Politikë

Sondazhi i 'Piepoli' dhe Report Tv/ Spahiu: Berisha duhet japë dorëheqje më 12 Maj, nëse fiton më pak deputetë se Basha më 2021

10 Prill, 21:41| Përditesimi: 11 Prill, 07:57

  • Share

Nëse Sali Berisha merr më pak se një deputet se Lulzim Basha në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, ai duhet të japë dorëheqjen nga PD-ja, pasi i rrëzohet edhe falsiteti i luftës personale me ish-kryetarin.

Por tre faktorë e shpjegojnë më së miri edhe pikiatën e besueshmërisë së kreut të selisë blu, ku kryefjala është lufta personale që ai bën me të gjithë, duke dalë zbuluar edhe me akuza për korrupsion, por edhe duke dëmtuar imazhin.

Kështu u shpreh juristi dhe analisti Kreshnik Spahiu, sot në studion e ‘Frontline’, për sondazhin e radhës së “Piepolit”, në bashkëpunim me Report Tv.

Për juristin, sondazhi përkon edhe me perceptimin qytetar, si për pakënaqësinë ashtu dhe besueshmërinë ndaj kryetarit të PD-së.

“Përsa i përket shifrave që lidhen me të kënaqur dhe pakënaqur kam një konkluzion të shpejtë. Në të gjitha sondazhet e viteve të fundit në Francë, Gjermani, Holandë, Austri etj, përqindjet e zhgënjimit për qeveritë me dy mandate atje ka qenë shumë më e lartë se kjo e Ramës këtu. Ka dy gjëra, ose shifra e gabuar ose shqiptarët e perceptojnë kështu. Saktësia e sondazhit përkon me perceptimin publik. Diku te 55 apo 60% janë të zhgënjyer, ka nga ata që mendojnë se jetë bëhet vetëm në Shqipëri dhe ka nga ata që mendojnë se në Perëndim është fushë me lule”, shprehet juristi.

Kurse për besueshmërinë në pikiatë të Sali Berishës në publik, ai shprehet se sondazhet përkojnë edhe me perceptimin dhe me tre faktorë të rëndësishëm që e shpjegojnë atë.

Shpallja non grata dhe lufta personale që ndërmori me ndërkombëtarët, falsiteti i luftës me Lulzim Bashën dhe lufta personale me të dhe imazhi në sytë e qytetarëve, nga një lider i pakorruptuar, në një person të pandehur nga SPAK për pasuritë e tij.

“Tre janë arsyet e rënies së besueshmërisë së lidershipit të opozitës për zgjedhjet. E para ishte lufta me Lulzim Bashën dhe falsiteti i saj, sepse e mbështeti pas humbjeve dhe për kryetar dhe kur iu prek interesi me SHBA-të, e ktheu në luftë personale, e largoi. Por pas 11 majit ai do përballet me realitet të ri, marrjen e më pak deputetëve dhe më pak vota se Basha që do e bëjë të ketë të vështirë të mbajë PD-në, sepse nuk ka më alibi. Pra ai duhet të japë dorëheqjen nga PD-ja nëse fiton sikur një deputet më pak se Basha më 2021.

Tjetra do bëjë shqiptarët që Sali Berisha nga një lider i pëlqyer, i pakorruptuar, drejtues i fortë, përfaqësues i shtresave të varfra apo të mesme etj., të dalë zbuluar nga SPAK me atë çështjen e pasurive, me 17 pallate etj. Mund t’i ketë të ligjshme, po, por nuk të futur te shtresa e mesme apo e varfër e shqiptarëve, por te të pasurit dhe oligarkët. Tjetra shpallja non grata nga SHBA dhe Britania, ai del e thotë se e ka personale me Yuri Kim, me Blinken, me Anglinë, me SHBA-të etj., pra i ra besueshmëria dhe elektorati e qytetarët nuk të besojnë më, kjo shpjegon edhe ato shifra besueshmërie për të”, thotë Spahiu për Report Tv.

Ora 22:46
Spahiu: Kjo fushatë elektorale është më e dobëta dhe më e ftohta, sepse dihen rezultati dhe fituesi! Edhe Ramiz Alia pati sistem elektoral më të mirë se ky

 

Në lidhje me fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, juristi Kreshnik Spahiu mendon se kjo është më e dobëta dhe më e ftohta ndër vite.

