Sonte në Athinë do luhet finalja e tretë në historinë e Conference League, që sheh përballë Olympiacosin dhe Fiorentinën. Italianët janë për të dytin sezon me radhë në këtë stad dhe synojnë që nga ora 21:00 të zhbëjnë humbjen e finales së kaluar 2-1 nga Uest Ham.
Mirëpo përballë do kenë një kundërshtar të zotuar të bëjë historinë, pasi asnjë skuadër greke nuk ka fituar më parë një trofe europian. Kjo do kishte më shumë vlerë në një kohë kur finalja luhet në stadiumin e AEK-ut, rivalit të përbatuar të Olympiacosit. Për shkak të rivalitetit të ashpër mes tifozëve, policia në Athinë është në vigjilencë të lartë, pasi i druhet pritave që mund të kenë ngritur ultrasit e Panathinaikos dhe AEK-ut. Për këtë janë angazhuar në zonën rreth stadiumit rreth 6 mijë policisë.
Olympiacos mbështet shumë edhe te eksperienca e trajnerit spanjoll Mendilibar, i cili sezonin e kaluar fitoi Europa League me Sevillian. Ai është shprehur para finales së ‘këto ndeshje fitohen me qetësi dhe duhen marrë si një 90 minutësh i zakonshëm’. Nga ana tjetër më emocional është treguar trajneri i Fiorentinës, Vincenzo Italiano, i cili ka pohuar se ‘sonte duhet të jenë perfekt dhe me shpirtin e duhur në fushë’.
Kompanitë e basteve shohin Fiorentinën favorite me koeficientin 2.3, ndërsa fitorja e Olympiacos kuotohet me koeficientin 3.25. Dy skuadrat nuk janë përballur kurrë më parë, ndërsa skuadra që ia del sonte në stadiumin OPAP Arena kualifikohet direkt në Europa League për sezonin e ardhshëm.