Varshavë, Poloni

Sokol Balla: Traktati (im) i Varshavës

9 Prill 2023, 14:04| Përditesimi: 9 Prill 2023, 14:09

  • Share

Për shumë arsye, vizita ime e tretë në Poloni në 15 vjet, mund të dukej e çuditshme. Motivet kanë qënë të ndryshme. Në janar 2008 mes një ftohti polar, me 6 orë me tren nga Berlini për në Varshavë, ishin ditë për t’u harruar. Herën e dytë, në qershor 2016, në Samitin e NATO-s, për punë, e menjëherë më pas fluturim në Paris për finalen e Europianit. Hera e tretë, si gjithmonë në pelegrinazh për kombëtaren.

Kaq? Jo tamam. Varshava është Nocioni me i afërt që kam pasur për Perëndimin. Një arsye është rrethanore. Shtëpia ime në qendër të Tiranës, ishte vetëm 30 metra larg Ambasadës së Polonisë. Së paku katër herë në ditë kaloja pranë fiat-ëve polakë me targa CD, në rrugicën e shkurtër që lidhte Mine Pezën me Rrugën e Durrësit, krahu i majtë i së cilës, zihej nga vila hijerëndë dhe e mbuluar me pemë e mure të lartë e ambasadës poloneze. (Nuk di përse, po në shqipen zyrtare nuk është “polake”, por poloneze. Këtë e kuptova kur pashë në Rrugën e Dibrës, diku mbi prokurorinë, tabelën e një tjetër selie diplomatike të Varshavës, të quajtur “Legata Tregtare Poloneze”).

Nuk e di hiç dhe kurrë nuk e kam kuptuar përse në Tiranë ndodheshin dy seli, Ambasada Polake dhe Konsullata Poloneze, siç nuk e kuptoja kurrë përse ishte një prani aq e fortë e Polonisë në Shqipëri. Për këtë nuk më ndihmonin as pyetjet e shumta që i bëja burrit të familjares sime, i cili kishte punuar tetë vjet në Ambasadën e Shqipërisë në Varshavë, si konsull tregtar dhe sekretar i tretë i ambasadës. Ai ishte rrethana e dytë që më lidhte me Poloninë. Një burrë i mirë e i urtë, por i ngrysur dhe hijerëndë, gati enigmatik dhe sekretiv, sikur mbi shpatullat e tij rëndonin gjithë hallet e Traktatit të Varshavës, e vetmja gjë që ai më pati pohuar, ishte: “Thuhet poloneze, jo polake”.

Fliste një polonishte të shkëlqyer dhe nuk di përse dikush në Shqipëri, duhet të fliste atë gjuhë. Për të realizuar pak më vonë se ishte një grup i tërë “diplomatësh” shqiptarë që e fliste atë. As familjarja ime nuk më ndihmonte. Ajo kishte kaluar tetë vitet më të bukura të jetës së saj në Poloni, një vend po, i Lindjes, ku jeta nuk ishte dhe aq e keqe, së paku në vitet 70. E prapë gjithçka ishte sekretive. Një nga djemtë e saj që jetoi tek ne disa vite (i vogli tjetër i lindi në Varshavë në 1978), nuk tregonte asgjë, sa herë ikte e rrinte për pushime tre muaj në verë në Varshavë. Ikte ezmer e i dobët e kthehej buçko e i bardhë. “Eshtë nga mungesa e diellit”, thoshte i ndjeri babai im. Por pesha e rritur nuk shpjegohej me mungesën e diellit. Shpjegohej me stomakun e mbushur mirë. Veshjet e bukura, tregonin se komunizmi polak ishte disi me tolerant sesa i joni dhe se Mapo-t aty, nuk shisnin vetem llastiqe brekësh, shapka llastiku dhe topa llastiku. Me një fjalë, shisnin dhe gjëra që nuk ishin llastik. Meqë ishim moshatarë, përfitoja dhe unë ndonjë dhuratë. Jo llastiku. Një herë në vit, çdo shtator. Sa herë ai mbërrinte dhe e prisja në Rinas kur vinte me Malev, ose LOT. Nuk di pse gjithë ato vite, LOT kishte linjë të rregullt me Tiranën. Kishte dhe Air France. Por LOT më dukej sikur sillte në Tiranë vetëm kushëririn tim.

