Partia Socialiste do të merrte shumicën e mandateve edhe në qarkun e Fierit nëse zgjedhjet parlamentare do të mbaheshin sot. Në bazë të të dhënave nga sondazhi i realizuar nga Report Tv në bashkëpunim me Eduard Zaloshnjën, PS do të merrte 48.6% të votave, nga zgjedhësit brenda dhe jashtë territorit shqiptar, ndërsa PD vetëm 26.5% të votave.
Të përkthyera në mandate, nga 16 në total që prodhon ky qark, 9 mandate do shkonin për PS, 6 për PD. Surprizë mund të konsiderohet 1 mandat që shkon për partitë e reja, në ndryshim nga viti 2021, kur ky mandat u mor nga partitë e tjera të vjetra. Ndërkohë, PS dhe PD ruajnë ekzaktësisht të njëjtat mandate si në zgjedhjet e 2021, konkretisht 9 dhe 6.
Edhe në qarkun e Fierit, diaspora ia beson sërish fitoren kryeministrit Edi Rama, duke i dhënë 49.3% të votave, ndërsa 25.9% e votave shkon për Partinë Demokratike. Vihet re një përqindje e lartë e diasporës që do të votonte partitë e vogla të reja, 21.1%, një diferencë shumë e vogël me përqindjen që do i besonte votën PD.
Ndërkohë, vetëm 3.7% e votës së diasporës do të shkonte për partitë e tjera të vjetra, në ndryshim nga 6.7% e votave që do merrnin nga votuesit brenda territorit shqiptar. Sa i takon PS e PD, 48.3% e votave do të shkonin për socialistët dhe 26.8% për demokratët.
Lajmi kryesor:
Sondazhi i Report Tv/ Nëse zgjedhjet mbahen sot, PS fitore të thellë me 80 mandate! PD tkurret në 46, i ‘firojnë’ 13 deputetë! Në Kuvend 12 ligjvënës nga partitë e reja
SI.E./ReportTv.al