Ylli i Tottenhamit dhe kapiteni i kombëtares së Koresë së Jugut në futboll, Son Heung-min është përballur me një situatë të pazakontë në vendlindje, pasi një burrë dhe një grua janë arrestuar nën dyshimin për përpjekje për ta shantazhuar. Ngjarja ndodhi në Seul dhe është konfirmuar nga autoritetet lokale.
Sipas raportimeve të agjencisë së lajmeve Yonhap, një grua në të 20-at dhe një burrë u arrestuan pasi dyshohet se kanë kontaktuar Sonin me pretendimin se ajo (e arrestuara) kishte mbetur shtatzënë nga ai (futbollisti) në qershor të vitit 2024. Çifti thuhet se i ka kërkuar para futbollistit në këmbim të heshtjes, duke e vendosur atë në një situatë presioni publik dhe personal.
Stacioni policor në Seul ku është depozituar denoncimi konfirmoi se bëhet fjalë për një tentativë zhvatjeje. Son, i cili nuk është i martuar dhe nuk ka fëmijë, ka mbështetjen e plotë të ekipit të tij ligjor dhe ka ndjekur të gjitha procedurat për mbrojtjen e reputacionit dhe integritetit të tij.
Futbollisti 31-vjeçar, që është një nga sulmuesit më të mirë në Premier League dhe lider i Tottenham, ka qenë më parë në lidhje me disa figura të njohura të muzikës pop në Korenë e Jugut, por ka deklaruar publikisht se nuk ka ndërmend të martohet para se të përfundojë karrierën e tij. Në një intervistë në vitin 2019, ai shprehej: “Kur martohesh, përparësia bëhet familja. Dua që futbolli të jetë prioriteti im derisa të dal në pension.”
Son iu bashkua Tottenhamit në vitin 2015 nga Bayer Leverkusen për 30 milionë euro dhe është kthyer në një nga figurat më të dashura në skuadër dhe në mesin e tifozëve. Ngjarja nuk pritet të ndikojë në angazhimin e tij sportiv, por mbetet në fokus të autoriteteve ligjore në Korenë e Jugut.
Komente