Sipas tij, edhe parafushatat kanë qenë më të egra sesa kjo që po bëhet për këto zgjedhje. Kjo tregon  se rezultati i zgjedhjeve dihet apo është i dakordësuar.

“Mendoj se është një gjuhë vëllazërore, ndonjëherë bërtasin se duhet gënjyer mileti. Kjo është fushata më e ftohtë, më e dobët, më e ftohtë që ka ndodhur ndonjëherë. Nuk ka pasur fushatë të tillë e kaq të dobët, pasi jashtë fushatë kanë krijuar tubime edhe më masive se ato brenda fushate. Kjo tregon se pak a shumë e dinë rezultatin e zgjedhjeve, e dinë fituesin dhe nuk lodhen fare për fushatë elektorale, rrinë pas telefonave dhe rrjeteve sociale”, shprehet Spahiu për Report Tv.

 

Për listat e kandidatëve ai mendon se tek partitë e vogla do orientohet vota drejt kryetarit të partisë. E njëjta gjë do të ndodhë sipas juristit edhe tek lista e kandidatëve të PD-së.

"Partitë e vogla do luajnë për një mandat maksimumi. Aty do votohet vetëm për kryetarin dhe do kenë vështirësi. Edhe tek lista e PD-së mendoj se do orientohet nga kryetari votimi. Mendo që edhe diktatori i fundit, Ramiz Alia, ka zbatuar sistem më të mirë elektoral sesa këta. Sepse sistemi mazhoraitar që ai zbatoi, e nxori atë nga politika. Një sistem ku kandidatët dalin përballë njëri-tjetrit, qytet më qytet dhe fshat më fshat", tha ai.

Ora 22:33
Ironia e Spahiut: Asnjë parti nuk printon programet, sepse 99% e shqiptarëve nuk i lexojnë!

 

Asnjë parti nuk i printon më programet, sepse 99% e shqiptarëve nuk i lexojnë ato, pasi kryesisht qytetarët shqiptarë veprojnë si tifozë partish, majtas dhe djathtas.

Ky është mendimi i juristit Kreshnik Spahiut në lidhje me programet e partive dhe ajo çfarë ofrojnë apo munden partitë e reja, teksa bëri edhe ironi me politikën dhe elektoratin shqiptar, duke treguar edhe një histori.

“Përsa i përket programeve, do tregoj një histori. Kam një shok që është pronar shtypshkronje. Sa herë që kishte fushatë elektorale, ai bëhej milioner, pas viteve 90-të ishte milioner dhe ndër të pasurit. Më thoshte se dikur sa herë vinte fushata, shtypte programet e partive politike dhe bënte miliona. Tani po falimenton, sepse nuk shtyp më programe. Dikur bëheshin edhe kaushë për fara vitet e para, nuk shkonin dëm. Partitë politike e kanë mësuar mentalitetin e shqiptarëve që mendër jush nuk lexojnë asnjë program. E kanë tifozllik shqiptarët politikën, është kush është kryetar, ndjekim familjen, baballarët, stërgjyshësit, nuk u intereson fare se kush është kryetari. 99% e shqiptarëve nuk i lexojnë programet”, shpjegon juristi për Report Tv.

Ai nuk sheh as ekipe qeverisëse të shpallura për fushatë dhe as programe serioze. Madje as partitë e vogla nuk krijojnë kauza të caktuara me të cilat të bindin qytetarët duke i përsëritur dhe kërkuar publikisht.

“Këtu ia vlen të diskutosh për programe për ato që shpallin qeveri, ekip ministrash, ose ato që pretendojnë të marrin përqindje të caktuar. Parti që kanë edhe kauza konkrete, si një rast në Gjermani, ku një vajzë kishte kauzë që Europa të ishte një shtet dhe të përfaqësohej nga një qeveri, si në SHBA. Por këta bëhen qesharake dhe partitë e reja kanë program më të mirë se partitë e vjetra, por për fat të keq nuk i beson njeri se do fitojnë e vijnë në pushtet. Pra duhet të ketë dy kauza përfaqësuese, t’i përsëritësh dhe të bindësh shqiptarët dhe që t’i bësh të besojnë se ti do i realizosh ato”, shton juristi Spahiu.

