Më 12 tetor, Kosova mban zgjedhje lokale. Një javë më pas, më 19 tetor, është radha e Maqedonisë së Veriut.
Janë dy vende, dy fushata dhe dy realitete politike të ndryshme, por i bashkon kombi. Por i ka bashkuar edhe slogani, i emërtuar “Bashkë”.
Por kjo nuk është rastësi, sepse e vërteta është e thjeshtë: Vetëvendosja e Albin Kurtit ia ka marrë BDI-së së Ali Ahmetit sloganin, fjalë për fjalë, pa asnjë përpjekje për ta ndryshuar.
Në fakt kjo nuk është hera e parë që në politikën tonë huazimi maskohet si kreativitet, por rrallë ndodh që një parti ta kthejë kundërshtarin e vet në “partner PR-i”.
BDI e Ali Ahmetit, para 10 ditësh shpalli Sloganin “Bashkë” për zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut.
Mesazhi ishte i qartë: shqiptarët atje duhen bashkuar rreth saj, për të ruajtur rolin e partisë kryesore shqiptare siç dhe treguan zgjedhjet e fundit.
Pastaj, pa kaluar shumë, Vetëvendosja në Kosovë prezanton parullën e vet… dhe është fiks e njëjta: “Bashkë”.
Pa asnjë ndryshim, asnjë shtesë, asnjë kreativitet, ama me një tregues të qartë ku e pavetëdijshmja flet qartë.
Vetëvendosja, që deri dje bënte betejë frontale kundër BDI-së, sot i bën shërbimin më të madh asaj. Sepse slogani i marrë nga Kosova, në mënyrë të pashmangshme, forcon edhe BDI-në në Maqedoninë e Veriut në dy kuptime.
Nëse shqiptarët në Prishtinë më 12 tetor thirren të jenë “bashkë”, një javë më vonë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dëgjojnë të njëjtën thirrje por nga origjinali Ali Ahmeti. Sepse slogani është i BDI-së.
Pra, Albini, pa nënshkruar asnjë marrëveshje, pa bërë asnjë koalicion, është shndërruar në mbështetësin më të zellshëm të Aliut. Një reklamues falas dhe një aprovues i vizionit të Ali Ametit. Një megafon i pavetëdijshëm që tregon se në fakt edhe Albini e di se Ahmeti bashkon. Sepse kur e përsërit slogani që shpiku dikush tjetër, ti nuk je më pronari i idesë, je thjesht riprodhuesi i saj dhe besimtar i atij vizioni.
Dhe kështu, ironikisht, Vetëvendosja që kishte premtuar të ishte “ndryshe”, sot përfundon duke qenë “bashkë”, pikërisht me ata që e ka quajtur gjithmonë simbol të së vjetrës.
Sepse në këtë rast, vjedhja nuk është vetëm mungesë origjinaliteti, por nga subkoishienca është një akt i pastër mbështetjeje.
Dhe ndoshta ky është rasti i parë në politikën shqiptare ku kundërshtarët bëhen “bashkë”, jo me marrëveshje politike, por me… plagjiaturë. /Lexo.al
Komente
