Sonte derbi i titullit, Inter për yllin e dytë dhe Milani për të shpëtuar nderin! Tifozët zikaltër ndezin 'Apianon'

22 Prill, 12:37| Përditesimi: 22 Prill, 12:56

  • Share

Një derbi që mund të futet në histori dhe që mund të jetë më zhgënjyesi për Milanin. Kështu mund të përkufizohet përballja që luhet sonte mes Milanit dhe Interit, e që pritet me padurim nga tifozët zikaltër, pasi skuadra e drejtuar nga Inzaghi mund të festojë titullin kampion të 20 në rast fitoreje kur kanë mbetur edhe 5 javë kampionat.

Për çështje krenarie Milan do duhet të marrë të paktën 1 barazim sonte, që do shtynte festën e Interit pikërisht para tifozëve të ‘djallit’, pasi San Siro është i shitur. Megjithatë mediat në Itali raportojnë se shumë tifozë të Milanit janë të trembur, pasi për herë të parë kampionati mund të vuloset në një ndeshje derbi, ndaj kanë shitur biletat e tyre te tifozët e Interit që sonte pritet të jenë mbi 10 mijë në San Siro edhe pse nuk janë pritës në këtë përballje.

‘Djalli’ ka humbur 5 derbit e fundit kundër Interit dhe vjen pas një eliminimi zhgënjyes në Europa League, ndërsa krejt ndryshe paraqitet situata te zikaltërit. Madje tifozët e tyre të dielën befasuan ekipin teksa stërvitej, duke krijuar një atmosferë të papërsëritshme, ndërsa u kërkuan futbollistëve ‘të bëhen legjenda në shtëpinë e armikut’. Për shkak të interesit të jashtëzakonshëm që paraqet ky derbi do transmetohet në mbi 200 vende të botës.

Trajneri i Milanit Pioli, i cili është thuajse i larguar në fund të sezonit, para derbit është shprehur se ‘skuadra duhet të luajë për historinë dhe tifozët, jo për mua’. Sa i takon Inzaghit, trajnerit të Interit, ai është shprehur se ‘kjo përballje është speciale, por derbi nuk është obsession për tu fituar’.

Edhe nëse Inter ia del me sukses sonte nuk jepet trofeu, por do të ndodhë në ndeshjen e parafundit kundër Lazios që luhet në shtëpi. Për dy skuadrat ky titull ka shumë interes, pasi vendosin yllin e dytë në fanellë para rivalit. Aktualisht si Inter dhe Milan kanë nga 19 trofe në Seria A, ndërsa për zikaltrit ky do jetë i 20. Klubi ka përgatitur një festë në sheshin e Milanos mbremjen e sotme, por përveç rezultatit ka frikë edhe për motin. Në rast shiu, festa me autobusin e hapur, do organizohet të martën ose të mërkurën.

Ne.k.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?