Foto ilustruese

Ekonomi

Shtresa e mesme nën presionin e kostove të larta të jetesës

24 Maj, 07:38| Përditesimi: 24 Maj, 08:49

  • Share

Rritja e kostove të jetesës nga çmimet më të larta të ushqimeve, qirave, shërbimeve shëndetësore dhe arsimore gjatë vitit të fundit kanë vënë në vështirësi shtresën e mesme, sipas një ankete që “Monitor” zhvilloi me 271 persona në shkurt-mars 2025, ku 95% e tyre ishin me arsim të lartë dhe studime pasuniversitare.

Rezultatet e anketës treguan se personat e arsimuar (58% kishin të ardhura familjare mbi 100 mijë lekë në muaj) shumicën e shpenzimeve mujore i çojnë për ushqime dhe strehim.

Gati 49% pohuan se kostot e jetesës ishin përkeqësuar në krahasim me fillimin e vitit 2024, ndërsa 12% pohuan se niveli i tyre i jetesës ishte përmirësuar, pjesa tjetër ishte njësoj. Shumica pohuan se kishin vështirësi të përmbushnim nevojat mujore me ushqime dhe me strehim.

Për të përballuar rritjen e kostove të jetesës, një pjesë e madhe po bënin më shumë se një punë ose kishin shkurtuar shpenzimet për argëtim etj. Shumica vlerësuan se rritja e pagave dhe përmirësimi i shërbimeve arsimore dhe shëndetësore bashkë me uljen e taksave do t’i ndihmonin.

Ballafaqimi i të dhënave tregon se kostot e jetesës në kryeqytet janë rritur më shumë se të ardhurat e shtresës së mesme nga paga dhe biznesi.

Çmimet e qirave, banesave, ushqimeve dhe shërbimeve arsimore janë rritur më shumë se pagat e tyre. Nga 271 personat që plotësuan sondazhin, 95% e tyre jetonin në Tiranë dhe 75% e tyre ishin në grupmoshën 35-54 vjeç. Shumica e pjesëmarrëseve, 66%, ishin të martuar.

Anketa e “Monitor” ishte me një kampion rastësor dhe që nuk synoi gjetje shkencore, por ka “fotografuar” gjendjen financiare të shtresës së mesme të mirarsimuar dhe me paga mbi mesataren në Tiranë.

Pas pandemisë Covid-19, çmimet e mallrave dhe shërbimeve kryesisht në Tiranë u bënë më të shtrenjta. Zhvillimet demografike kanë rritur trysninë në kryeqytet dhe nga ana tjetër, gjithnjë e më shumë të rinj zgjedhin të emigrojnë.

Bizneset në kryeqytet po vuajnë mungesën e punonjësve në një kohë që kërkesa po rritet nga prurjet vizitorëve të huaj. Këto zhvillime kanë ndihmuar në rritjen e çmimeve në Tiranë më shpejt se në qarqe, por ndërkohë pagat nuk janë rritur në atë masë sa të përballojnë kostot në rritje, pohuan pjesëmarrësit në sondazh.

“Kam kërkuar rritje page, por asgjë. Mundohem të mos sëmurem dhe të më gatuajnë prindërit. Njësoj për fëmijët mundohem të mos shpenzoj shumë, nuk i nxjerr në parqe, rrimë në shtëpi në fundjavë”, – tha një i anketuar.

Për 70%, shpenzim kryesor mujor është ushqimi

Përballimi i nevojave mujore për ushqime nuk është stres vetëm për të varfrit, por edhe për shtesën e mesme me arsim të lartë dhe me paga të mira për tregun shqiptar.

Nga 271 pjesëmarrësit në sondazh, 70% e tyre pohuan se pjesa më e madhe e të ardhurave mujore shkonin për blerjen e ushqimeve.

58% e tyre pohuan se kishin paga mbi 100 mijë lekë në muaj, nivel më i lartë se paga mesatare në rang vendi. Rreth 16% e tyre pohuan se kishin paga ndërmjet 80-100 mijë lekë në muaj, 18% merrnin paga ndërmjet 50-80 mijë lekë në muaj, 6% kishin paga 40-50 mijë lekë në muaj dhe një pjesë tjetër, 2.6%, kishin paga më të ulëta se paga minimale 40 mijë lekë në muaj.

Çmimet e ushqimeve në Shqipëri gjithnjë rriten më shumë se mesatarja e përgjithshme. Vendi ynë është importues neto dhe konsumi në një pjesë të madhe të mallrave mbulohet nga importet. Vitin e kaluar, inflacioni mesatar në vend u rrit me 2.1%, ndërsa çmimet mesatare të ushqimeve u rritën me 2.6%.

