Sondazhi i Shqiptarja.com zbuloi se punonjësit nuk njohin të drejtat, ekspertja: Sindikatat janë kthyer si parti! Avokati: Punëdhënësit, mentalitet shfrytëzues

3 Maj, 14:55| Përditesimi: 3 Maj, 16:59

  • Share

Një sondazh i Shqiptarja.com me rreth 12 mijë votues, zbuloi se 51.7% e tyre nuk dinë nëse respektohet të drejtat e tyre në ambientet e punës, 22.5% votuan se respektohen të drejtat, ndërsa 25.8% mendojnë se të drejtat nuk respektohen.

Në studion e emisionit ‘Përballje’ në Report Tv për të diskutuar për këtë çështje, sekretari i përgjithsëm i Unionit të Sindikatave, Ilia Kondi u shpreh se ka një lloj ndërgjegjësimi të punëmarrësve për të drejtat e tyre, gjë e cila u reflektua në protestën e 1 majit, dy ditë më parë.

'1 maji i këtij viti u organizua nga unioni dhe si partner organizuan protestën. Ka patur një traditë jo fort të besueshme, jo të duhur me qëllimin që ka protesta e 1 majit që ka startuar që nga 1876 në Chicago. Këtë vit patëm një ndryshim pozitiv edhe për numrin e lartë të pjesëmarrësve. Tregoi që ne vetëm të bashkuar mund ta kthejmë këtë ditë të shënuar në protestë', tha Kondi.

Punëdhënësit dhe kontratat
Avokati Alban Duraj, bazuar edhe në eksperiencat e tij me punëmarrës thotë se të drejtat e tyre në 90% të rasteve të trajtuara prej tij nuk respektohen.

'Konstatoj se 90% marrëdhëniet e punës, punëdhënësit nuk respektojnë të drejtat e punëmarrësve. Këta të fundit, them që gjëndja e tyre është e mjerueshme. Me përmirësime muajt e fundit, prej largimeve të shumta jashtë dhe punëdhënësit i trajtojnë më mirë. Ka qenë rezultat i krahut të lirë të punës, janë shfrytëzuar.

Nuk janë parë si kapital njerëzor, si partner në biznesin. Mentaliteti i punëdhënësit është mentalitet shfrytëzues. Mënyra se si duan të hartojnë qoftë një kontratë pune apo të largojnë një punëmarrës bie ndesh qoftë me Kodin e Punës por edhe parimeve morale', shprehet avokati.

Kohët po ndryshojnë
Megjithatë kohët e fundit vërehet që ka një trajtim më të mirë të punonjësve në vendet e punës, për shkak edhe të largimeve të shumta jashtë vendit. Ekspertja e punësimit, Kumrie Zika thotë se kolegët në vendet e punës duhet të bëhen bashkë për të drejtat e tyre, pasi në shumicën e rasteve janë rival me njëri-tjetrin.

'Nevoja e tregut i ka sjellë te ndryshojnë filozofinë e tyre. Nëse punëtorët nuk do largoheshin por do kërkonin të drejtat e tyre këtu do kishte ndryshuar. Në momentin që je individ, shkelesh dhe përjashtohesh nga puna, në momentin që ke gjithë kolegët nuk mund të largohesh. Nuk është vetëm fajtor punëdhënësi. Por edhe punëmarrësit nuk janë bërë bashkë', thekson Zika.

'Punëmarrësit, në momentin që i drejtohet zyrës së punës për shkelje të drejtash ka patur qindra raste nuk garantohen të drejtat. Që tek mungesa e pagave në kohë, shumë punëdhënës nuk respektojnë edhe shumë të drejta të tjera që shkelen, mospagesa e sigurimeve shoqërore', tha Duraj.

'Duhet bërë grup dhe të sabotojnë totalisht punë', shton ekspertja. 

Duhet reagim
Kondi vijon më tej argumentin, duke thënë se punonjësit duhet të reagojnë për padrejtësitë ndaj tyre në vendet e punës, pasi është e vetmja mënyrë që t’u garantohet ajo që meritojnë sipas Kodit të Punës dhe asaj që është e moralshme.

'Formalisht ka sindikata, çështja është tek anëtarësia. Këta anëtar a organizohen, a bëhen pjesë e protestës? Nëse kanë një problem, si e trajtojnë si problem? Një punëtor duhet të reagoj. Ka patur dhe raste kur janë larguar nga puna. Riskun do ta marrësh përsipër. Nëse reagojnë në mënyrë kolektive, kjo sindikatë ka detyrë ta mbrojë. Kjo sindikatë që është këtu nuk bën dot një protestë, 10 veta nuk i mbledh dot tek sheshi', nënvizon Kondi.

