Foto ilustruese

Opinion

Sokol Berberi: Mirëqenia e gjyqtarëve dhe prokurorëve për drejtësi të qëndrueshme

25 Korrik, 08:40| Përditesimi: 25 Korrik, 08:43

  • Share

25 korriku shënon një moment historik për drejtësinë globale: Ditën Ndërkombëtare për Mirëqenien Gjyqësore, të shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në mars 2025, si një thirrje për veprim ndaj sfidave me të cilat përballen gjyqtarët në mbarë botën. Kjo datë përkon me miratimin e Deklaratës së Nauru-t për Mirëqenien Gjyqësore, një dokument themelor që vendosi shtatë parime udhëzuese për të mbështetur shëndetin fizik, mendor dhe emocional të gjyqtarëve.

Në një botë ku gjyqtarët përballen me ngarkesë të lartë pune, izolim profesional dhe presione të jashtme, mirëqenia e tyre nuk është më një çështje personale, por një çështje sistemike. Sipas një sondazhi global të rrjetit për Integritetin Gjyqësor, mbi 92% e gjyqtarëve përjetojnë stres të vazhdueshëm nga puna, ndërsa 83% thonë se sistemi gjyqësor nuk ofron mbështetje të mjaftueshme. Mungesa e mirëqenies ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e vendimeve, efikasitetin e gjykatave dhe besimin publik në drejtësi. Deklarata e Nauru-t e përkufizon mirëqenien gjyqësore si një proces të vazhdueshëm që mundëson gjyqtarët të zhvillohen dhe përmirësohen në aspektin profesional, fizik, emocional dhe etik. Ajo thekson se stresi gjyqësor nuk është dobësi, por një reagim njerëzor ndaj punës së rënduar dhe duhet të trajtohet pa stigmatizim.

Mirëqenia e gjyqtarëve dhe prokurorëve është themeli i një drejtësie të qëndrueshme dhe një demokracie funksionale.

 

Gjyqtarët/prokurorët që ndihen të mbështetur emocionalisht dhe profesionalisht janë më të aftë të marrin vendime të drejta, të balancuara dhe të bazuara në ligj. Stresi kronik dhe ngarkesa e tepërt mund të çojnë në gabime procedurale, vonesa në gjykime dhe ulje të cilësisë së shërbimit të sistemit të drejtësisë. Një gjyqtar/prokuror me mirëqenie të qëndrueshme është më pak i cenueshëm ndaj presioneve të jashtme, duke ruajtur integritetin dhe pavarësinë e gjykimit.

Kur gjyqtarët/prokurorët janë të mbështetur dhe funksionojnë në një mjedis të shëndetshëm, qytetarët kanë më shumë besim në drejtësi dhe në shtetin e së drejtës. Mirëqenia gjyqësore lidhet ngushtë me një kulturë institucionale që promovon etikën, transparencën dhe llogaridhënien. Një sistem drejtësie i shëndetshëm është garantues i lirive dhe të drejtave të qytetarëve, duke vepruar si mburojë kundër abuzimeve të pushtetit.

Në kontekstin shqiptar, mirëqenia e gjyqtarëve dhe prokurorëve merr një rëndësi të veçantë pas reformës në drejtësi dhe procesit të vetting-ut. Ky proces, ndonëse i domosdoshëm për nxjerrjen jashtë sistemit të magjistratëve të papërshtatshëm, ka sjellë pasoja të ndjeshme në kapacitetet njerëzore. Rreth gjysma e gjyqtarëve dhe prokurorëve janë larguar nga sistemi, duke krijuar mungesë të theksuar burimesh dhe ngarkesë të jashtëzakonshme për magjistratët e mbetur në detyrë. Megjithë prurjet e reja nga Shkolla e Magjistraturës sistemi vazhdon të përballet me mbingarkesë të trashëguar dhe të shtuar.

Sipas raportit të Komisionit Europian për vitin 2024, Shqipëria vazhdon të përballet me backlog të lartë dhe vonesa në gjykime. Kjo situatë jo vetëm që ndikon në cilësinë dhe efikasitetin e drejtësisë, por rrezikon edhe mirëqenien psikologjike dhe profesionale të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët shpesh përballen me presione, lodhje kronike dhe mungesë të mbështetjes së duhur institucionale.

