Melanoma një nga llojet më të rrezikshme të kancerit të lëkurës po prek moshat e e reja. Dermatologia Migena Vargu tregon se kjo sëmundje nuk shkaktohet vetëm nga ekspozimi në diell por dhe nga solaret.
“Një ekspozim i pakujdesshëm në diell që në moshë fëminore, bën që në një mosh më adulte të ketë tendencë që të shfaqen nishane të rrezikshme deri në melanom dhe jo më kot melanoma vihet re tani edhe në mosha shumë të reja që nuk ka qenë e zakonshme më parë. Edhe në mosha 20-30 vjecare kemi pasur raste me melanom. Shkak bëhen në fakt jo vetëm ekspozimi në diell por edhe përdorimi i solareve që është bërë pak e modës tani që njerëzit duan të jenë të nxirë edhe gjatë dimrit dhe i përdorin pa masë, pa kriter dhe më pas pasojat duken në kohë”-tha dermatologia Migena Vargu.
Kujdesi ndaj lëkurës ditëve ku rrezet e diellit janë më të forta, duke mos neglizhuar nishanet, është nga këshilla më të forta që ofrojnë mjekët.
“Një individ që ka tendencë qoft edhe familjare sepse janë dhe pak gjenetike shfaqja e nishaneve duhet që në fillim të sezonit të verës të kontrollojë nishanet dhe më pas në përfundim të ekspozimit 3-4 mujor që zgjat po themi ekspozimi në diell, përsëri ti kontrollojë tek një mjek dermatolog. Në rast se shikon një ndryshim të nishanit, një zmadhim të madhësisë, një ndryshim të formës së nishanit nga një formë e rregull simetrike të filloj të bëhet e crregullt patjetër duhet të drejtohen tek mjekët”-u shpreh dermatologia.
Dermatologia jep dhe disa këshilla për të ruajtur lëkurën gjatë sezonit veror.
“Të shmangin qendrimin në diell me orare shumë të zgjatura, të evitojnë qendrimin nga ora 11:00 deri në orën 17:00 në diell. Patjetër kush ekspozohet në diell duhet të përdori dhe kremin e diellit, sidomos gjatë ekspozimit në plazhe, në pishina. Është mirë që të lyhet trupi gjysëm ore para ekspozimit në diell dhe të ripërsëritet lyerja cdo dy orë”-këshilloi mjekja.
Muajt prill e maj përshkruhen nga ekspertët si periudha me risk të shtuar për problemet e lëkurës.