Egnatia do provojë sonte në orën 19:00 në Air Albania, të fitojë për të dytin sezon me rradhë Kupën e Shqipërisë, pasi luan finalen kundër Kukësit.
“Skuadra e Kukësit është shumë e mirë sepse në javët e fundit kanë treguar futboll të mirë. Është ndeshja e fundit dhe nuk kanë çfarë humbin,”-u shpreh Agim Demrozi, president i Egnatias.
Të dy klubet kanë premtuar premio për futbollistët, ndërsa rrogozhinasit që e mbyllën kampionatin në vendin e parë shihen si shumë favorit. Kjo për faktin se Kukësi këtë sezon zbriti nga Superliga dhe vitin e ardhshëm do luajë në Kategorinë e Parë. Mirëpo për verilindorët kjo është ndeshja e fundit elitare dhe e kanë jetë a vdekje, pasi përveç 5 milionë lekëve si fitues të Kupës nga FSHF, mund të sigurojnë edhe pjesmarrjen në Kupat e Europës. Ç’ka përkthehet në +325 mijë euro të tjera si pjesmarrëse në Conference League. Nëse Kukësi bën mrekullinë, për verilindorët shkojnë në total minimum 375 milionë lekë, që do ishte bonus i madh për t’u rikthyer në Superligë.
Kupa është trofeu i parë që dorëzohet këtë sezon, por për Egnatian është po aq objektiv sa Superliga. Madje në Rrogozhinë presin me padurim të shtojnë trofe në kabinetin e tyre.
“Ne na shohin si qytet të vogël, por nuk është kështu sepse jemi në mes të Shqipërisë. Rrogozhina ka afër Kavajën, Peqinin, Lushnjen dhe jemi të gjithë bashkë. Po të shohësh edhe në stadium tifozët vijnë nga këto vende nuk janë vetëm nga Rrogozhina,”-tha Agim Demrozi, president i Egnatias.
Një sy në këtë finale do e ketë edhe Tirana, pasi nëse Egnatia ia del të fitojë atëherë bardheblutë do sigurojnë një vend në Kupat e Europës.