Një sondazh i publikuar së fundmi nga Eurobarometri tregon se 56% e qytetarëve të Bashkimit Evropian janë në favor të zgjerimit të mëtejshëm të BE-së.
Mbështetja është veçanërisht e lartë në mesin e të rinjve, rreth 2/3 e qytetarëve të moshës 15 deri në 39 vjeç besojnë se vendet kandidate apo potenciale duhet të anëtarësohen në BE sapo të përmbushin kushtet e nevojshme.
Po ashtu, 56% e të anketuarve besojnë se vendi i tyre do të përfitonte nga zgjerimi i ardhshëm.
Megjithatë, qytetarët kanë edhe shqetësime, kryesisht lidhur me migracionin, korrupsionin, krimin dhe koston financiare të zgjerimit.
Sondazhi është realizuar në periudhën shkurt-mars 2025, me pjesëmarrjen e mbi 26,300 qytetarëve nga të 27 vendet anëtare të BE-së.
Sondazhe të ngjashme janë zhvilluar edhe në vendet kandidate, si Shqipëria, Bosnje-Hercegovinë, Kosovë, Gjeorgji, Moldavi, Mali i Zi, Maqedoni e Veriut, Serbi dhe Ukrainë, ku janë intervistuar 1,000 qytetarë për secilin vend.
Në Shqipëri, mbështetja për anëtarësimin në BE është më e larta në Ballkan, me 91%, ndjekur nga Maqedonia e Veriut me 69%. Në të dy vendet, qytetarët shohin përfitime si rritja e cilësisë së jetesës dhe hapja e kufijve.
Në kontrast, në Serbi mbështetja për anëtarësimin në BE është më e ulëta në rajon, me vetëm 33%, duke reflektuar shqetësime politike dhe mungesë besimi ndaj BE-së.
Në Gjeorgji, 74% e qytetarëve dhe në Ukrainë 68% e qytetarëve janë entuziastë për anëtarësimin në BE.
Perceptimi pozitiv për BE-në është më i larti në Shqipëri, me 82% të qytetarëve që vlerësojnë ndihmën për zhvillimin ekonomik dhe luftën kundër korrupsionit. Në Maqedoninë e Veriut, ky perceptim qëndron gjithashtu në nivele të larta.
Në Serbi, përkundër qëndrimit gjeografik në zemër të Evropës, imazhi i BE-së është më i dobët, me vetëm 38% që kanë një mendim pozitiv.
Në vendet e Evropës lindore, perceptimi në Moldavi është 55%, në Ukrainë 49%, dhe në Gjeorgji 43%.
Në përgjithësi, imazhi i BE-së është më pozitiv në Ballkanin Perëndimor sesa në vendet e Evropës lindore, me përjashtim të Serbisë.
Komente
