Juristi Kreshnik Spahiu bëri analizën e sondazhit të fundit të Institutit Piepoli dhe Report Tv, për rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit qark pas qarku.
Teksa analizonte tabelat e shifrave, ai u shpreh se të dhënat tregojnë se partitë e vogla dhe të reja po humbasin momentin e tyre historik. Të bashkuara, këto parti mund të shkonin deri në 20 mandate dhe të bënin politikisht atë ndryshim që ndodhi edhe në Kosovë.
Spahiu e cilësoi sondazhin si realist, që përkonte me perceptimin dhe rezultatin përfundimtar të 11 majit, teksa foli në “5 Pyetjet nga Babaramo”.
“Partitë e reja kanë humbur shansin historik për të bërë polin e tretë, duke u bashkuar. Të paktën 4 nga ato parti, e të vendoseshin përballë PS-PD, them se përveç Kukësit e Dibrës, do merrnin mandate deputetësh në çdo çark tjetër, si në Kosovë dhe do hapnin një faqe të re në politikën shqiptare. Shqipëria Bëhet ka më shumë vota në diasporë sesa partitë e tjera të vogla. Nëse u rezulton, mund t’i afrohen mandatit në Korçë”, tha juristi.
Dhe duke ndjekur llogjikën e analizës, Spahiu nënvizon se më 12 maj do të shohim se asnjë nga partitë e reja nuk do marrë më shumë se 2 mijë vota në 11 qarqe dhe i vetmi ku mund të kenë shifra më të mira është Tirana.
“Asnjë parti e re, në 11 qarqe të Shqipërisë, nuk do marrë më shumë se 2 mijë vota. Përveç Tiranës, po e them këtu dhe do e shohim më 12 maj. Në ditët e fundit avantazh ka partia më e madhe, fituese, pra në pushtet”, tha ai.
Ai bëri edhe komente për tabelat e qarqeve të vogla, ku theksoi se aty numrat dhe bastionet duken të palëvizshme.
“Formula elektorale në qarkun e Kukësit nuk jep asnjë mundësi tjetër. Sistemi nuk i lejon as partitë e reja apo të vogla, partitë e reja nuk i afrohen asnjë mandati në Kukës, sepse i duhet të marrin 30%. Nuk lëkundet pozita e opozitës në këtë qark dhe mbetet rezultati 2 me 1 në favor të PD-së. Në Gjirokastër më 2021 ishin 1500 vota që bënin diferencën, pra nëse këto vota i kalojnë opozitës rezultati del 2 me 2. Por ajo që i mungon opozitës tani është bashkimi, nuk ka faktor bashkimi që këtë numër votash ta marrë në krahun e saj. Diferenca në vota në Dibër më 2021 ka qenë shumë e vogël që i siguroi PD mandatin e tretë. Por duke parë përçarjen e PD-së, partitë e vogla, faktorin opozitar dhe të deleguarit e fortë të PS në Dibër vitet e fundit, mendoj se rezultati do dalë 3-2 për PS, siç e ka sondazhi. Opozita po përpiqet që të mbrojë bastionet e të mos përsëritet historia e zgjedhjeve lokale, ku humbi 55 bashki. Sondazhi i Lezhës është bindës dhe ka nxjerrë një realitet që s’e prisja. Të majtët kanë bërë lëvizje në qark për ta ndryshuar rezultatin, me tërheqje të kandidatëve të PSD së Tom Doshit. Ndaj edhe PSD ka përqindje të ulët në Lezhë, megjithatë sipas informacioneve në terren ka pakënaqësi në të gjitha bashkitë. Pra opozita e ruan epërsinë”, tha ai për ‘Report Tv’.
Kurse për qarkun e Beratit shpjegoi se kishte një surprizë tek Shqipëria Bëhet, por nuk lexohet dot vota e diasporës dhe ajo rurale, që mund ta rrëzojnë nga përqindja.
“Mendoj se rezultati në Berat nuk lëviz nga 5 me 2, sepse janë edhe vota të emigracionit për PS. Kanë mbërritur 10 mijë vota dhe priten të tjerat, ku 65% e tyre që do vijnë janë të PS. Kurse përqindja e partive të reja duhet thënë se bien në zonat rurale dhe kjo është fatkeqësi e tyre, se nuk kanë struktura në zonat rurale, që ta ulin përqindjen rajonale”, analizon Spahiu.
Kurse për qarkun e Shkodrës ai tha se mendonte një rezultat 6 me 5, teksa mbetet i paparashikueshëm Tom Doshi dhe diaspora.
