Italia pret rivalin e finales së Euro 2020 që del sonte nga çifti Angli-Danimarkë. Po në “Wembley” duke nisur nga ora 21:00 luhet gjysmëfinalja e dytë e turneut. “Tre luanët” kanë bërë një kompeticion thuajse perfekt deri tani me 8 gola të shënuar e asnjë të pësuar dhe janë favoritë për të arritur finalen. Anglia luan në shtëpinë e saj dhe është në formë shumë të mirë pasi ka eliminuar Gjermaninë e Ukrainën. Trajneri Gareth Southgate në konferencë ka thënë: “Danimarka e ka fituar njëherë Europianin ndërsa ne kemi një mundësi të artë për të arritur në finalen e parë të një turneu të tillë dhe për të bërë historinë” e mbyll tekniku anglez. Me një stadium dhe komb të tërë në mbështetje të ekipit futbollsitët mezi presin të zbresin në fushë. Ndaj Danimarkës pritet të luajnë të njëjtët futbollistë që mundën Ukrainën me të vetmin ndryshim Saka në vend të Sancho.
Në kampin e Danimarkës kanë një objektiv të vetëm. Të heshtin “Ëembleyn” dhe të shkojnë në finale. Skuadra ka bërë një ecuri fantastike duke arritur deri në gjysmëfinale pasi eliminoi Uellsin e Çekinë dhe skuadra ka besim. Trajneri Kasper Hjulmand në konferencë ka deklaruar: “Kam respekt për Anglinë pasi është një skuadër e fortë dhe cilësore. Por edhe ne jemi skuadër e fortë dhe kemi besim. E presim këtë ndeshje me entuziazëm dhe shpresë. Jemi këtu për të fituar” e mbyll trajneri i danezëve.Formacioni dhe skema pritet të jetë e njëjtë me tre ndeshjet e fundit me të vetmen dilemë kush do jëtë në majën e sulmit Dolberg apo Poulsen.Angli-Danimarkë do të arbitrohet nga holandezi Danny Makkelie.