“Kam reduktuar daljet, blej ushqime me çmime më të lira, edhe pse janë të cilësisë më të dobët, kam reduktuar udhëtimet me makinë dhe vizitat tek të afërmit”, komentoi një pjesëmarrës në anketë.

Rritja e kostove të jetesës dhe sidomos ushqimeve, po ekspozon një pjesë të madhe të qytetarëve ndaj pasigurisë ushqimore. Për të mbajtur kostot në kontroll synojnë blerje të lira që nuk janë shumë të sigurta.

Në shportën e mallrave për llogari të inflacionit, INSTAT përllogarit se ushqimet zënë 40% të shpenzimeve mujore të familjeve shqiptare. Mirëpo anketat e “Monitor” kanë treguar se ushqimet një peshë shumë më të lartë në buxhetet e pensionistëve dhe atyre me paga minimale.

Madje anketa e fundit tregoi se personat me të ardhura mbi mesataren nuk arrinin të plotësonin të gjitha shpenzimet mujore me ushqimet e dëshiruara për ta, si bananet dhe fruta të tjera.

“Kemi ulur blerjet e panevojshme, fruta ekzotike apo shumë fruta të mos i marrim. Çdo gjë që nuk na duhet, tani nuk e marrim. Çmime të frikshme”, tha një tjetër i anketuar.

Tani këndet e supermarketeve me oferta janë më të frekuentuarat. Menaxherët tregojnë se më parë, ofertat parapëlqeheshin nga një e katërta e blerëseve, por tani kjo përqindje është rritur. Konsumatorët janë bërë më të vëmendshëm për mundësitë që ofrojnë çmimet duke ndryshuar shpesh edhe vendin e furnizimit.

“Bëj magazinimin e ushqimit me çmim më të lirë (kur gjej). Pazarin e fruta perimeve, aty ku ka ulje vetëm” tha një tjetër pjesëmarrës.

Konsumatorët kanë ulur sasinë e blerjeve prej rritjes së çmimeve. P.sh. nëse më parë furnizimet për artikujt e shportës bëheshin me disa kilogram, tani furnizimet në sasi kanë pësuar rënie, pohojnë tregtarët e pakicës.

Janë shmangur furnizimet që bliheshin për një kohë të gjatë. Më së shumti ndryshimi i zakoneve të blerjeve po ndodh te shtresa e mesme, pasi mbi këtë nivel, konsumatorët kanë mbajtur qasjen të pandryshuar.

Pjesa më e madhe e pjesëmarrësve në anketë, mbi 44%, pohuan se shpenzonin mbi 50 mijë lekë në muaj për ushqim, 35% shpenzonin ndërmjet 30-50 mijë lekë në muaj, 20% shpenzonin 10-30 mijë lekë në muaj dhe 0.4%, më pak se 10 mijë lekë në muaj.

Pas ushqimit, strehimi rëndon më shumë

Për familjet e shtresës në mesme, në vitin 2025, kostot e strehimit, shërbimeve shëndetësore dhe arsimit janë duke rënduar buxhetet e tyre.

Më shumë se 14% e pjesëmarrësve në sondazh pohuan se shpenzimi kryesor mujor i tyre ishte strehimi (kredia ose qiraja), për 4.4% të të anketuarve, shpenzimi kryesor ishin shërbimet shëndetësore; për 3.7% ishin shërbimet arsimore, dhe për 5,5% të pjesëmarrësve, shpenzimi kryesor mujor lidhej me nevoja të tjera.

Rreth 41% e pjesëmarrësve nuk kishin shpenzime për strehimin të tilla si qira apo kredi, por pjesa tjetër po përballet me kosto në rritje në këtë drejtim.

27% e të anketuarve pohuan se kishin shpenzime mujore mbi 40 mijë lekë për shlyerjen e kredive apo qirasë mujore, 20% pohuan se shpenzimet për strehimin ishin ndërmjet 20-40 mijë lekë në muaj, 6.6% pohuan se shpenzonin për strehimin ndërmjet 10-20 mijë lekë në muaj dhe 5.1%, më pak se 10 mijë lekë në muaj.

“Kam nevojë të zgjerohem për strehim, por çmimet janë aq të larta sa më detyrojnë që të vijoj të jetoj në një apartament të vogël banimi, edhe pse me fëmijë adoleshent në ngarkim”, tha një pjesëmarrës në anketë.