Por kur familjarët e mi u kthyen në 1983, Polonia ishte bërë lajm më i madh sesa një rrethanë. Në 1978 ishte zgjedhur papë, një polak, i cili jo thjesht se ngjante me gjyshin tim, do shndërrohej në një prej figurave më të dashura të miat. Në 1981 atë tentuan ta vrasin sovjetikët, përmes parave të paguara nga shërbimi bullgar, ndaj një organizate terroriste turke të quajtur “Ujqit Gri”. Arsyeja ishte e thjeshtë. Ky Papë i parë i zgjedhur nga një vend I perandorise sovjetike, u shndërrua shpejt në emisarin kryesor të shembjes së komunizmit. Duke filluar nga vendi I tij I lindjes. Vizita e Papa Gjonit Palit II në Poloni, ndodhi kur vendi po vendosej nën darën ushtarake, të nxitur nga Moska, në përpjekje për të kontrolluar protestat që kishin lindur në një port në veri të vendit, në një mol ndërtimi anijesh të quajtur Lenin, në portin e Gdansk. E dija që në dy vitet e fundit, burri I familjares sime, që punonte ne Varshavë, kishte shkuar shpesh ne Gdansk.

Detaji që kishte “shpëtuar” nga censura, ishte një termometër muri per matje ambientale. Kishte të shkruar Gdansk mbi krye dhe familjarja e hoqi nga muri dhe ma dha mua, gjatë një vizite në shtëpinë e tyre në Tiranë. E pashë që burri i saj u ngrys, por akti ishte pa kthim pas. Si duket i afërmi im diplomat, nuk shkonte kot në Gdansk. Ok, aty ishte porti më i madh i mallrave në detin e Baltikut për gjithë lindjen, por ishte dhe qyteti më i afërt polak me Rusinë. Kaliningradi, ose pjesa europiane e Rusisë është pak më shumë se një orë larg me makinë. Shqipëria nuk kishte marëdhënie me Moskën, por jam i sigurt që prania e madhe “poloneze” në Shqipëri, lidhej pikërisht me këtë: ishte Varshava ajo që mbronte interesat ruse në Shqipëri, ose ishte kanali i komunikimit që ne kishim me Moskën. Pjesa tjetër sllave e Perandorisë Sovietike, ishte më shumë armiqësore me ne. Polonia ishte një vend atipik. Katolik, por me lidershipin komunist më vasal e besnik ndaj Moskës. Një foto e viteve 70, kur sekretari i parë i partisë punëtore polake Geremek, puthej në buzë me liderin suprem sovietik Brezhnjev, u kthye në meme grafitesh në gjithë botën, veçanërisht përgjatë pjesës perëndimore të Murit të Berlinit. Gjithsesi Polonia shihte me përbuzje vendet e tjera, që ishin më të vogla dhe më të varfëra se ajo.

Gdansk, ishte me siguri pika kryesore e furnizimit të anijeve shqiptare me mallra kleringu (clearing, ishte marreveshja tregtare mes vendeve komuniste, ku mallrat nuk bliheshin, por shkëmbeheshin. Pra ne merrnim sapunët dhe dërgonim konjak Skënderbeu. Merrnim ilaçe dhe çonim sallam turist). Por portet, kanë gjithmonë edhe sharmin dekadent të qyteteve që gëlonin nga spiunët. Këtë ndjeja sa herë shkoja në Durrës në qytet dhe ecja afër Vollgës (për dreq një emër rus, që kurrë nuk ju hoq dot hotelit, edhe pas ikjes së sovietikëve), apo për shembull kur vizitoj Algjerin apo Singaporin. Ndaj dhe vizita ime e tretë në Poloni, në mars 2023, mori një kuptim të mirëfilltë, vetëm kur vizitova Gdanskun. Atë të termometrit të temperaturës, të portit, dhe të protestës. Lidhen të treja. Pasi këtu, në këtë qytet të ftohtë (sot edhe cool) lindi dhe revolucioni antikomunist që shkërmoqi perandorinë sovietike. Ndaj të gjithë shkonin në Gdansk.