Në Shqipëri, si në shumë vende të tjera, diskutimi mbi stresin dhe shëndetin mendor të gjyqtarëve & prokurorëve mbetet tabu. ‘Heshtja’ institucionale e bën edhe më të vështirë adresimin e problemeve të mirëqenies. Gjyqtarët dhe prokurorët shpesh hezitojnë të kërkojnë ndihmë, nga frika se mund të perceptohen si të papërshtatshëm për detyrën.

Deklarata e Nauru-t kërkon zhvillimin e një strategjie për mirëqenien gjyqësore dhe të prokurorisë. Organet e vetëqeverisjes gjyqësore duhet të krijojnë kushte pune që nxisin mirëqenien, duke përfshirë politika për parandalimin e stresit dhe programe mbështetëse. Edhe rritja e ndërgjegjësimit publik mbi rëndësinë e mirëqenies së gjyqtarëve e prokurorëve, për një drejtësi të paanshme dhe efikase, i shërben këtij qëllimi  Në këtë kuadër, një rol të rëndësishëm luan Shkolla e Magjistraturës nëpërmjet ofrimit të trajnimeve për etikën, për menaxhimin e ngarkesës emocionale dhe për promovimin e mirëqenies së magjistratëve.

Mirëqenia gjyqësore po merr gjithnjë e më tepër vëmendje në shumë vende të botës, me programe dhe praktika që synojnë të mbështesin gjyqtarët në aspektin profesional, emocional dhe etik. Më poshtë po sjellim disa shembuj të praktikave të mira ndërkombëtare në këtë drejtim, të cilat mund të shërbejnë si modele për t’u ndjekur në kontekstin tonë.

Në Kanada ofrohen Programe të mbështetjes psikologjike për gjyqtarët, të mundësuara në mënyrë konfidenciale; trajnime për menaxhimin e stresit dhe balancimin punë-jetë, të integruara në Akademinë Gjyqësore; dhe promovohet kultura e kolegjialitetit ku gjyqtarët inkurajohen të ndajnë sfidat dhe të kërkojnë ndihmë pa stigmatizim.

Në Zelandën e Re, Deklarata e Nauru-t për Mirëqenien Gjyqësore, e miratuar në vitin 2024, u hartua nga një grup gjyqtarësh të këtij vendi dhe u bë bazë për Ditën Ndërkombëtare për Mirëqenien Gjyqësore; ofrohet mbështetje institucionale për mirëqenie, përfshirë pushime të rregullta, fleksibilitet në orare dhe qasje në këshillim profesional.

Në Mbretërinë e Bashkuar, Judicial College ofrohen trajnime të vazhdueshme për mirëqenie, etikë dhe menaxhim emocional; hartohen raporte të rregullta mbi mirëqenien gjyqësore, të cilat ndihmojnë në identifikimin e nevojave dhe përmirësimin e politikave.

Në Finlandë, mirëqenia është integruar në politikat gjyqësore, ku çdo gjykatë ka një plan të veçantë për mbështetjen e stafit; janë përfshirë  psikologë dhe mentorë profesionalë në strukturat gjyqësore.

Mirëqenia e gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk është çështje personale, por kusht për një drejtësi të qëndrueshme. Një gjyqtar/prokuror i mbështetur, i shëndetshëm dhe i respektuar është më i aftë të ruajë pavarësinë, të marrë vendime të drejta dhe të përballojë presionet e kohës. Në Ditën Ndërkombëtare për Mirëqenien Gjyqësore, le të angazhohemi që ky dimension të mos mbetet në hije, por të bëhet pjesë e pandashme e reformave, programeve dhe kulturës institucionale.

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • FSHATARI PA TOKË.: 25/07/2025 08:57

    MIRË E KENI JU POR MË DUKET E TEPËR AJO NISMË,PËR DREJTËSIN SHQIPTARE.AJO NUK KA NEVOJË PËR KËTË PËRKUJDESIE SE ËSHTË DERI NË FYT ME PASURI(MIRËQËNIE)SI I THONI JU QYTETARËT.JU BËJË RIXHA MOS U TALLNI ME NE FUKARENJTË SE BOLL OAGUAJMË PËR DREJTËSI POR DHE TË NA SHTONI E TAKSAT.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Lirim me kusht pas 35 vitesh për të dënuarit përjetë, si e vlerësoni?