Me qëllimin për të bërë befasinë, atehërë kur më pak pritet, Barcelona ka udhëtuar në kryeqytetin francez për t’u përballur në çerekfinalen e parë kundër Paris SG. Francezët janë favoritë jo vetëm sonte në orën 21:00, por edhe për të kaluar turin, ndërsa në prag të përballjes jo pak provokime kanë ardhur nga trajneri Luis Enrike, i cili ka thumbur Xavin e Barcelonës. Ai është shprehur ‘se e njeh atë si futbollist dhe jo si trajner’, ndërsa ka shtuar se ‘përfaqson më mirë vlerat e Barcelonës se sa Xavi’.
Ndërkohë Xavi ka qenë i përmbajtur dhe e ka cilësuar Enriquen si një nga trajnerët më të mirë në botë, ndërsa ka shtuar se pavarësisht se Paris SG është favorite, Barcelona synon gjysmëfinalen, duke qenë se mungon prej 4 vitesh. Te Barcelona vijojnë të mungojnë Gavi dhe Balde, ndërsa Paris SG nuk ka të disponueshëm Hakimin, ndërsa në dyshim është Barcola.
Po kaq interesante do jetë edhe përballja tjetër në çerekfinale mes Atletico Madrid dhe Dortmund. Spanjollët pasi eliminuan Interin duan ti rezervojnë të njëjtin fat gjermanëve dhe për këtë janë favoritë. Trajneri Simeone thotë se skuadra ka fituar besim dhe se me mbështetjen e tifozëve mund tia arrijnë qëllimit. Depay, Hermoso dhe Lemar vijojnë të dëmtuar te Atletico, ndërsa te Dortmund mungesa e madhe është holandezi Mallen.
Kjo çerekfinale pritet të zhvillohet në masa të rrepta sigurie, pasi policia spanjolle i druhet sulmeve terroriste pas kërcënimeve nga ISIS. E njëjta gjë ishte edhe me çerekfinalet e ditës së martë, por stadiumi i Atletico Madrid sipas autoriteteve paraqet rrezik më të lartë.