Për sondazhin në lidhje me çmimet dhe nivelin e jetesës ai u shpreh:

“Ditën e parë që Blendi Gonxhja u zgjodh ministër, i kam çuar një mesazh se çfarë kërkoja që të bënte ai dhe qeveria. Paketa e shportëz bazë të bëhet për të ulur çmimet në bazë të atyre në tregun ndërkombëtar. Shqipëria është i vetmi vend që mban monopolin e çmimeve të tregut të produkteve, kryesisht ushqimeve. Këta duhet të jenë socialistë, janë socialistë, duhet të ulin çmimet, të subvencionohen ushqimet bazë, të liberalizojnë konkurrencën dhe tregun. Në disa supermarkete të huaja edhe rimbursohen këto produkte dhe çmime për shtresat e vjetra. Këta duhet të sigurojnë minimumin jetik, që shqiptarët të përballojnë koston e jetës, ndaj del edhe sondazhi ashtu dhe unë jam dakord me të, ndaj të njëjtin mendim për çmimet dhe nivelin e jetesës”, shpjegon juristi.

Ora 22:14
Spahiu: Një parlament me 11 parti të reja, do ishte më i mirë se me 2 partitë e vjetra

 

Juristi Kreshnik Spahiu mendon se stuhia e vërtetë për partitë e reja vjen ditën e nesërme, 11 prill, kur hapet edhe fushata elektorale dhe dy partitë e mëdha shfaqin muskujt e tyre me të gjithë makinerinë elektorale dhe financiare.

Konflikti i brendshëm që këto parti kanë mes tyre, është një tjetër pikë negative që do reflektohet edhe në vështirësinë e një rezultati pozitiv. Por juristi mendon se do ishte mirë që të 11 partitë e listës në zgjedhje të marrin deputetë në parlament dhe të rritet cilësia, teksa shprehu frikën se niveli i pas 11 majit do jetë edhe më mediokër.

“Mendoj se nesër është ajo vija e kuqe dhe shumë e rrezikshme ku fillojnë stuhitë për partitë e reja. Sepse do kenë më pak hapësirë televizive dhe mediatike për fushatën. Sapo nis kjo fushatë nis makineria e partive të mëdha, me mitingjet e tyre. Priten mitingje të mëdha të tyre dhe shpesh populli shqiptar sugjestionohet me të fortët. Çështja e besueshmërisë me partitë e reja lidhet me nëse vota jote shkon bosh apo plot. Sikurse edhe ajo e besueshmërisë.

Ka analizë ndonjëherë të gabuar, ku shumë njerëz mendojnë se e keqja në Shqipëri janë politikanët. Unë nuk mendoj se populli shqiptar ka ndonjë nivel më të lartë sesa këta liderët e rinj psh., por edhe nga liderët e vjetër. Unë mendoj se këta lider përfaqësojnë atë që ne jemi. Ne nuk mund të kërkojmë lider të nivelit zviceran, se s’mund t’i sjellim ata këtu”, thotë ai.

Por konfliktet i kanë dëmtuar këto parti të vogla:

“Konfliktet që kanë partitë e reja mes tyre ka zbehu besueshmërinë dhe optimizmin e tyre për fitore. Ka krijuar pesimizëm me mendimin se kur sillesh kështu tani në opozitë, çfarë mund të bësh kur ta fitosh. Rama dhe Berisha e cenuan ssistemin elektoral dhe e bënë të vështirë me mbylljen e tyre, por mirë do të ishte përfshirja e të 11 partive të reja në parlament. Por kjo ul cilësinë e politikës, parlamentit, qeverisë, sjell një nivel mediokër që u shërben vetëm këtyre dy liderëve të mëdhenj që do vënë njerëzit e tyre në postë dhe lista. Dhe rezultati do jetë pikërisht ky nivel mediokër”, shpjegon Spahiu.

Në lidhje me votën e tij se ku do të shkonte ajo, juristi u përgjigj shkurt:

"Unë nuk jam regjistruar për këto zgjedhje, sepse mendoj se asnjë nga partitë shqiptare nuk e meriton votën time".

A.Q/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A do e ndihmojë PD-në në fushatë strategu i Trump, LaCivita?