Ishte termometri i kohës. Ndoshta prandaj shkova dhe unë. Preteksti i një ndeshjeje futbolli, nostalgjia për të shkuarën të fiksuar në ekranin bardhezi të televizorit tim Adriatik dhe sigurisht interesi për të parë vetë, ndryshimin që erdhi prej këtij qyteti të ftohtë polak. Nga një protestë për çmimet e ushqimeve, në negociatën e parë mes një shteti komunist dhe një rebelimi punëtor. Që solli kryeministrin të ulej përballë ca sindikalistëve të improvizuar në 14 gusht 1980 në një ndërtesë afër Molit Lenin. Më pas të ecte mes tyre, i përcjellë me heshtje armiqësore. Ishte kryeministri i fundit komunist i Polonisë, por pas shumë vitesh do ta krahasonte ecjen e tij mes grevistëve, me “ecjen e Krishtit me kryq në kurriz në Via Dolorosa” në Jeruzalem. Ishte fillimi i fundit të Komunizmit. Brenda pak vitesh në sindikatën e re të krijuar nga Lech Valessa, aderuan 10 milionë vetë. Praktikisht regjistruan votën e tyre 10 milion polakë. Regjimi ushtarak I Jaruzelskit, që zëvendësoi qeverinë që ju dorëzua sindikatës Solidarnosc, nuk duroi dot me shumë se 3 vjet. Valessa, ndërkohë në arrest shtëpie, kishte marrë çmimin Nobel të Paqes, por në 1983 ai dhe shumë të tjerë u liruan.

Mes tyre dhe Lech Kaczynski. Shumë vite më vonë, Partia e tij e Drejtësisë, do të përballej sërish me Moskën. Por kjo përleshje e dytë do t’I kushtonte jetën. Avioni tij si president I Polonisë, u rrëzua në Smolensk, Rusi ne 10 prill 2010. Sot tabela me emrat e 96 të vdekurve në avion, qëndron në hyrje të Presidencës polake në Varshavë. Një pllakë që nuk kujton vetëm ngjarjen, por edhe kujton sesa e fortë është përplasja në atë që është sot, kufiri i fundëm i Perëndimit me Rusinë. Polonia, dikur mbajtëse e kurorës së Paktit te Varshavës, falë protestës së Gdanskut, u bë vendi i parë që u shkëput nga perandoria sovietike, duke mbajtur zgjedhjet e para pluraliste në 1987 dhe zgjedhur kryeministrin e parë jokomunist të lindjes, Tadeusz Mazowiecki. Dy vjet më vonë, me shumicën absolute të votave në parlament dhe senat, Lech Valessa, elektriçisti që ndezi shkëndijën e revolucionit paqësor antikomunist, u zgjodh president I Polonisë. Atë që nuk e bëri dot Lufta e Ftohtë dhe gara e armatimeve bërthamore, e bënë disa mijëra grevistë në Gdansk. Revolucioni komunist nisi në 1917, në ujërat e Baltikut, me anijen Aurora dhe nën drejtimin e Leninit. Përfundoi në ujërat e Baltikut, në molin, ironikisht me të njejtin emër: Lenin.

Sot ai mol nuk është më funksional. Ndërtesa ku u mbajtën negociatat, është kthyer në Qendrën Kulturore Europiane të Solidaritetit. Ose të Solidarnosc. Vetë sindikata ekziston akoma. Ose më saktë pronat e saj: një ndërtesë 6 katëshe jo larg molit Lenin. Solidarnos, sot është thjesht një akt formal thuajse inekzistent. Lech Valessa është 79 vjeç dhe nuk i shpëtoi dot tranzicionit e as akuzave.

Novy Swiat, Varshave, mars 2023. Letrat higjenike me fytyren e Putin.