“Unë jam 31 vjeç dhe punoj në një departament shumë të mirë në sektorin bankar. Të ardhurat i kam mbi 100.000 lekë. Apartamenti në të cilin jetoj (2+1, 87 m²) është blerë nga kursimet e prindërve dhe kursimet e mia në vitin 2020.

Vlera e këtij apartamenti është rritur sot deri me 125% çmim shitje, por pa një rritje të arsyeshme, qoftë në kërkesë reale për banesa, si p.sh. në përmirësim të zonës përreth banesës, apo një rritjeje eksponenciale brenda këtyre 5 viteve në kosto ndërtimi (e njoh sepse kam qenë ‘head of audit’ në shoqëri ndërtimi).

Për ta përmbyllur arsyetimin, mendoj se kjo rritje në vlerën e pronës sime është vetëm copëz në mozaikun e flluskës së pasurive të paluajtshme në vendin tonë”, tha një pjesëmarrës në anketën e “Monitor”.

Rritja e peshës së shpenzimeve për arsimin është më e dukshme tek të anketuarit që jetojnë në Tiranë.

Arsimi dhe shëndeti, shpenzimet në rritje

Për 8% të pjesëmarrëseve në sondazh, arsimi dhe shëndetësia zënë pjesën kryesore të shpenzimeve mujore.

Për 4,4% të pjesëmarrësve, shërbimet shëndetësore ishin shpenzimi kryesor në familjet e tyre kurse për 3.7% të anketuarve, arsimi. Personat që kanë në përbërje të familjeve të tyre pensionistë përballen me shpenzime të mëdha mujore për ekzaminime dhe ilaçe.

Të dhëna të tjera tregojnë se vit pas viti, barra e sëmundjeve në popullatë po rritet dhe moshat e reja po preken nga sëmundje jokronike.

Krahas këtyre zhvillimeve, njerëzit po ndërgjegjësohen gjithnjë e më shumë për shëndetin duke vënë më shumë fonde në dispozicion të tij. “Një pjesë e veshjeve dhe ilaçeve i blej jashtë vendit. Këtu janë më shtrenjtë” tha një pjesëmarrës në sondazh.

Një tjetër komentoi se “po ulim shpenzimet për ushqim e shërbime shëndetësore, ndodh që të marrim gjysmat e mjekimeve kur lind nevoja”. Teksa një tjetër pohoi se “ruhem që të mos sëmurem që të reduktoj shpenzimet për mjekim”.

35% e personave që plotësuan sondazhin pohuan se shpenzojnë për shëndetin (vizita, mjekime, barna) 5-10 mijë lekë në muaj, 24% shpenzojnë më pak se 5 mijë lekë, 22% shpenzojnë ndërmjet 10-20 mijë lekë në muaj, 10.7% shpenzojnë më shumë se 20 mijë lekë në muaj dhe 9.2% nuk shpenzojnë, sepse nuk kanë mundësi.

Për familjet me fëmijë duket se shpenzimet kryesore janë ato për arsimim. Sidomos familjet që i shkollojnë fëmijët në shkollat private.

Një i anketuar tha se “i mbuloj shpenzimet për arsim nëpërmjet financimit me kredi dhe kam hequr dorë tërësisht nga argëtimi”.

Nga 271 pjesëmarrësit në anketë, 25% pohuan se shpenzojnë mbi 20 mijë lekë në muaj për shërbime arsimore; 16% ndërmjet 5-10 mijë lekë në muaj; 14% më pak se 5 mijë lekë dhe 32% pohuan se nuk përballen me shpenzime për arsimin, pasi nuk kanë fëmijë ose i kanë mbaruar studimet.

Rritja e tarifave të shkollave private në Shqipëri pas pandemisë ka qenë në një tendencë rritje të vazhdueshme.

Mësuesit në shkollat private, veçanërisht ata me përvojë dhe kualifikime të larta, kërkojnë paga konkurruese, sidomos në një treg ku emigrimi i profesionistëve ka krijuar mungesë specialistësh.

Pas pandemisë, disa shkolla rritën pagat për të mbajtur dhe për të tërhequr staf cilësor, duke reflektuar këtë në tarifat e shkollimit.

Të dhënat tregojnë se tarifat e shkollimit pas pandemisë janë rritur minimalisht me 300 euro në vit. Kostoja mujore mesatare për një fëmijë në shkollë private është 600 euro – tarifë shkolle, ushqim, transport dhe programet pas shkolle.

