Lezha do ketë sonte një natë të paharrueshme boksi, pasi dy boksierë të këtij qyteti, vëllezërit Roberto dhe Amarildo Bakaj, do ndeshen për tituj në arenën e ngritur në stadiumin Besëlidhja. Roberto, i cili deri më tani ka 11 fitore në po kaq ndeshje në boksin profesionist, në kategorinë cruiser, do duelojë me kolumbianin Edvin Riaskos. Ky i fundit në 16 ndeshje në boksin profesionist numëron 14 fitore dhe 2 humbje, ndërsa për fituesin e mbrëmjes së sotme do shkojë titulli IBO Continental.
“Është sfida ime më e fuqishme deri më tani. E kam ëndërruar këtë ditë që pas sukseseve të mëdhaja që kam korrur nëpër botë të vij në qytetin tim dhe ti tregoj botës se edhe Lezha ka boksierë të fortë,”-u shpreh Roberto Bakaj, boksier.
Vëllai tjetër Amarildo njeh gjithashtu vetëm fitore në 10 përballjet në boksin profesionist, ndërsa sonte do sfidohet nga ganezi Jon Mbanugu. Edhe ky pa asnjë humbje, ndërsa përveç 10 fitoreve një ndeshje e ka mbyllur në barazim. Amarildo dhe ganezi do grushtojnë për titullin WBO World Champion.
“Akoma është thjeshtë një ëndërr por me ndihmë të Zotit uroj që të kthehet në realitet. Siç më njihni unë mundohem të jam gjithmonë maksimumin në ring dhe jo me fjalë,”-tha Amarildo Bakaj, boksier.
Në Lezhë, të dy këto ndeshje, që nisin prej orës 19:00, po pritet më padurim për faktin se në ring ngjiten vëllezërit të cilët e kanë bërë krenarë qytetin me arritjet e tyre.