Sonte në mbrëmje, në orën 20:45, do të luhet një nga ndeshjet më të bukura të futbollit, e thënë ndryshe “El Clasico”. Barcelona pret Real Madridin në Camp Nou, në javën e parafundit të La Ligas. Kjo është përballja e 237-të në histori mes tyre.
Ku duel vjen ndryshe nga herët e tjera, pasi Barcelona ka siguruar një javë më parë titullin në Spanjë, ndërsa Real Madrid mbetet në vend të tretë dhe nuk ka shanse as për vendin e dytë. Megjithatë, është një duel prestigji, një sfidë që i kalon përmasat e Spanjës, por edhe të Evropës.
Barcelona krenohet me 7 titujt në 10 vitet e fundit, shto dhe faktin që fitoi Kupën e Mbretit, ndërsa Real Madrid ka siguruar finalen e tretë radhazi në Champions League. Ekipi madrilen kryeson gjithashtu edhe bilancin e përgjithshëm ndërmjet tyre, me 95 fitore kundrejt 92 të katalanasve.
Barcelona, që ka fituar 26 nga 28 ndeshjet e fundit brenda në kampionat, do të japë maksimumin për ta çuar në 42 numrin e ndeshjeve pa humbje në La Liga. Në fazën e pare, falë tre golave të realizuar në pjesën e dytë, skuadra e Ernesto Valverdes fitoi brenda në Bernabeu, duke shijuar në mënyrën më të mirë të mundshme Festën e Krishtlindjes.
Këtë herë ndeshja do të drejtohet nga 35-vjecari Alejandro Hernandez dhe do të luhet në ‘Camp Nou’, ku Barca ka humbur 2 nga 3 duelet e fundit. Pas 37 ndeshjesh kundër Real Madrid, mesfushori veteran Andres Iniesta do të luajë “El Clasico”-n e fundit.
Real Madrid ka vendosur se nuk do të formojë një korridor nderi për rivalët katalanas. Ndërsa për Lionel Messin mbetet një sfidë më vete, sepse kërkon të fitojë Këpucën e Artë në Evropë, teksa kryeson me 32 gola, 1 më shumë se Salah. Cristiano Ronaldo mbetet shumë prapa, me 24 gola.