“Kam me dyshim rezultatin e Tom Doshit në Shkodër, pasi sondazhet e kaluara gabuan me të në veri dhe në Tiranë. Nuk shoh ndryshime në këtë qark, ku them 6 për PD-ADSHM dhe 5 mes socialistëve e socialdemokratëve. Por nuk dihet as vota e emigrantëve në Shkodër”, vijoi ai.
Duke vlerësuar tabelën e sondazhit të Vlorës, Spahiu u shpreh se ajo tregonte më së miri se ky sistem elektoral favorizon ndjeshëm partitë e mëdha.
“Përsa i përket Vlorës, them se shifrat tregojnë atë se çfarë përcakton Kodi Elektoral dhe sistemi, që favorizon partitë e mëdha. Pra votat e partive të vogla edhe pse kanë shifra të larta, shkojnë dëm. Një tjetër faktor janë kandidatët e vendosur aty, atë që përfaqësojnë, flasim për emrat e kryetarëve të partive, por nuk dimë emrat e kandidatëve. Rezultati i Vlorës shkon ai i sondazhit, 8 me 4 për PS”, analizoi juristi.
Juristi bëri edhe një përshkrim të sondazheve për Fierin, Durrësin dhe Elbasanin:
“Do jetë lajm i mirë nëse do thyheshin disa barriera në Elbasan. Aty ka numër të lartë votash emigracioni, e ajo mund të thyejë presjet dhjetore. Uroj që partitë e reja ta ruajnë rezultatin. Për Durrësin kam dyshimet e mia te partitë e reja që të marrin vota në zonat rurale të Durrësit dhe rrethina, por do ishte lajm i mirë sepse do tregonte se po ndryshon mentaliteti elektoral. Pra PS dhe PD bien nga një mandat në Durrës. Për shkak të votave të emigracionit, që Fieri i la tmerrësisht të larta, ku edhe PS është fokusuar më shumë, mendoj se PS do i kapë 10 mandate. Nëse rezultatet e Piepolit do reflektohen në mandate për të voglat, kjo do të thotë një faqe e re për opozitën, për një shpërbërje të saj dhe ribërje, një formatim i ri”, vijoi ai analizën e tij për tre nga qarqet e mëdha.
Kurse për Tiranën vlerësoi se binte në sy prezenca e tre partive të reja me nga një mandat dhe mungesa e Lulzim Bashës.
“Do ishte një risi që të gjithë liderët e rinj të partive të vogla të ishin në Parlament, Agron Shehaj është, edhe Tom Doshi duket se do jetë, flasim për Tiranën. Ajo që bie në sy është se Lulzim Basha nuk figuron me asnjë qark si fitues me mandat. Por edhe nëse ai nuk merr pragun 1% në rang kombëtar dhe fiton një mandat në Tiranë, ai mandat bëhet i pavlefshëm dhe këtë problem sipas sondazheve e kanë edhe partitë e tjera”, tha Spahiu.
Teksa komentonte rezultatin e sondazhit të Report Tv dhe Piepolit për qarkun e Tiranës, juristi Kreshnik Spahiu tha se forcimi i partive të reja çon në shpërbërjen e PD-së dhe riformatimin e opozitës, konfigurimin e saj pas zgjedhjeve të 11 majit.
Spahiu tha se Sali Berisha në këto zgjedhje do marrë rezultat edhe më të dobët se në vitin 2021 dhe shifrat e sondazhit e tregonin më së miri, teksa argumentoi se PS mund të ishte edhe më shumë duke parë gjendjen e opozitës.
“Përsëri qenka pak (PS, 75 mandate), sepse skema elektorale e favorizon partinë e madhe. Risi në këto zgjedhje sipas sondazhit është rezultati i dobët i PD-së. Pra, Edi Rama ka lindur me kollare, sepse ka përballë Sali Berishën. Dhe ajo që shoh unë këtu është se Sali Berisha do marrë rezultatin më të dobët edhe se në vitin 2021 dhe dukshëm vjen në tkurrje. Ky është shansi i fundit për të, madje Berisha e ka edhe trenin e fundit të tij”, tha juristi.
Ai shpjegoi se forcimi i partive të reja çon në shpërbërjen e PD-së pas 12 majit.
“Forcimi i partive të reja, absolutisht shënon rënien dhe shpërbërjen e Partisë Demokratike dhe çon në konfigurimin e opozitës në të ardhmen”, tha Spahiu në analizën e tij.
Komente
