Politikë

Sondazhi i Report Tv dhe ‘Piepoli’/ Nurellari: Votat e LSI janë ndarë përgjysmë, votën e diasporës s’e masim dot! Bregu: PD ka rënie! Peci: Opozita s’ka frymë! Sefa: PS ka punuar me emigrantët

5 Maj, 22:08| Përditesimi: 5 Maj, 23:25

  • Share

Zgjedhjet e 11 majit ndodhen vetëm gjashtë ditë larg.

Fushata ka ndezur motorët dhe po shkon drejt finishit, kurse Report Tv dhe Instituti “Piepoli” sollën sot në mbrëmje edhe sondazhin e fundit, atë të rezultatit të zgjedhjeve në të 12 qarqet.

Kush i fiton zgjedhjet qark pas qarku sipas anketimit të realizuar me votuesit?

Të ftuarit në ‘5 Pyetjet nga Babaramo’ ishin Adri Nurellari, analist, Zylyftar Bregu, gazetar, Indrit Sefa, jurist dhe analisti Ervin Peci, të cilët analizuan edhe rezultatet sipas tabelave.

Ajo që u ra dakort prej tyre ishin shifrat në rënie të opozitës në shumicën e qarqeve, edhe pse këtë herë kandidon si koalicion me 26 parti politike, madje PD-PL janë të bashkuara.

“Kukësi është rezultat i çimentuar dhe nuk ndryshon në rezultatin 2 me 1. Edhe pse ka qenë një nga qarqet me rënie të madhe të popullsisë, ndaj edhe iu hoq edhe një mandat herën e fundit. Ka shumë pak votues si qark, ndaj edhe nuk është punuar nga partitë për diasporën, pasi nuk kanë leverdi për të regjistruar kuksianët. Pyetja është ku kanë shkuar votat e LSI? Rezulton se janë ndarë përgjysmë pothuajse. Ajo që nuk masim dot është vota e diasporës. Gara e Dibrës duket se është shumë e madhe, e fortë, lëviz përqindje e vogël. E shoh të vështirë ndryshimin në Lezhë në mandate, duhet përqindje e lartë. Në Berat befason shifra e lartë e Nisma Shqipëria Bëhet, ku me pak përqindje më shumë merr mandatin. Në Korçë duhet parë vota e diasporës, ajo mund të përcaktojë, diferenca është minimale. Por nëse pjesëmarrja do jetë e lartë, do jetë shenjë për rotacion, por sipas të dhënave deri tani nuk ka rritje të ndjeshme. Në Shkodër më surprizon vota e PS, prisja përqindje më të ulët, për shkak të skandaleve e situatës, por duket se nuk e duan as Berishën në krye të opozitës. Nëse ka shanse për të ndryshuar gjendjen e dy partive estabilishment janë këto qarqe të mëdha, si rasti i Durrësit, ku të dyja humbasin nga një mandat. Edhe mua më bie në sy fakti që dy të rejat i marrin mandat në Elbasan PD-së, nëse PS e ruan rreshtin e saj. Shifrat tregojnë se të dyja bien nga një mandat në Durrës”, tha Nurellari. 

Kurse gazetari Zylyftar Bregu vuri theksin te rënia në përqindje e PD-së:

“Sipas sondazhit ka një rënie të PD-ADSHM-së në qarkun e Kukësit, ku bashkë me të voglat i del përsëri rezultati i vitit 2021. Ndërkohë që në Kukës pretendon edhe PSD mandat, ka vënë një bast politik. Në Gjirokastër ka rënie PD-ja. Gara e Dibrës është e fortë, do parë vota që nuk deklarohet. Unë mendoj se opozita e ruan rezultatin dhe bastionin në Lezhë, edhe pse është tërhequr PSD. Bie në sy rënia e lëvizjes së Arlind Qorit. Surprizon Shqipëria Bëhet në Korçë. për Vlorën mund të them se të surprizon rënia e përqindjes në një qytet që ka investuar edhe shumë, duke e krahasuar me zgjedhjet e kaluara. Në Elbasan është garë ku mplekset edhe lufta e grupeve kriminale, që çoi edhe SPAK atje. Evidentohet se Mundësia dhe Nisma Shqipëria Bëhet marrin mandate nga PD-ja. PS pretendon deri në 11 mandate atje, drejtuesja politike e qarkut e ka vënë si bast, por shihet se nuk e tregojnë shifrat”.

Indrit Sefa mendon se PS ka punuar më mirë me diasporën, teksa sheh garë të fortë në qarqet bastione.

“Kandidati i PSD në Kukës vjen nga e majta, pra vjen nga PS. Nëse ia merr në Kukës, ia merr PS-së mandatin dhe jo PD-së. Por tifozlliku mbetet. PS ka punuar me patronazhistë, i ka gjetur kudo që janë dhe i ka regjistruar diasporën. Për Dibrën 3 me 2 për PS, por aty me një votë plus-minus ndryshon krahu, kush merr një votë më shumë siguron mandatin e tretë. Nëse forcat e reja kanë situatë ndryshe nga sondazhi në Lezhë, PD mund ta humbasë mandatin e katërt. Në Berat shoh se të pakënaqurit e PS janë zëvendësuar me të LSI (PL). Në Korçë më çudit Nisma Shqipëria Bëhet, pasi nuk ka bërë fushat fare dhe as me struktura. Por nëse e humbet ajo mandatin, i shkon PS-së, pra shkon 6 me 4 përsëri. Në Shkodër duket ndikimi i PSD-së së Doshit. Por me pak pikë përqindje mund të kemi edhe një 5 me 5 e 1 Doshi. PD-ja në Elbasan tregon më së miri gjendjen ku është. Surprizues Durrësi, ku partitë e reja marrin dy mandate. Gjendja e opozitës është shqetësuese edhe për Tiranën, ku ka rënie me 10% dhe kjo tregon dhe fatin e zgjedhjeve”, tha Sefa.

Ervin Peci kujtoi se shifrat tregojnë se opozita nuk ka krijuar frymë, të paktën sipas shifrave të sondazhit.

“Në Gjirokastër bie në sy faktori Tritan Shehu, që edhe çedon shumë edhe si kulturë politike në atë qark. Pra mungon fryma, politika është frymë. Në Dibër ka pasur edhe incidente zgjedhjet e kaluara, por do parë edhe faktori çam në këtë zonë se ku do votojnë. Në Berat duket se të majtët e LSI janë rikthyer te PS, në familjen e tyre, kurse për partitë e vogla vihet re mungesa e strukturave. Kurse në Vlorë sistemi elektoral nuk i favorizon shumë partitë e vogla. Surprizë për mua dy partitë e reja, por sipas informacioneve, në Elbasan edhe Koalicioni Euroatlantik ka përfaqësim. Nuk e di sa do e mbajë mandatin Shqipëria Bëhet në këtë qark, sepse duhet parë e diaspora. Kurse për Tiranën nuk më korespondon informacioni që kam me atë të sondazhit, pasi KEA ka pozitë të fortë në kryeqytet”, tha ai.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se zgjedhjet do ndikojnë në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së?