Ekspertja dhe avokati vijuan më pas me një debat lidhur me denoncimet që duhet të bëjnë punonjësit kur kanë probleme.

Zika: Punëtori i thjeshtë ai që sheh punët e vet i shkelen të drejtat nga kolegët. Askush nuk e do një punëtor të mirë në vendin e punës. Bëhen grupacione në vendin e punës për ta hequr nga puna. Ky është realiteti. Është shumica.

Duraj: Ç’punë ka kolegët me një punëmarrës që bën punën e tij?

Zika: Ka shumë. Ti nuk paske informacion se çfarë ndodh në një kompani.

Duraj: Pse më kolegët e kanë fajin?

Zika: Ndikojnë. E njëjta gjë ndodh edhe në parti, edhe ministri.

Sipas Kondit, mekanizmat për të bërë denoncime kur ka shkelje ekzistojnë, por duhet besimi prej punonjësve.

'Të gjithë punëmarrësit nuk dinë mekanizmat që të denoncojnë padrejtësitë ndaj tyre. Një punonjës që nuk do ta bëjë këtë gjë do jetë skllav atij punëdhënësi.  Nëse është organizuar ky sektor me sindikatë duhet të shkojë tek sindikata. Duhet të reagoj, mekanizmat ekzistojnë, nëse nuk reagon si do vemi ta zgjidhim. Besimin së pari duhet ta kërkosh mënyrën si do zgjidhet. Nëse flasim për një sektor të caktuar dhe duhet të shfrytëzohen për anëtarët e sindikatës, nëse nuk shfrytëzohen për këto qëllime këto pasuri shtetërore duhet t’i kalojnë me çertifikatë shtetit. Inspektoriati ka tagër ta ndjeki dhe të vijojë një denoncim. Por duhet të ketë denoncime në inspektoriat', u shpreh Kondi.  

Zika nuk i ka shumë besim sindikatave, por më tepër luftës që duhet të bëjnë punëtorët të bashkuar në vendin e punës, kur nuk respektohen të drejtat.

'Sindikatat së jashtmi i kemi parë shumë, nuk kanë sjellë ndikim. Janë njësoj si partitë politike. Nëse një përfaqësues nuk janë pjesë e institucioneve të punës nuk kanë si ndikojnë. Një herë në vit me protesta nuk sjellin ndryshim. Besimi fitohet duke punuar, luftuar në vendin e punës', tha Zika.

Ora 15:27
'Je në kontradiktë me atë që the', e ftuara braktis emisionin: Mos analizo fjalën time, mos ndërhy tek unë

Gjatë debatit të sotëm në 'Përballje', ekspertja e punësimit, Kumrie Zika braktisi emisionin teksa replikonte me avokatin Alban Duraj lidhur me të drejtat e punonjësve. Zika nuk ka pranuar t;i ndërhyhet tek fjala dhe la emisionin vetëm një minutë para mbarimit.

Duraj: Je në kontradiktë me atë që thua. Këtej thua se viktimizohesh.

Zika: Nuk jam fare në kontradiktë. Mos u mundo me analizu fjalën time, se nuk ke kuptuar asgjë deri tani. Ti ke të drejtë të japësh analizën tënde ligjore, mos u fut tek pjesa ime.  Rri tek ekspertiza ime.

Duraj: A mund të bëj një ndërhyrje. (Zika çohet për të ikur)

Neziri: Nuk kemi mbaruar akoma. Pse mos ta dëgjosh avokatin, ai nuk ka mbaruar akoma?

Zika: Atëherë mos të ndërhyjë tek unë. (Del)

Ora 15:17
Sekretari i Unionit të Sindikatave denoncon në 'Përballje': Në Agjencinë e Kadastrës punohet fundjavave, edhe jashtë orarit zyrtar

 

Sekretari i Përgjithsëm i Unionit të Sindikatave, Ilia Kondi denoncoi në 'Përballje' se në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës punohet edhe ditën e shtunë dhe të dielë, madje ka raste edhe përtej orarit zyrtar.

'Nëse një punonjës një moment është i pakënaqur dhe e denoncon këtë pakënaqësi, siç mund të jetë p.sh. për orët e punës. P.sh, flasim për administratën publike, po bëj një denoncim, mund ta investigoni si gazetar. Në një sektor, p.sh në agjencinë shtetërore të Kadastrës, punohet edhe të shtunave, punohet edhe të dielave në disa raste, investigoheni. Dhe nuk punohet vetëm në orën 4, punohet edhe në orën 7 edhe në orën 8. Dhe pa urdhra për të punuar orë shtesë. Po të ketë urdhra për të punuar orë shtesë, do kërkojë dhe shpërblimin. Edhe në rastet e largimit nga puna do kërkoj dhe dëmshpërblimin', tha Kondi.

G.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?