Luca Gardini

Somalieri më i mirë në botë merr titullin 'Qytetar nderi' në Dimal për promovimin e verërave shqiptare

8 Gusht 2023, 19:53| Përditesimi: 8 Gusht 2023, 19:54

  • Share

Luca Gardini, një nga somelierët më të njohur në botë dhe i njohur për arritjet e tij të shumta në botën e verës, nga sot është dhe "Qytetar Nderi" i Bashkisë së Dimalit. Ky titull i është dhënë për angazhimin e jashtëzakonshëm dhe kontributin e tij në promovimin e vlerave të komunitetit vendor.

Luca Gardini fitoi famë ndërkombëtare për herë të parë si somelier më i mirë në Europë në vitin 2009, dhe pas kësaj arritje, ai vazhdoi të shkëlqejë në skenën ndërkombëtare të verës. Titulli i somelierit më të mirë në botë iu nda në vitin 2010, duke e konfirmuar atë si një ekspert të vërtetë në botën e verës. Gjithashtu, Gardini u njoh si kritiku më i mirë i verës italiane në botë në vitin 2022.

Në ceremoninë e organizuar, kryebashkiakja Juliana Memaj u shpreh se brandimi i produkteve të zonës dhe promovimi i tyre ka qenë një nga strategjinë e ndjekura nga Bashkia Dimal. “Jemi një bashki e vogël me karakter kryesisht rural e shquar për produktet e saj falë një pune të palodhur të bërë nga fermerët e zonës dhe në rastin konkret më vjen mirë që dhe në konkursin e fundit të verërave nëpërmjet someleriarit që ne e kemi “Qytetarin tonë të nderit”, Luca Gardini, u shpall një nga pesë verërat më të mria në botë  në Milano. Në strategjinë tonë të zhvillimit ka qenë pjesë dhe promovimi i produkteve tona.  Patjetër që në strategjinë tonë të zhvillimit ka qenë edhe brandimi i produkteve të zonës dhe evidentimi apo bërja e dukshme e potencialeve tona të zhvillimit. Sot jemi të nderuar që kemi një emër dinjitoz në histori dhe kur të kemi në emrat e produkteve tona dhe një adresë me emër Dimal, do të thotë dicka. Ambasadorët më të mirë të prezantimit të produkteve janë vetë njerëzit, prodhuesit, por dhe arti dhe kultura rrinë në krah shumë mirë dhe fuqishëm dhe ne duhet ta përqafojmë  për ta përfaqësuar denjësisht bashkinë tonë kudo”, deklaroi Memaj.

Luca Gardini vlerësoi mikpritjen shqiptare si dhe kulinarinë dhe verërat e prodhuesve shqiptarë.  “Është shumë nder për mua sa herë vij këtu sepse ndihem si në shtëpinë time, provoj shumë verëra të mira dhe po ashtu dhe shumë ushqime të mira dhe ndihem gjithmonë i mikpritur”, nënvizoi somelieri me famë ndërkombëtare.

Petrit Çobo, prodhues vere në Bashkinë Dimal u shpreh i emocionuar jo vetëm për vlerësimin si një nga pesë verërat më të mira, por dhe për përpjekjet që janë bërë për imazhin e produkteve shqiptare kudo në botë.

Luca Gardini ka qenë kurator i udhëzuesve të njohur të verës, duke përfshirë "l'espresso" dhe Forbes Magazine, si dhe udhëzues të tjerë të verës nga mbarë bota. Kjo angazhim i tij ka ndihmuar në promovimin e verës së lartë italiane dhe ka ndikuar në ndërgjegjësimin ndërkombëtar për cilësitë e veçanta të territorit të Bashkisë Dimal.

Titulli i "Qytetar Nderi" i dhënë Luca Gardinit vjen si një shenjë e njohjes së përpjekjeve të tij të palodhura në të promovuarit vlerave të komunitetit të Bashkisë Dimal. Ky titull i rëndësishëm jo vetëm e vlerëson kontributin e tij, por ndihmon gjithashtu në bërjen e territorit të Bashkisë Dimal të njohur ndërkombëtarisht. Gjithsesi, ai vazhdon të jetë një shembull frymëzimi për ata që duan të kontribuojnë në zhvillimin dhe promovimin e komuniteteve lokale dhe të një territori të caktuar.

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?