Politikë

Sondazhi i Piepoli dhe Report Tv/ Kthupi: Berisha s’ka parime, por interesa personale! Hoxha: Qytetarët s’i hanë premtimet e tij! Muça: Partitë e reja po hanë kokat! Karaj: Lufta e brendshme dobësoi PD

10 Prill, 21:59| Përditesimi: 10 Prill, 22:09

  • Share

Sondazhi i radhës i “Piepoli” dhe Report Tv, i publikuar sot (10 prill) në studion e emisionit “Frontline” të moderatores Marsela Karapanço, u pa me shumë interes dhe si realist nga paneli i të ftuarve, që e përshkruan si të përafërt edhe me perceptimin qytetar.

Pikiata e besueshmërisë ndaj Sali Berishës përkon me shifrat e publikuara dhe më shumë lidhet me mungesën e parimeve që ai ka dhe vënien si prioritet të interesave personale. Gjithashtu lufta e brendshme në PD, por edhe non grata dhe dosjet penale që ka në ngarkim.

Të ftuar ishin deputeti i ‘Djathtas 1912”, Rezart Kthupi, gazetarët Poli Hoxha dhe Flogert Muça dhe avokati Leonard Karaj.

“Nuk ka pasur zhvillime kohët e fundit që të ketë diferencë të madhe për besueshmërinë apo nëse janë apo jo të kënaqur, është me 2%. Pothuajse është lineare me atë të 27 marsit si sondazh, brenda marzhit të gabimit. Problemi me Berishën është qasja që ai ka, e momentit, si me Drejtësinë, që thotë do e shkrij për interesat e tij dhe kjo përkon me mosbesueshmërinë e lartë, 65% ndaj Berishës. Ai është person që anatemon një njeri 6 muaj, pastaj e afron tek vetja e kështu me radhë. Pra tregon se nuk ke parime, por interesa momentale”, tha deputeti që kandidon aktualisht për koalicionin “Djathtas për Zhvillim”.

Kurse gazetari Muça u shpreh se pakënaqësia me qeverinë në shifrat e sondazhit ishte për t’u festuar nga Rama, sepse shifrat duhet të ishin më poshtë, duke qenë se ka 12 vite në pushtet. Për partitë e reja ai u shpreh se “ato po hanë kokat mes tyre”.

“Për një qeveri që qeveris prej 12 vitesh, 45% është shifër e lartë. Rama duhet të jetë duke hedhur valle me këto shifra. Janë inkurajuese për qeverinë. Sepse duhet të ishte kryesisht me nuk ndaj mendim për çështjen. Pra shifrat duket se shkojnë edhe me rezultatin e zgjedhjeve të fundit. E jep një lloj stabiliteti, mbi 40%. Edhe pse është non grata në SHBA e Britani, me proceset që ka, me dy qeverisje, është për mandat të 5-të aktualisht, në këtë kuptim të kesh ende mbi 30% të besueshmërisë, është shumë për doktorin. Kurse për partitë e reja dhe të vogla them se ato po hanë kokën e njëra-tjetrës. Berisha do të ketë rrjedhje të votave djathtas për shkak të këtyre partive të reja”, nënvizoi ai.

Avokati Leonard Karaj theksoi se lufta e brendshme e PD e dobësoi lidershipin e Berishës dhe vetë partinë mes të tjerash.

“Unë do isha te ajo mjaft i zhgënjyer personalisht. Zakonisht një gjykim negativ në 30 vite i jepet qeverisë dhe jo opozitës. Katër vitet e para qeveria e kishte një alibi, kurse tani nuk ka asnjë alibi. Në shkallën e korrupsionit është përkeqësuar, e thonë raportet ndërkombëtare. Nuk them se nuk ka bërë asgjë, e ka vënë një gur themeli çdo qeveri. 4 vite luftë civile në opozitë dhe po paguan një lloj kokfortësie ai për të qenë aty. Pasi ai mundi Bashën, duhet të bënte hapa pas. Ta linte të provonte këtë parti. Ndaj këto shifra vijnë për shkak të kësaj lufte. Kaq është maksimumi i Berishës me shifrat e besueshmërisë, ai arriti të rikthehej dhe ky ishte maksimumi, dhe me situatat që u kaluan është i shifër e madhe, është realist dhe reflekton situatën”, theksoi ai për Report Tv.

Ndërsa gazetari Poli Hoxha nënvizoi:

“Nuk ndaj mendimin si miku im Muça, po bëj metaforë që foli si anëtar i shtabit të PS edhe pse e di se nuk është, se për çfarë duhet të jetë i kënaqur apo të festojë Rama me ato shifra. Ky vend, a duhet të qeveriset më nga një vend me mbi 50% të zhgënjyer. (Muça: E thashë në mënyrë ironike, me idenë se shifrat duhet të ishin më ulët). Me këtë tabelë ky është i ikur për shqiptarët.

Berisha e ka identifikuar opozitën me emrin e vetë, ndaj është kjo shifër mosbesueshmërie. Ose atë që tha se emrin e kryeministrit do e linte pas zgjedhjeve dhe tani thotë se do jetë ai. Ai nuk bëri as një grupim me vete që ta mbulonte. Premtimet e Berishës qytetarët nuk i hanë, se shqiptarët nuk hanë programe. Ka 30 vite premton të njëjtat gjëra. Bën pazare me Ramën, si me rastin e vulës së partisë. Tani janë edhe kundra drejtësisë dhe SPAK-ut, pra e bëjnë të njëjtë me Ramën dhe nuk bën kontrast duke qenë opozitë. Do shohim nëse Berisha do marrë sikur një votë më shumë nga Basha më 2021, se tha do bashkojë opozitën, atëherë mendoj se e ai e meriton të jetë. Partitë e reja janë vetëm një flladitje, por mendoj se kanë votë të heshtur dhe mbështetës të heshtur”, tha ai.

A.Q/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Nisi fushata zgjedhore për 11 majin, si e parashikoni?