Politikë

Sondazhi i Report Tv dhe ‘Piepoli’/ Nurellari: Berisha duhet të ishte në pension, bënë krushk ‘fotografin’ LaCivita! Kikia: Pakënaqësi për PS-PD! Sefa: Shkodra mesazh për Saliun! Hoxha: Situatë absurde

24 Prill, 22:01| Përditesimi: 24 Prill, 22:46

  • Share

Besueshmëria e Sali Berishës te qytetarët shqiptarë shkon çdo ditë dhe më shumë në pikiatë.

Kur zgjedhjet parlamentare të 11 majit po shkojnë drejt finishit, Report Tv dhe instituti ‘Piepoli” publikuan sot (24 prill) sondazhin e tyre të pestë, ku objektiv ishte anketimi në qarqet Shkodër dhe Tiranë.

Ajo që ra në sy ishte mungesa e theksuar e besueshmërisë me mbi 60% për Berishën në Shkodër, teksa për Ramën ishte në 75%.

Shumica e shkodranëve ishin të pakënaqur me qeverinë, por sipas të ftuarve në studion e emisionit “Frontline”, të moderatores Marsela Karapanço, thanë se qyteti i Shkodrës tradicionalisht është i djathtë dhe këto shifra ishin normale.

Të ftuarit në panel ishin gazetarët Mentor Kikia dhe Poli Hoxha, analisti Adri Nurellari dhe avokati Indrit Sefa.

“Tendenca duket se ka një familjarizim, një traditë e vjetër kjo, ku fëmijët votojnë si prindërit apo anasjelltas. Kjo edhe përsa i përket Shkodrës, por që tradicionalisht shpjegon edhe këtë shifrën 74% të pakënaqur në Shkodër. Kurse për Berishën mund të them se ka terren fertil për opozitën në Shkodër, ku ka pakënaqësi me individin kryesisht. Opozita ka lidership Berishën, situatë e ngjashme me Biden.

Berisha duhet të ishte në pension dhe jo alternativë, e kemi pasur këtë garë edhe më 2013, sikur të shohim një film ku nuk vritet heroi. Në këtë aspekt është e dhimbshme, por nuk e di sa të afta janë partitë e vogla që ta shfrytëzojnë këtë terren. Mbase këto zgjedhje nuk ndryshojnë qeverinë, por do ndryshojnë opozitën. Mendo se këta kanë bërë protagonist Chris LaCivita për fushatën, e kanë bërë fotografin e dasmës si krushk. Ka bashkëfajësi kolektive, ka të njëjtat figura të vjetra që nga 1990, të njëjtët liderë”, u shpreh Nurellari.

Gazetari Kikia vlerësoi se qytetarët shqiptarë janë të pakënaqur nga të dy liderët politikë të partive të mëdha, duke kërkuar që njëri të ikë dhe tjetri të mos vijë, por pyetja ishte nëse forcat e treta do e shfrytëzonin këtë terren.

“Nuk prisja dhe nuk presim tjetër rezultat. Ka një qëndrim konservator që ka mbetur për PS-në përsa i përket Shkodrës, e kanë ruajtur atë traditën e vjetër. Kurse për Tiranën, qyteti brenda ëhstë një konglomerat, të sondazhuarit duhet parë se kujt i përkasin, nëse janë të anketuarit në qytet. Problemet me urbanistikën dhe infrastrukturën në rrethinat e Tiranës ndoshta kanë ndikuar në këtë 40% të të pakënaqurve në Tiranë.

Ajo që përbën lajm është fakti se qytetarët në shumicë dërmuese janë të pakënaqur nga të dyja palët, PS dhe PD, sikurse emrat që i përfaqësojnë, Rama-Berisha. Njëri duhet të iki dhe tjetri s’duhet të vijë, pra kemi një përgjigje të qartë nga qytetarët, nuk ka më dilema. Pyetja është sa terren do krijojë për ‘kullotë politike’ kjo situatë për forcat dhe alternativat e reja”, tha ai.

Endrit Sefa nënvizoi se shkodranët në përgjithësi janë të pakënaqur me qeverinë, por supriza ishte përqindja e lartë e pakënaqësisë me Berishën.

“Shkodranët janë të pakënaqur me çdo qeveri. Por duket se pasojat janë edhe frika për të jetuar në një qytet me problematika kriminaliteti dhe sociale, duke parë edhe ngjarjet e fundit. Ndaj kemi edhe shifrën 74% e tyre të zhgënjyer. Por edhe aq është mirë, sepse mund të ishte edhe më e madhe me situatën. Kjo jo domosdoshmërisht kthehet në rezultat zgjedhor.

Nuk ka ndodhur ndonjëherë që drejtuesi i një opozite të së djathtës në Shkodër të ketë këtë nivel mosbesueshmërie, është nivel absurdi. Dhe ku, në Shkodër, që e ke pasur bastion dhe flamurin tënd. Mendoj se Berisha e ka marrë sinjalin dhe e di këtë sinjal. Shto edhe luftën e brendshme në PD me fraksionet, ku shprehen mos votoni ata të tjerët”, shtoi ai.

Gazetari Poli Hoxha tha se shkaku kryesor që socialistët mundën të djathtën në Shkodër me Bashkinë ishte përçarja e PD-së dhe pakënaqësia ndaj Berishës.

Ai e cilësoi absurd faktin se në sondazhe mbi 50% e qytetarëve nuk i duan Ramën e Berishën, por pas zgjedhjeve një prej tyre del fitues sepse përsëri këta qytetarë i votojnë dhe kjo shkon përtej paradoksit.

“Shkodra dihet që historikisht është i djathtë, jo me PD-në, por antikomunist, për shumë faktorë historikë. Është qytet i djathtë dhe çfarëdo që të ndodhë ai mbetet i tillë. Por edhe ky ndryshim i fundit vjen në dukje si hakmarrje ndaj Sali Berishës më shumë. Por edhe premtimet e Ramës kanë ndikuar duke marrë Bashkinë, por shkodranët në zgjedhjet e përgjithshme shikojnë individin. Shkodra ka vuajtur shumë, me një kapje të qytetit, nga banda kriminale, me gjoba dhe shkrirje me shtetin. Qytet ku bëhet lufta e gjobave, ku tregtarët paguajnë për ruajtjen e biznesit nga këto grupe dhe faturën e merr qeveria, pavarësisht se Bashkia për hir të së vërtetës atje po punon. Shkodranët e kanë në ADN votimin për PD.

Absurdi dhe më keq se paradoksi është fakti se Berisha e Rama dalin mbi 50% të pakënaqur dhe pas këtij sondazhi ata dalin fitues. Këtë mund ta shpjegojë vetëm një antropolog me staf, sepse po këta të pakënaqur pasi shkojnë votojnë, ua japin votën po këtyre dyve që s’u besojnë”, tha Hoxha.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni tonet e përdorura deri më tani në fushatën e 11 majit?