Polonia nuk ka më nevojë për ta. Është vendi i parë ish komunist që u fut në BE dhe u anëtarësua në NATO. Sot i imponohet Brukselit me të njëjtën forcë si Franca apo Gjermania, ndërsa mbetet një aleat i palekundur i Amerikës. Në rrugët e Gdansk, Katovicës, Krakovës dhe Varshavës ku shëtita këto katër ditë, suveniri më i ri, janë pako letrash higjenike. Me fytyrën e Putin. Flamuri verdheblu i Kievit, është i varur kudo. Sfida është e fortë: për “polonezët”, Ukraina për ta, është po aq e rëndësishme sa për Putin. Kievi mund të jetë kryeqendra shpirtërore e Kishës Ruse, por Lviv, vetëm pak kilometra larg Krakovës, është kryeqyteti europian I Ukrainës, gjuha e së cilës ngjason shumë me polonishten (ose gjuhën polake, quajeni si të doni). Aq afër janë dy vendet, sa në 2012 bashkëorganizuan Kampionatin Europian, me finalen që u luajt në Stadiumin e Kievit, që mban emrin e ukrainasit Valery Lobanowski, ose trajneri I fundit i kombëtares së Bashkimit Sovietik. Lidhjet, por dhe ndasitë, ngjashmëritë por dhe kontrastet e Ukrainës me Rusinë, këtu në Poloninë sllave, por dhe katolike, dikur mikpritese e Traktatit të Varshavës, por sot aeatja me e fortë e Uashigtonit, janë të ulura këmbëkryq. Si Pallati i Kulturës dhe Shkencës, i njëjtë me ministrinë e jashtme në Moskë, që edhe sot ngjall aq shumë alergji tek polakët, sa e kanë lënë të braktisur në mes te qendrës se qytetit, rrethuar nga qendra tregtare, McDonald’s dhe rrokaqiej, që e sfidojnë melankolinë fataliste të ndërtesës, me dekadencën arrogante të shoqërisë perëndimore të konsumit. Një debat, që vazhdon akoma, nëse duhet mbajtur apo duhet shembur.

Por Moska nuk ikën kollaj. Në ditën që mbërrij në Varshavë, Vladimir Putin dërgon armët taktike bërthamore në Bjellorusi. Minsku ka deklaruar prej kohësh se kudo të jetë Rusia, do të jetë me të. Por tani lufta po I kërkon Lukashenkës sakrifica të reja. Në 1986 kur shpërtheu Cernobil, Minsku ishte nga qytetet që u ndot më shumë nga mbetjet nukleare. 36 vjet më vonë, mallkimi bërthamor dhe Ukraina, nuk i ndahen. Siç nuk I ndahet edhe Moska. Në Gdansk, pashë në një stacion autobusi, një mjet me destinacion, Minskun. Disa dhjetëra bjellorusë me fytyrë të vrerosur, prisnin të niseshin, si një udhëtim prapa në Ferr. Por udhëtimi vonohet pak. Një makinë policie, ndalon ngjitur. Tre policë dalin me përtesë dhe kontrollojnë dokumentet. Duket qëllim më shumë është intimidimi. Eshtë kohë lufte dhe nuk ka shumë hapësira gri. O me ne, o kundër nesh. Dhe sot Bjellorusia quhet një vend armik. Komunikimi është ndërprerë, transporti ajror po ashtu. Vetëm autobusi në Gdansk, gati për “fluturim”. Si një korb i vetmuar dhe i trishtuar, që lajmëron kujë, në qytetin kufitar me luftën e re.

Me Poloninë më lidh dhe një rrethanë e tretë: Juventus. Ose më saktë futbollistët e shkëlqyer polakë që shënuan rininë time të hershme. Zbigniew Boniek është sot president i Federatës Polake të Futbollit. Në 1985 ishte sulmuesi kryesor I Juves dhe I kombëtares polake. Në 29 maj të atij viti, i dha Juves Champions League-n e parë. Në Heysel, pasi ndeshja u shty disa orë. Tifozët e Liverpool sulmuan ata italianë. Mbi 30 prej tyre vdesin. Një ndeshje që nuk duhet të ishte luajtur më pas. Por Uefa është Uefa. Boniek merr një 11 metërsh, Platini e shënon. Ishte e enjte. Finalet zhvilloheshin të enjteve (ndoshta sepse Fevziu nuk kishte nisur akoma emisionin). Të nesërmen e premte 30 maj, Zibi Boniek niset me avion charter, nga Brukseli në Tiranë. Kombëtarja polake ndeshej me Shqipërinë, në një sfidë që vlente për ta, kualifikimin në Botërorin. Në një situatë tjetër me siguri Zibi nuk do të kishte luajtur. Shqipëria ishte një skuadër modeste. Por ajo ishte një Shqipëri unike në futboll. Në 31 tetor 1984 në Mielec, në zemrën e Karpateve, Shqipëria kishte barazuar 2 me 2, me gola te Bedri Omurit dhe Agustin Kolës. Dy muaj më vonë në dhjetor, djemtë e Shyq Rrelit mundën 2 me 0 Belgjikën e madhe të Enzo Sciffo dhe Jean Marie Pffaf, vendi i katërt në Botërorin e Spanjës. Sërish dy gola të çunave të Tironës, Mirel Josa dhe super goli i Ben Mingës.

