Chermen Valiev u shpall kampion i Evropës në mundje, ndërsa Zelimkhan Abakarov siguroi medaljen e bronztë në eventin që u zhvillua në Moldavi. Tanimë dy sportistët u nderuan nga Federata Shqiptare e Mundjes me një ceremoni të veçantë në turneun e Kupës së Shqipërisë.
Në fjalën e tyre dy ruso-shqiptarët treguan krenarinë për arritjet dhe premtuan se himni shqiptar do dëgjohet sërish në këtë sport.
Valiev kërkon titullin botëror dhe synon një medalje ari në Olimpiadë.
“Pas bronzit olimpik, ishte titulli im i parë i madh, ëndërroja të isha në podium dhe të këndohej himni shqiptar. Kjo është shtëpia ime e dytë. Nuk e mendoj episodin gjatë ceremonisë, po shijoj medaljen e artë. Tani dua titullin botëror dhe natyrisht synimi madhor është ari në Olimpiadë”, u shpreh Valiev.
Nga ana tjetër, Abakarov që u shpall kampion bote në 2022 do sërish këtë sukses.
“Jam i lumtur që kthehem te medaljet në arenën ndërkombëtare. Është një arritje që më motivon përpara Kampionatit Botëror. Kam qenë kampion bote për Shqipërinë në vitin 2022 dhe synoj të shpallem sërish”, tha Abakarov.
Në shtator të këtij viti, Valiev, Abakarov dhe Dudaev do kërkojnë medalje të tjera në Botërorin që do zhvillohet në Kroaci.
Komente
