkollën, shoqërinë, ambientin. Më shumë se kriminelë duhet t’i shohim si viktima të realitetit social”, e nisi sociologu analizën e tij.

Ai ia atribuoi këtë furi dhune periudhës së pubertetit apo pjekjes së adoleshencës.

“Adoleshentët janë aventurier, të rrezikshëm, e marrin guximin, jo në kuptimin e keq. Por në rastin kur një 14-vjeçar merr thikën dhe vret shokun e tij me thikë, është e llahtarshme, e paimagjinueshme dhe e tmerrshme. Ngjarja e Maliqit nuk duhet të shihet si e veçuar. Ne duhet të lidhim sjelljen e adoleshentëve, qoftë edhe me defektet që kanë familjet, institucionet arsimore dhe më gjerë”, tha ai.

Ndërsa u pyet për rolin e prindërve tek fëmijët adoleshentë, duke marrë për analogji rastin e paprecedentë të Maliqit, Tushi shpjegoi:

“Është deficit i tmerrshëm edukativ i prindërve dhe boshllëk që kanë krijuar në vijimësi duke mos ia përcjellë këtë edukatë fëmijëve. Ka deficit të madh, është jashtëzakonisht i madh dhe s’la nevojë për sondazhe. Ka një përzierje të rrezikshme edhe të prindërve, ku në vend që të kërkojnë ndjesë apo të parandalojnë, ata bëjnë veprime të tilla duke e rënduar situatën. Fëmijët shpesh përballen me një vorbull të tmerrshme të moshës ë tyre, paraadoleshencës, pubertetit, duhet të jemi të kujdesshëm me ta. T’i vlerësojmë. Kjo vjen edhe nga defektet edukative në familjet e tyre. Ka deficit të madh në familjet shqiptare. Një pjesë e adoleshentëve janë me familje biologjike, një pjesë me prindër të divorcuar e kështu me radhë, nuk kemi një kategori të vetme”.

Por zgjidhja nuk është dhuna për disiplinim, por trajtimi ndryshe, me empati dhe humanizëm, pasi kërkojnë një kujdes të jashtëzakonshëm në përballje. Ndaj ai sugjeron një prindërim të ri.

“Nuk them të ketë dhunë te adoleshentët, nuk mposhtet ai me dhunë, nuk është zgjidhje dhuna, por autoriteti dhe empatia. Duhet të ndryshojë parimi i edukimit apo i prindërimit. Është tjetër gjë të rrisësh një fëmijë dhe tjetër të rrisësh një adoleshent. Ka nevojë për një prindërim të ri, duhet të ndryshojë. Shkolla është faktori i dytë i kësaj gjendje të adoleshentëve. Ajo merret me formimin human të tyre, për të ndërtuar një sistem marrëdhëniesh, humaniste, t’i largojë nga bullizmi dhe konfliktualiteti. Pjesa më e madhe e këtyre krimeve vjen për arsye banale. Adoleshentët i ka kapur dukuria e të rriturve, me pavëmendjen civile, kapin thikat e armët dhe zgjidhin me krim edhe ngjarjet banale”, tha sociologu për Report Tv.

Sipas tij, familja dhe shkolla nuk luajnë rolin që u takon, rolin e duhur te adoleshentët, kurse mësuesi nuk është për mësimdhënie vetëm, por edhe për edukim e formim.

“Adoleshentët e sotëm janë të përbërë nga një materie tjetër, komunikimi me ta është i vështirë, por duhet komunikuar. Edhe unë kam adoleshentë në shtëpi. Ka disa forma edukimi, por rruga e duhur nuk është as dhuna dhe as trajtimi me benefite, si dhuratat e të tjera. Këto janë të gabuara. Po t’i shohësh adoleshentët kur flasin rrugës, ose shajnë prindërit, ose shkollën dhe mësuesit, sepse janë hallkat e disiplinës”, vijoi Tushi.

Dhe në fund ai shpjegoi se adoleshentët janë hallka më e dobët e zinxhirit të shoqërisë dhe jetës, më e rrezikshmja e që kërkon kujdes.

“Adoleshentët janë hallka e dobët e zinxhirit të shoqërisë dhe jetës, është më delikatja dhe më e rrezikshmja, një turbulencë e jashtëzakonshme që duhet trajtuar me shumë kujdes. Dhe ata që duhet ta bëjnë jemi ne, si pjesë e shoqërisë”, përfundoi ai.

A.Q/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se takimet e Trump me Putin e Zelenskyn do sjellin paqen në Ukrainë?