(“Mbylla sytë dhe gjuajta”, na pat thënë gjatë një vizite në shtëpi). Shqipëria kishte barazuar 0 me 0 me Greqinë dhe me 4 pikë, kërcënonte Belgjikën ose Poloninë, për në Botërorin 1986 të Kolumbisë (Botëror që më pas, u spostua në Meksikë, pasi Kolumbia hoqi dorë). Kështu Boniek, i rraskapitur, ende nën tronditjen e tragjedisë së Heysel, mbërrin për të luajtur ndeshjen që niste pasditen e hershme. “Qemal Stafa” ende ndriçohej nga Zoti dhe jo nga prozhektorët.

Një ndeshje, që ashtu si atë të dhjetorit kundër Belgjikës, e ndoqa në stadium, megjithëse koha ishte e keqe dhe shiu që sapo kishte pushuar, e kishte kthyer fushën në baltën e zakonshme. Por befas rreth minutës së 60-të, Mirel Josa gjendet bosh perballë portierit Mlynarcyk. Bosh me gati 40 metra në mes. 22 mijë vetë ne stadium që klithën “Gjuje!”. Një milion shqiptarë në ekran që ulëritën “gjuje!”. Gjuje Mirel, bërtita dhe unë. Dhe këtu m’u duk se më dëgjoi mua, kur mesfushori elegant shqiptar gjuajti topin që desh theu traversën dhe palosi në tokë të pafuqishëm, portierin e famshëm polak. Por më pas aksioni vazhdoi. Një kundërsulm në krahun e djathtë, turravrapi tipik i Boniek.

Dhe me gjithë famën dhe frikën që shkaktonte, me gjithë dramën që sillte me vete me charter nga Heysel, Zibi tundi rrjetën dhe shënoi golin e vetëm në ndeshjen që shënoi dhe fundin e ëndrrës së pamundur të brezit më të shkëlqyer të futbollit kombëtar, për t’u kualifikuar në një Botëror. Njerëzit ishin të dyzuar, mes urrejtjes për këtë polak, apo admirimit për këtë supersportist, që në dy ditë shënoi fatin e Juves dhe të Shqipërisë. Më pas Polonia e tij rreshtohet e katërta në Meksikë, pasi mundet në gjysëmfinale vetem nga Argjentina e Maradonës.

Pas 37 vjetësh nga ajo ndeshje, Boniek e takova në Tiranë. Kishte ardhur për të parë finalen e Conference League. Foto me të, së bashku me një foton tjetër time me Platini dhe një bluze të Juventus, prehen në murin e zyrës sime në një kornizë, ndërsa shpresat për të mundur Poloninë, mbeten ende në sirtar. Në eleminatoret për Botërorin e Qatar 2022, rrezikuam sërish t’i lëmë jashtë, por sërish një tjetër lojtar i madh polak, shënoi në Qemal Stafën e shndërruar në Arenën Kombëtare.