Transporti dhe faturat utilitare, ja se shpenzojnë

Çmimet e larta të karburanteve, pagesat në tolle, tarifat e parkingjeve dhe shërbimin e makinave (servisin) së bashku me faturat e ujit dhe të dritave janë pjesë e rëndësishme e kostove mujore të personave të arsimuar që jetojnë kryesisht në Tiranë.

45% e të anketuarve pohuan se shpenzojnë 5-12 mijë lekë në muaj për shërbimet e transportit, 20% shpenzojnë 15-30 mijë lekë në muaj. 3,3% shpenzojnë më shumë se 30 mijë lekë në muaj dhe 7.4% i kanë eliminuar shpenzimet në këtë zë për shkak të pamundësisë.

Faturat e energjisë dhe ujit zënë një pjesë të rëndësishme të shpenzimeve mujore. Mbi 38% e pjesëmarrësve pohuan se paguajnë 10-15 mijë lekë në muaj për ujë dhe energji, 36% pohuan se paguajnë ndërmjet 5-10 mijë lekë në muaj, 18.5% pohuan se paguajnë fatura ndërmjet 15-20 mijë lekë në muaj, 5.5% pohuan se paguajnë mbi 20 mijë lekë në muaj dhe 1.1%.

Shtresa mesme, pak shpenzime për argëtimin

Kur flitet për rritjen e kostove, shkurtimi më i madh i shpenzimeve bie mbi argëtimin. Një i anketuar tha se “çdo ditë mundohem të kursej dhe të ul shpenzimet në maksimum, duke hequr dorë nga ato jo të domosdoshme, si argëtimi”.

Rreth 66% e pjesëmarrësve pohuan se shpenzojnë për argëtim më pak se 10 mijë lekë në muaj. 10.3% pohuan se kanë eliminuar tërësisht shpenzimet e argëtimit pasi nuk kanë mundësi t’i përballojnë.

Rreth 15% pohuan se shpenzojnë ndërmjet 10-15 mijë lekë në muaj, 11% ndërmjet 15-20 mijë lekë në muaj dhe vetëm 8.5% më shumë se 20 mijë lekë në muaj.

41%, në pamundësi për të kursyer

Një pjesë e madhe e shtresës së mesme mbi 41% nuk kanë mundësi të kursejnë për shkak të pamundësisë për të përmbushur nevojat aktuale. 28% e pjesëmarrësve pohuan se nuk mund të kursejnë nga pamundësia, teksa 14% pohuan se jo vetëm që nuk kursejnë po janë edhe në borxhe.

Një pjesë e konsiderueshme, rreth 17%, pohuan se kursejnë mbi 30 mijë lekë në muaj, 15% pohuan se kursejnë ndërmjet 10-20 mijë lekë në muaj, 14% kursejnë më pak se 10 mijë lekë në muaj, 7% pohuan se kursejnë ndërmjet 25-30 mijë lekë në muaj dhe 4.8%, ndërmjet 20-25 mijë lekë në muaj.

Për 49%, niveli i jetesës është përkeqësuar nga 2024 në 2025

Rreth gjysma e pjesëmarrësve në anketë pohuan se, niveli i jetesës është përkeqësuar vitin e fundit, 39% pohuan se ka mbetur njësoj dhe vetëm 12% pohuan se është përmirësuar.

Kjo gjetje sugjeron se pasuria nuk po shpërndahet në mënyrë të barabartë. Teksa ekonomia rritet, përfitimet shpërndahen në pak persona, teksa të tjerët rëndohen më tej nga rritja e çmimeve të mallrave dhe shërbimeve.

59% pohuan se të ardhurat mujore nuk janë të mjaftueshme për të mbuluar nevojat bazë dhe 41% pohuan se ishin të mjaftueshme.

Rreth 25% e pjesëmarrësve thanë se kishin vështirësi të përmbushnin të gjitha nevojat mujore për ushqime, 25% kishin vështirësi për shpenzimet e strehimit, 5% kishin vështirësi të përballonin arsimin e fëmijëve, 5% nevojat shëndetësore dhe një pjesë tjetër 41% thanë se nuk mund të përballojnë të papriturat, udhëtimet, argëtimet, veshjet, pushimet, blerjet e mëdha, këstet e kredisë, etj.

Kostot e rritura, si po përballohen

Dypunësimi, shkurtimi i shpenzimeve për argëtim, blerje në oferta, rritje profesionale, emigrim etj., janë disa nga masat që shtresa e mesme e arsimuar ka ndërmarrë ndaj kostove më të larta të jetesës.

Një i anketuar komentoi se “nuk kam marrë asnjë masë momentalisht, por po konsideroj një punë e tjetër apo të largohem nga vendi”. Një tjetër tha se “nuk mund të punoj më shumë për shkak se dua të kaloj më shumë kohë me fëmijët e mi”.

