TIRANË- Rreth 400 mijë euro do të kushtonte nëse do të hidhej në treg, kanabisi që një 39-vjeçar nga Tepelena, tentoi të trafikojë nga Tajlanda, për të shitur në Shqipëri.
Por plani i tij dështoi. Antidroga e Tiranës siguroi informacione për tentativën e mundshme të trafikimit të drogës që në momentin që Dhimitër Shehu nisi fluturimin nga Tajlanda. Kur zbriti tranzit në Dubai, vetë ai u lejua të vijojë udhëtimin drejt Tiranës, por valixhja ku dyshohej se ishte fshehur kanabisi iu mbajt nga autoritetet atje. Në Dubai u faktua se brenda valixhes kishte19.4 kilogramë kanabis me përqindje të lartë THC.
39-vjeçari nga fshati Kras i Tepelenës, u arrestua sapo mbërriti në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit 3 ditë më parë. Për të pasur edhe provën materiale në duar, autoritetet nga Dubai sollën të dielën edhe valixhen me kanabis.
Si procedurë standarde, në rastet e tranzitit, kur hasen sende të paligjshme në aeroporte, procedurat kryhen në vendin ku zbulohet, por Dubai, vendosi të dërgojë valixhen në destinacionin final, në Tiranë.
Kjo lloj droge me THC të lartë, përbërësi kryesor psikoaktiv i kanabisit, deri më tani ka hyrë në vendin tonë përmes postës kryesisht nga SHBA.
Operacioni u kodua “Pako 6” dhe morën pjesë drejtoria për hetimin e narkotikëve, policia e Tiranës, dhe komisariati i Rinasit, nën drejtimin e Prokurorisë së kryeqytetit. Policia thotë se vijojnë hetime të thelluara për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, persona të tjerë që mund të jenë implikuar.
Ky është rasti i 14-të që konstatohet në muajt e fundit nga Antodroga i lëndës narkotike me THC të lartë.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga Policia e Tiranës, me objektiv goditjen e rasteve të trafikimit të lëndës narkotike Cannabis Sativa me përqindje të lartë THC, për shitje në Shqipëri, është goditur një tjetër rast i tentativës për futje të lëndës narkotike me përqindje të lartë të lartë THC.
Pas informacioneve të siguruara nga Drejtoria për Hetimin e Narkotikëve në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe regjistrimit të procedimit penal në Prokurorinë e Tiranës, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Tiranë në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rinas, dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, në kuadër të këtij procedimi proaktiv, finalizoi operacionin policor antidrogë të koduar “Pako 6”.
Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi Dh. Sh.,39 vjeç, banues në fshatin Kras, Tepelenë.
39-vjeçari që udhëtonte nga Tajlanda në Shqipëri, kishte me vete një valixhe me 19 kg e 400 g lëndë narkotike Cannabis Sativa me përqindje të lartë THC, e cila iu sekuestrua me cilësinë e provës materiale.
Vijojnë hetime të thelluara për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë implikuar në këtë rast.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Komente