Këtë mars 2023 në Narodnwy Stadion, 57 mijë vetat e kapacitetit të plotë, panë një Shqipëri të mirë dhe një Poloni modeste. Por mjaftueshëm të mirë për të na mundur sërish. Në fitoren e dhjetë në histori. Per herë të parë – dhe të fundit – i kemi mundur në Tiranë ne 1953. Mamaja ime ishte vetëm dy vjeç dhe kuptohet se çfarë isha unë. Megjithëse sot kur po bëhem 50, shumë gjëra kanë ndryshuar, frika e luftës se ftohtë eshtë kthyer sërish. Por që prej asaj dite, kur kartolina e parë mbërriti në shtëpinë time, në vitin 1978, që njoftonte lindjen e kushëririt tim në ambasadën tonë në Varshavë, edhe unë kisha bërë Paktin tim me Varshavën. Nga dhoma e hotel Marriott shihet sheshi qëndror i kryeqytetit, me gjasë nga më të mëdhenjtë në botë. Dhe Pallati i madh i Kulturës. Fiks si në kartolinën që erdhi nga Polonia. Dhe befas në vend që të ndjehem I plotësuar, ndihem më shumë xheloz. Kjo ndërtesë do jetë ketu, edhe kur të mos jem unë. Kjo godinë do më harrojë që hipa në sallat e saj. I vetmi avantazh, është që do jetë në kujtimet e mia. Një godinë nuk ka kujtesë. Ne njerëzit po.

Pallati i Kultures dhe Teknikes, dhurate e popullit sovietik. Prej tre dekadash vazhdon debati nese duhet shembur apo mbajtur.

Këtu ngushëllohem dhe bëhem gati të shtrihem. Pas tre orësh nisem për Tiranën time, ku ashtu si kjo ndërtesë e vjetër sovietike, më pret Saliu që nuk “dorëzohet”. (Në Katovicë, bëra një ndalesë të shkurtër, ndërsa kthehesha nga Auschwitz. Për një foto në Twitter, ku përshëndesja Doktorin nga “vendlindja e tij”). Kuptohet pak sarkazëm, kushtuar Komplotit të Katovicës. Sipas të cilit, liderët komunistë u mblodhën në fund të viteve 80. Kur panë se regjimet e tyre po binin, vendosën të kontrollonin partitë e reja dhe bizneset, duke futur aty të besuarit e tyre. Pakti I Katovicës mbetet ende sot, një legjendë urbane. Gazetarët veprojnë me fakte, jo me përralla. Në intervistën e fundit me mua, pak muaj para se të vdiste, në dhjetor 2010, Ramiz Alia më pat pohuar: “…Zgjodha të dërgoj një mjek nga Tropoja, që të shkonte te Studentët. Quhej Sali Berisha”. Saliu që te Fevziu thoshte se u bë komunist në 1968, pasi Shqipëria doli nga Traktati i Varshavës. Besoj po të kishte mundësi t’i përgjigjej pyetjes sime nëse e besonin këtë, Brezhnjevi, e deri Enver Hoxha do të kishin qeshur me të madhe. Por ata kanë vdekur. Ndërsa Katovica hesht. Hesht edhe Varshava. Ky është Traktati i saj me gjithë botën, e per pasojë, në fund fare, edhe me mua.

Të martën pas ndeshjes, zgjohem herët për të kapur avionin Austrian, me transit Vienën. Nuk e dija se mu atë ditë, LOT ka nisur sërish fluturimet direkte për në Tiranë. Do kishte qënë një tullë e fundit, në Traktatin tim të Varshavës. Një avion thuajse Imi. Një charter i ëndrrave të mia të burgosura në vitet 80. Kur dëgjonim The Final Countdown dhe adhuronim një Papë polak, sikur të ishte një rock star. Dhe prisnim. Prisnim të binte muri i fundit i komunizmit, muri i shtëpisë sonë. Dinim vetem se muri i parë ra në portin e Gdansk.

G.MO/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Artan: 09/04/2023 15:08

    Ashtu sic edhe ia ke futur kot qe finalet zhvilloheshin te enjteve. Jane zhvilluar te merkurave. dhe 29 maj 1985 eshte e merkure.

    Përgjigju
  • Artan: 09/04/2023 15:05

    Megjithate, ia ke futur ca gjera kot. Per shembull, fjala "polak" eshte ne shqipe, megjithese cuditerisht ke te drejte, eshte edhe forma polonez. E dyta, Argjentina nuk ka mundur Polonine, por Belgjiken, eshte Belgjika qe doli ne gjysmefinale, jo Polonia.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?