Një shumicë e konsiderueshme pohuan se bëjnë nga dy ose tre punë për të përballuar kostot në rritje. “Bëj tre punë” tha një pjesëmarrës në anketë.

Një tjetër tha “dypunësim dhe shmangie taksash. Të merr shteti e nuk të jep asgjë mbrapsht. Dëm është për pensionet në të ardhmen, por ne po vdesim sot. Ç’më duhet e nesërmja, të paktën të çojmë fëmijët jashtë, të shohin një të ardhme” komentoi një tjetër”.

Një pjesë tjetër po shkurtojnë shpenzimet për të përballuar kostot në rritje. “Blej vetëm gjërat e domosdoshme dhe bazë” – komentoi një pjesëmarrës.

Një tjetër tha se “çdo ditë dhe më shumë mundohem të kursej dhe të ul shpenzimet në maksimum, duke hequr dorë nga shpenzimet jo të domosdoshme”.

Një pjesëmarrës referoi “duke kursyer te sasia dhe cilësia së ushqimeve dhe duke ulur vlerën për argëtim”. “Duke mos bërë kurrë pushime” komentoi një tjetër.

Një pjesë tjetër pohoi se po marrin në konsideratë emigrimin pikërisht nga kostot e larta të jetesës. “Jam duke punuar në një shtet europian por i riregjistruar në Shqipëri. Dhe mendoj të transferohem përgjithmonë nga Shqipëria”.

Ulja e taksave dhe rritja e pagave shihen si zgjidhje

Shumica e pjesëmarrësve në anketë pohojnë se rritja e pagave, ulja e taksave dhe përmirësimi i shërbimeve shëndetësore dhe arsimore lehtësojnë barrën e kostove të jetesës për shtresën e mesme të arsimuar.

Të anketuarit dhanë më shumë se një sugjerim për lehtësimin e kostove, por 79% (214 persona) mendojnë se mjeti kryesor është rritja e pagave.

Nga 271 të anketuar, 150 prej tyre mendojnë se ulja e taksave është mjet efikas, dhe 185 pohuan se përmirësimi i shërbimeve arsimore dhe shëndetësore çon në lehtësimin e kostove.

82 persona mendojnë se një nga tre zgjidhjet është mbështetja financiare për familjet me të ardhura të ulëta dhe 62 pjesëmarrës konsiderojnë si mjet të rëndësishëm subvencionin e energjisë elektrike dhe ujit.

Një pjesëmarrës sugjeroi se “duhen politika sociale, fëmijët tanë të mos rriten si ne me stresin se si do ta kalojmë muajin. Duhet të mendohet për të ardhmen, hiqni vendet e punës me mik si mësuesit, të cilët ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e brezave. Policia duhet të jetë e pakorruptueshme.

Një tjetër komentoi se “duhet të ketë kontrolle shumë të rrepta për cilësinë e ushqimeve që tregtohen në mënyrë që qytetarët të mos sëmuren por të jenë më të shëndetshëm. Në këtë mënyrë do të ulen kostot e sistemit shëndetësor”.

Një pjesëmarrës tjetër referoi se “lufta ndaj korrupsionit/informalitetit, kontrolli ndaj normave të fitimit për biznesin, bllokimi i përdorimit të parasë nga aktivitete të paligjshme janë masa që lehtësojnë kostot e jetesës”.

Një tjetër sugjeroi “mbështetje sociale për fëmijët (mujore) dhe përmirësimi i shërbimeve shëndetësore në shtet (koha) me qëllim që të mos shpenzohet tek spitalet private”

“Propozimi i politikave mbështetëse për strehimin e familjeve të reja nëpërmjet kredive të buta, banesave me kosto të ulët, subvencioneve” tha një tjetër.

Një pjesëmarrës sugjeroi “uljen e TVSH-së për ushqimet bazë sepse ndonjëherë shkoj edhe në Kosovë për t’u furnizuar dhe po ju them se janë të paktën 20-30% më të lira se ushqimet këtu”.

Një tjetër tha “unë banoj në Tiranë. Rritja e çmimeve të apartamente është çmenduri. Shteti të gjejë forma për ndaljen e këtij ritmi.

Shteti të ndërmarre nisma që të rinjtë (studentë, gjimnazistë) të punojnë ‘part time’ nëpërmjet lehtësive fiskale për bizneset që i punësojnë”./Monitor

S.B/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Berisha kërkon anulim të zgjedhjeve, si ju duket?